Aqif Rakipi: Ja pse më akuzon PD, raportet me Ramën dhe bashkëpunimi me…

6 Tetor 2017, 10:45Politika TEMA

Aqif Rakipi, deputeti i PDIU-së, mohon të ketë probleme me drejtësinë italiane, siç ka ngritur dyshimet Partia Demokratike.

Kjo e fundit dy ditë më parë iu drejtua prokurorisë për të hetuar mbi deputetin Rakipi dhe kolegun e tij socialist Gjetani, me pretendimin se janë subjekt i ligjit për dekriminalizimin.

Në rastin e Aqif Rakipit PD ngre dyshimet se ka probleme me drejtësinë italiane, gjë që sipas deputetit të PDIU është akuzë politike pa bazë vërtetësia.

Në këtë kuadër, Rakipi shprehet se vetë shteti italian ka kthyer përgjigje zyrtare dhe sipas tij e gjitha është një lojë e radhës nga ana e Partisë Demokratike. Rakipi shprehet se nëse do të kishte probleme me ligjin e dekriminalizimit ai do të ishte larguar nga politika.

Në një intervistë për “Shekullin”, Rakipi thotë se akuzat ndaj tij, i lidh me faktin e shumë votave që ka arritur të marrë në qarkun e Elbasanit. Ai flet edhe për miqësinë me Ramën dhe bashkëpunimin e dy partive në këtë legjislaturë. Rakipi shprehet se nuk bën pjesë tek deputetët që servilosen, ndërsa shprehet se kryeministri Rama duhet të përmbush premtimet që ka bërë gjatë fushatës.

Partia Demokratike ka kërkuar heqjen e mandatit tuaj të deputetit, duke ju akuzuar se keni probleme me ligjin e dekriminalizimit. Kjo nuk është hera e parë që ndaj jush ngrihen këto akuza. Çfarë përgjigje keni ju?

Partia Demokratike nuk ka për çfarë të më akuzojë. Për Italinë, që ata pretendojnë, është sjellë përgjigjja ku tregohet se nuk kam asnjë problem në atë shtet. Nuk ka ndonjë arsye të fshehtë dhe as të madhe se pse Partia Demokratike ngre akuza ndaj meje. Partia Demokratike në Qarkun e Elbasanit ka marrë aq vota sa kam marrë unë atje. Unë nuk kam probleme në asnjë shtet. PD-ja nuk ka çfarë të gjejë. Ashtu siç rezultoi një herë, sërish e njëjta gjë do të ndodh. E kam shprehur këtë dhe është vërtetuar nga letrat që i kanë ardhur prokurorisë kohë më parë kur u ngritën akuza ndaj meje. Kjo është një çështje e mbyllur. Është marrë Partia Demokratike, është marrë vetë Prokuroria dhe nuk ndryshoi gjë. Partia Demokratike nuk ka me çfarë të merret dhe bën lojën e radhës.

Partia Demokratike shpesh ka thënë që ju jeni një mik i Ramës dhe kjo sipas saj ju favorizon. Ndërkaq, kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me Llalën dhe sipas informacionit zyrtar është folur edhe për ju?

Nuk më intereson fare kjo pjesë. Unë jam deputet i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Nuk jam as i Ramës, e as i ndonjë tjetri. Unë jam zgjedhur si kandidat i PDIU-së dhe kam një kryetar që është Shpëtim Idrizi. Unë nuk kam asnjë lloj problemi. Nëse do të ishte kështu sot nuk do të isha në parlament, do të kisha ikur vetë. Nuk jam nga ata deputetët që i servilosem ndonjërit. Unë jam zgjedhur me votë nga qytetarët dhe këtë po vazhdoj të bëj. Partia Demokratike le të vazhdojë të bëjë lojëra dhe të mendoj se do të forcohet nga kjo gjë. Unë e shpreha edhe më parë, problemi i PD-së me mua është se unë kam marrë po aq vota sa ajo në Elbasan. Unë nuk kam lidhje me akuzat.

PDIU-ja, pavarësisht sulmit gjatë fushatës duket se vazhdon të jetë mbështetëse e socialistëve si në legjislaturën e kaluar kur ju me PS-në ishin në koalicion, ndërkohë nuk jeni deklaruar si parti opozitare. Si jeni pozicionuar ju në Parlament?

Ne e kemi votuar qeverinë dhe ligjet që janë miratuar me votë deri më tani. Në vijim do të shohim si do të rrjedhin ngjarjet dita-ditës, edhe për çështjen çame apo problematika të tjera që kanë të bëjnë me njerëzit. PDIU-ja ka edhe kryetarin e saj, Shpëtim Idrizi, që pavarësisht se nuk është në parlament, diskutimi dhe vendimmarrja është e përbashkët. Ne do të diskutojmë dhe do të vendosim.

Keni pasur ftesë, qoftë informale nga kryeministri për të bashkëpunuar gjatë kësaj legjislature?

Edi Rama e ka marrë sot tepsinë vetë dhe unë e kam shprehur se këtë duhet ta shfrytëzojë për t’u marrë më shumë me qytetarët, me problemet e tyre. Të merret me fshatin, me punësimin, me infrastrukturën dhe unë çdo herë e mbështes. Ne edhe kur kemi qenë pjesë e koalicioni këtë e kemi pasur si parimin tonë. E rëndësishme për ne është që ai të mbajë premtimet që ka dhënë në fushatë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje