Jeta e vështirë e komunitetit rom dhe sfidat e përditshme për të dalë nga varfëria

6 Tetor 2017, 12:00Ekonomia TEMA
Jeta e vështirë e komunitetit rom dhe sfidat e përditshme

Duket se jeta e kësaj të moshuare rome është përmirësuar disi. Padyshim që ka sfida të mëdha në ditën e  saj. Ajo shoqëron mbesat dhe nipërit nëpër këto rrugë e gëzuar sepse tani nuk ka më baltë e mbeturina, nuk më ujëra të zeza që i shkonin deri afër pragut të shtëpisë. Nailja ka shumë sfida të tjera në ditën e saj sepse shpesh nuk ka mundësi t’i ushqejë fëmijët e saj por duket e lumtur kur shëtit nëpër këtë rrugë. Është banore e lagjes ku pak muaj më parë humbi jetën nga tuberkulozi një grua. Pushteti vendor pak ka menduar për atë komunitet shumë të varfër që jeton në kushte ekstremisht të vështira. Ata dalin të gjithë si lagje dhe rreshtojnë një numër të madh ankesash për vështirësitë e tyre. Varfëria është padyshim shqetësimi kryesor. Janë banorët romë të Nishtullës në Durrës.

Pak javë më parë atje është inaguruar një rrugë e investuar nga programi i UNDP-së, mbështetur nga fondet e BE-së, ku është mundësuar gjithashtu edhe sistemimi i kanalizimeve si dhe shtrimi e ndriçimi i rrugëve. Është mundësuar nga projekti “Fuqizim Ekonomik dhe Social i Romëve dhe Egjiptianëve – shtysë për përfshirjen sociale” (FESRE). Projekti është fokusuar jo vetëm në investime direkte në infrastructure, por edhe në rritjen e aftësive të këtij komuniteti për punësim si dhe për sipërmarrje.

Projekti FESRE mbështet integrimin e romëve dhe egjiptianëve në tregun e punës dhe rritjen e aftësive bazë dhe atyre për jetën, duke synuar aktivizimin e potencialit prodhues të të dy komuniteteve.

Në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe drejtorive rajonale kanë identifikuar dhe më pas mundësuar regjistrimin e më shumë se 700 individë të papunë romë dhe egjiptianë të cilët janë të gatshëm të fillojnë punë. 229 persona romë dhe egjiptianë në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Berat janë punësuar deri më tani me asistencën e projektit.

Punësimi

Si rezultat i zbatimit të këtij projekti, janë punësuar pranë mobileri “Korça” në Durrës, 4 persona të komunitetit Rom nëpërmjet skemës së formimit në punë. Të punësuarit kanë mundësi të punojnë nën mbikqyrjen e një mentori gjë që do të mundësojë përvetësimin e aftësive të nevojshme për punën specifike që ato kryejnë.

Antonio Avdia dhe Bajram Zeqiri janë punësuar qysh në shkurt të 2016 ndërsa Sokol Elezi dhe Klevi Abazi  janë punësuar së fundmi. Projekti mbështet punëdhënësin me pagesën e 5 muajve rroge  me detyrimin kontraktual që punëdhënësi të paguajë  pjesën tjetër të kontratës prej një viti të këtyre individëve.  Projekte të ngjashme janë zbatuar edhe në kompaninë e përpunimit të mermerit Qato, në Berat ku janë punësuar 2 persona me ndërmjetësimin e projektit ESERE.

Ilir Fatia është punësuar në këtë subjekt qysh në Qershor 2017. Ka punuar për një kohë të gjatë me punë të rastësishme dhe informale dhe ka kërkuar prej kohësh të ketë një punë të sigurt dhe mundësinë e marrjes së një zanati. Në një nga mbledhjet e komunitetit të organizuar nga projekti FESRE,  Iliri ka shprehur dëshirën për të punuar me mermer, si një profesion për të cilin ai kishte pasion dhe mendonte që do i siguronte të ardhura më të qëndrueshme familjes së tij prej 4 personash.

Myzo Dollonjaku  në mbledhjet e komunitetit të organizuara nga projekti FESRE ka shprehur dëshirën për të patur një profesion pasi tregu i punes nuk i ofronte  punë pa një zanat. Pas shumë përpjekjeve të stafit të punësimit të projektit, Myzo u punësua tek subjekti  “Qato” ku edhe ka patur mundësi të aftësohet për prerje mermeri sipas përmasave.

Në lagjen e Nishtullës funksionon edhe një qëndër Komunitare Multifunksionale, nën menaxhimin e bashkisë Durrës  e cila ofron një model inovativ pilot të shërbimeve të integruara me bazë në komunitet. Modeli i ri i zhvilluar bazuar në praktikat më të mira në Shqipëri dhe jashtë vendit, ka për qëllim të rrisë aksesin ndaj shërbimeve sociale për grupet në nevojë, duke përfshirë romët dhe egjiptianët.

Për shkak të kësaj qëndre janë rreth 421 familje në total që kanë akses më të mirë në shërbimet sociale si psh. kartat e shëndetit, pagesat e invaliditetit, ndihma ekonomike , banesat sociale, regjistrime etj. Si rezulat i këtij modeli pilot.

OJF-të e mbështetura me grante nga projekti FESRE

 Pas një procesi vlerësimi të nevojave dhe trajnimit të OJQ-ve rome dhe egjiptiane, rreth 50 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve romë dhe egjiptianë morën pjesë në një trajnim që synonte zhvillimin e kapaciteteve të këtyre organizatave. Nëpërmjet një thirrjeje të hapur për projekte, nisma ka partnerizuar dhe ka ofruar grante në kuadër të zhvillimit të kapaciteteve te OJQ-ve Rome dhe Egjiptiane për 20 (njëzet) projekt-propozime të paraqitura nga OJF-të në bashkitë e Tiranës, Durrësit, Beratit dhe Shkodrës. Periudha e zbatimit të projektit për secilin nga projektet varion nga 12-18 muaj.

“Amaro Drom” është një nga organizatat që është mbështetur nga projekti për të mbjellë 666 pemë ulliri në zonën e “Bregut të Lumit” që do t’i shërbejë rreth 40 familjeve të kësaj zone për të parandaluar erozionin në bregun e lumit Osum, si dhe për të rritur të ardhurat e secilës familje. Parandalimi dhe kufizimi i erozonit lidhen direkt me përmiresimin e kushteve të mjedisit dhe cilësinë e tokës bujqësore.

Në datë 3 tetor, “Amaro Drom” ka organizuar një trajnim me fermerët romë që do të ndihmojnë në mbjelljen dhe kultivimin e ullinjve në zonën e Bregut të Lumit.

Në lagjen Barrikada në Berat është ngritur një kopsht i ri që synon të mbështesë dhe të mundësojë që fëmijët egjiptianë që banojnë në këtë zonë të marrin pjesë në arsimin parashkollor. Rreth 700 banorë egjiptianë dhe 900 familje jo egjiptiane kanë përfituar nga rindërtimi i këtij kopshti. Përafërsisht 50 fëmijë nga komuniteti egjiptian janë regjistruar pranë këtij kopshti.

Po në Berat, organizatat rome janë mbështetur nga ky projekt për të bërë të mundur trajnimin e fermerëve për mbjelljen e 666 pemëve të ullirit në zonën e Bregut të Lumit, që do t’i shërbejë 40 familjeve rome të kësaj zone për të parandaluar erozionin e tokave të tyre nga lumi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje