Nuk ka pastrim me koshin e plehrave bosh

Nga Skënder Minxhozi

Kryeministri Rama ka prezantuar të premten platformën për bashkëqeverisje me qytetarët. Një faqe online është prezantuar si pika fokale, ku shqiptarët e thjeshtë do të mund të postojnë ankesat e tyre, të cilat do të shqyrtohen sipas sektorëve që prekin ankimimet e qytetarëve. Me këtë rast Rama ka deklaruar se kjo nismë do të forcojë demokracinë. “Ky mekanizëm mund të bëhet tmerri i çdo kujt që është mësuar t’i shohë qytetarët nga xhepi për t’i dhënë shërbimin”, ka deklaruar kryeministri.

Edi Rama nuk i ka harruar premtimet e fushatës së fundit zgjedhore. Kjo është një gjë e mirë. Që ai vijon të kultivojë njëkohësisht edhe fjalorin e përdorur gjatë kohës kur formësohej dhe miratohej reforma në drejtësi, edhe kjo është një gjë e mirë. Angazhimet e përsëritura që ai ka ndërmarrë gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit, për të luftuar tepsinë e famshme, e vendosin Edi Ramën në garë të hapur me fjalët e tij. Të cilat janë sot sfida më e madhe që ai ka në mandatin e dytë qeverisës.

Prej një muaji qeveria e re ka marrë në dorë detyrën dhe nuk kishte moment më të mirë për kryeministrin, për t’u përballur “proceduralisht” me njërin nga premtimet bazë të fushatës së fundit: luftën kundër korrupsionit. Platforma e tij është sa ambicioze, aq edhe impenjuese. Të bësh që një zyrtar i shtetit aktual shqiptar të mos shohë nga xhepat qytetarin që ka përballë, është më e vështirë se të ngjisësh pa bombola oksigjeni Malin e Bardhë. Po flasim për t’i dhënë fund një praktike që ka bërë shkollë dhe ka hedhur rrënjë të thella në indin social të Shqipërisë. Edhe kur mjeku nuk kërkon para, ja japim me zor, edhe kur mësuesi a nëpunësi i hipotekës në ofron një shërbim pa na “prerë” faturën nën dorë, ja lemë në shenjë mirënjohjeje. “Pije një kafe”, është refreni që shoqëron këtë marrëdhënie të deformuar në vite.

Në Shqipëri mungon sot fryma për të dënuar korrupsionin dhe mbartësit e tij. Dhënia e ryshfetit, korruptimi i zyrtarëve, falsifikimi i tenderave dhe abuzimi me paratë publike, janë plagë të vjetra të shoqërisë tonë. Të cilat mund të nisin të shrrënjosen vetëm nëse krijohet fryma e duhur për t’i shkulur megjithë rrënjë. Kryebashkiaku Edi Rama e rrafshoi Parkun Rinia nga ndërtimet pa leje dhe e pastroi Lanën, vetëm kur u krijuan kushtet për ta bërë këtë gjë. E thënë ndryshe, kur qeverisja qëndrore dhe ajo lokale dëshmuan vullnet të fortë për t’i dalë matanë një problemi jo të vogël antiligjor për kryeqytetin.

Në kushtet aktuale, jemi ende nën regjimin e konsumimit të retorikës antikorrupsion, më shumë sesa të aplikimit të praktikave antikorrupsion. Përbetohemi që s’do lemë vrimë të hapur për shkelësit e ligjit, e burgjet janë thuajse të boshatisura, në atë sektor qelish, që do të duhej t’u përkiste zyrtarëve abuzues të të gjitha niveleve, biznesmenëve korruptues, pushtetarëve lokalë hileqarë e kështu me rradhë. Sot mund të hysh në burg nëse i jep dhjetë mijë lek të vjetra bakshish një polici që të ka kapur pa vendosur rripin e sigurisë në një rrugë nacionale, e kjo është një gjë për t’u përshëndetur. I duam të lidhur udhëtarët, që të mos ketë aksidente dhe humbje jetësh. Por kur sheh nga ana tjetër, se paralelisht me këtë kundravajtje banale, shkelje ku e ku më të mëdha, më me peshë, nga ato me shumë zero nga pas, nuk dënohen nga asnjë instancë e drejtësisë shqiptare, kupton që ka diçka serioze që nuk shkon me sistemin shqiptar.

