Ka diçka të djathtë midis Ilirit dhe Gramozit…

Nga Lorenc Vangjeli

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pushtoi të enjten foltoren e parlamentit. Ai kushtëzoi dështimin e seancës së rradhës dhe nuk paralajmëroi asgjë të ndryshme në të enjtet në vijim, pavarësisht përjashtimit të tij. Domethënë, Inkurajimi, vijimi dhe përshkallëzimi i tensionit mes pozitës dhe opozitës. Në fakt kjo nuk është fare e vërtetë. Mesazhi i tij prej pushtuesi të fortë, është tërësisht i ndryshëm nga ai që kanë lexuar miqtë dhe kundërshtarët e tij. Ai është një mesazh që do të mund të zhgënjente edhe ata që e kanë marrë me të qeshur, edhe ata  që janë shqetësuar nga jo sjellje prej Doktori.

Ishte vetëm një moment të enjten, në një nga ndërmprejet e shumta të seancës, kur Basha ju dorëzua kamerave dhe buzëqeshja e tij karakteristike i tradhëtoi mendimin e fshehtë. Fiks atë që ja duartrokiti gabimisht Albana Vokshi në sallë dhe që mërziti po gabimisht Edi Ramën. Basha të enjten kishte zgjedhur diçka; zgjodhi atë çka është e përbashkët mes midis Ilirit dhe Gramozit.

Lulzim Basha nuk ka asgjë me Edi Ramën. Marrëdhënia e tyre që u bë publike në mes të majit, kishte ndezur si një dashuri e ardhur mbas shumë shikimesh. Edhe pse e mohojnë të dy, mes tyre ka pasur disa stinë të fshehta komunikimi. Mëria e sotme e Bashës i ngjan trishtimit të bukur të vajzave që shohin se ëndrra e premtuar për bashkëjetesë prishet fare aksidentalisht. Dhe ato derdhin gjithë pezmin e tyre në WhatsApp me shoqet duke sharë atë që në fakt e duan ende. Dikur, shumë kohë përpara se të shpikej celulari, në epokën e teatrit real dhe jo parlamentar, me shqipërimin e Fan Nolit do të thuhej: “Faqezi, më bëre be’ pa më shtrirë se do më merrje grua…! Ik tutje, më ler, se ti s’ke turp, shkon e fle me mua”!

Basha nuk ka asgjë kundër Berishës. Marrëdhënia e tyre është e llojit babë e bir. Një baba i mërzitur me çfarë bën biri dhe një bir që e di se çfarë do lloj gjëje që të bëjë, babai nuk e mohon dot. Duke ju sulur foltores, si osmanët e djeshëm kalave, Basha e pushtoi atë, duke e ditur mirë se ai send druri, edhe po të ishte prej guri nuk i hynte në punë. Por Doktori u kënaq. Sepse Doktori është shkollë e vjetër. Nëse i duhet të kapërcejë një mur, ai nuk i vjen rrotull për të gjetur ndonjë derë apo të çarë nëpër të, por rreket të hapë shteg duke i rënë murit me kokë. O muri, o koka, këtë dilemë, Doktorit shpesh ja ka fituar koka. Pikërisht këtë gjë bëri të enjten edhe Basha në parlament. Ai është në të drejtën e tij  legjitime të kërkojë që të emërtojë dhe ai një ditë të javës si dikur Doktori: të thuhet e enjtja e Lulit, për shembull.

Basha nuk ka asgjë as kundër Ilirit. Presidenti i Republikës është i munguari i madh i sallës të cilës ai vetë nuk i ka munguar që nga viti i largët 1992 dhe që kësaj here, i rri rrotull dhe anash nga zyra e tij në fund të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Basha mund të ishte me të gjitha gjasat kryeministër në këtë legjislaturë nëse do të kishte ditur t’i rikthente dashurinë e vjetër Ilirit, pavarësisht se për katër vjet ai ishte në marrëdhënie interesi me Edi Ramën. Duhet ta kishte bërë një gjë të tillë shumë kohë më parë dhe jo nga janari i 2017-ës, kur u soll si shkrepse: në një vend u fërkua dhe në një tjetër u p…ërmallua.

Natyrisht Basha nuk ka asgjë as me Monikën. Problemi i tij i vetëm dhe i pakapërcyeshëm është se mes PD-së së tij dhe LSI-së së saj ai kërkon të vendosë një raport të bazuar në numër deputetësh. Pa dashur të besojë se karizma në politikë është një rrjedhë njerëzore që nuk matet me numra.

Në të vërtetë kryetari i PD-së ka një problem të madh me Gentën dhe asaj i dërgoi mesazhin e tij të fshehë të së enjtes. Genta ka qenë këshilltare e grupit parlamentar të PD-së prej më shumë se 20 vjetësh dhe është larguar fiks tani nga puna sepse ka bërë gabimin e pafalshëm që i kujton kryetarit të ri të shkuarën e vjetër. Për shkakun e saj gabon edhe Luli që beson se e shkuara duhet luftuar. Në fakt duhet të zgjedhë të bashkëjetojë me të. Duhet ta bëjë këtë gjë me Astritin, Ben Imamin dhe Jozefinën, me Majlindën dhe Besnikun, me Kasmin e RD-së dhe Fundon e CityNews-it, nëse do që të nisë një kapitull të ri. Në këtë dynja të komplikuar, përkëdhelja dhe buzëqeshja shpesh janë armë më të forta se dajaku i verbër i votës së shqiptarëve në qershor dhe serioziteti i egër i Gramozit në sallë.

Lulzim Basha ka një urgjencë politike tashmë. Ai duhet të kuptojë se midis dy socialistëve veteranë, midis Ilir Metës dhe Gramoz Ruçit, ka një gjë të përbashkët. Edhe atëherë kur Iliri i jepte fjalën pa fund Doktorit, edhe tani kur Gramozi e përjashton pasardhësin e Dooktorit nga seanca, ata gjykojnë njëlloj dhe e këshillojnë Bashën në të njëjtën mënyrë: Doktori është unik. Çdo kopje e tij, pavarësisht ngjyrave, mund të jetë gjithçka, por nuk mund të jetë epike. Eshtë diferenca mes luftës së vërtetë plot gjak e zjarr që bënin dikur osmanët, me patetizmin e sotëm plot lot e brengë të telenovelave turke.

6 komente në “Ka diçka të djathtë midis Ilirit dhe Gramozit…”

  1. murat kepa says:

    I dashur Lorencë.Dua të kujtojë se Saliu,Gramozi dhe Iliri,kanë një të përbasgkët të madhe:JANË BOLSHEVIKËT MË TË DEVOTËSHËM TË LENINIT E STALINIT.

  2. shaqo says:

    Te paska lene mendja o Lorenc. Basha kryeminister?!!!!!
    Per ty e Ilirin po, per shqiptaret kurre ne jeten e tij.

  3. Jimi says:

    Rolenc! Nese i ke ven detyre vetes te filozofosh, per te treguar nivelin tend intelektual, ben mire qe kete ta shpalosesh ne ndonje auditor te ndonje universiteti, qofte ky edhe shteteror. E ke mani te fshiesh pas mesazheve te koduara, gje e cila tregon ,o mungese sinqeriteti, o frike!
    Lexuesit jo se nuk dine ta deshifrojne mesazhin tend “diplomatik”, por atyre do t’u pelqente qe te jene te drejtperdrejt.

  4. Koba says:

    Analize menderhane.A merr para ende nga Like Floriri???

  5. arnauti says:

    PO Lorenc eshte e vertete ,ke vene re ti te dy kokrren e koqes apo boles (popullore) te krahut te djathte e kane me te madhe se ate te krahut te majte !!! Vertete paske qene vezhgues i kujdeseshem …. Lorenc . Ps : na lere te bejme edhe ndonje shaka pa qeder zoti Lorenc .

  6. Devolliu says:

    O Lorenc; mbajj mend se dikur ke qenë ndër gazetarët më të mirë.Tani je një shërbëtor i përulur i Like FLORIRIT.
    Nesër ti mund të na thuash se “edhe GRAMOZ RUÇI ëstë i krimbur në Flori”, por kush të dëgjon ty tani që je bërë Legen i Like Floririt, hajdutit me çizme e me bllok.

Lini një Përgjigje te Jimi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X