Na e kanë vënë në dukje këtë aspekt kaq shumë, saqë sot është e vështirë të bindësh ndonjë njeri çfarëdo që e njeh sadopak vendin tonë, që Shqipëria nuk është një demokraci e dobët dhe e korruptuar. Në këtë plan, nisma e Edi Ramës, e pashoqëruar me një frymë konkrete angazhimi e të gjitha strukturave të zbatimit të ligjit në vend, mbetet një retorikë që shërben më shumë për të prodhuar disa tituj mediash, sesa për të dhënë efekte konkrete. Reforma në drejtësië nuk ka nisur akoma dhe gjyqtarët e prokurorët po bëjnë “lekët e fundit”. Humori i publikut shqiptar për nivelet e korrupsionit mbetet ende tek grija e thellë. Gjykatat nuk dënojnë të fajshmit, ato shesin e blejnë lirinë ose burgun, sipas rastit.

Do të ishte fundi më i palumtur i platformës më të fundit të kryeministrit, që ankesave që me siguri do të vërshojnë në strukturën e sapokrijuar enkas, të mos u korrespondojë një veprim gjithaq energjik dhe i shpejtë për të dënuar të gjithë ata, të cilët do të rezultojnë në faje dhe shkelje. E kjo mund të ndodhë për një mijë arsye të cilat ne si shqiptarë i dimë prej shumë e shumë vitesh. Ky ambjent ka provuar se di të jetë një “letërthithëse” e hatashme, ku janë zhdukur me qindra e mijëra zullume të të gjitha madhësive. Rrëzimi i kësaj klisheje do të jetë sfida më e madhe e Edi Ramës në betejën kundër korrupsionit.

Kryeministri ka përdorur retorikë të fortë ndaj shkeljes së ligjit dhe në të shkuarën, por pak kemi parë të bëhet. Na tha se nuk e la të veprojë drejtësia e korruptuar. Të shohim nëse gjatë këtyre katër viteve të ardhshme qelitë e burgjeve do të shohin ndonjë drejtor hipoteke, tatimesh, ujësjellësash, spitalesh apo shkollash. Qoftë larg edhe ndonjë “peshk të madh”, siç kanë qejf të thonë këto kohë në Bruksel dhe Uashington. Sepse koshi i mbeturinave bosh, tregon që shtëpia nuk është pastruar ende…

6 komente në “Nuk ka pastrim me koshin e plehrave bosh”

  1. Tironsi says:

    Shume sakte!!
    Fjalet e tjera do ishin humbje kohe.
    Edi Rama i ka ezuruar te gjithe mundesite per faqe interneti, portale, denoncime nga qytetaret, etj, etj..
    Tani eshte radha te provoje Ai se te gjitha keto nuk do te shkojne kot, si deri tani kane shkuar…

  2. Mondi says:

    Te lumte mendja dhe dora qe qe ke shkruar kete koment pas asaj mbledhje te Rames.Lus te mos deshtoje kesaj rradhe Rama sic deshtoj me3 portalin genonco korrupsionin dhe qe eshte denoncuar nga mijra qyterate sipas problemeve te tyre te jetes perditshme per cdo fushe qe ata kane kerkuar te zbatohet ligji dhe se jane demtyar rende nga pushtetare dhe nenpunsish te cdo kategorije .Ne ate portal te deshtuar te qeverise kaluar nuk jane dhene pergjigje per ate qe eshte denoncuar ,jo me te jepeshin per zgjidhjen apo mos zgjidhjen e denoncimit per shkakun dhe arsyen pse nuk eshte zgjidhur ankesa.!!!

  3. Selfo Qorri says:

    Skender, keshtu eshte. Por ti beson akoma te Rama? Retorikat e tij jane boshe dhe keshtu do jene, gjersa koshi mbeturinave mund te kete vetem ndonje therime. Shkrimet tuaja lexohen me kenaqesi.

  4. spartaku says:

    Te gjithe duam qe Edi Rama te punoi dhe te realizoi ato plane e masterpalne.E verteta eshte se Edi Rama me qeverine e tij ka punuar dhe po punon mire,ka vizion shume te mire per te ardhemen,por ai ndeshte me nje OPOZITE TE KEQE,qe nu kane as din e as iman.Deputetet e pd-ke gjithmon do t’i vene trungje nen rrota dhe do ta pengojne me çdo kushte.Ata kerkojne t’a rrezojne qe sot,por e kane gabim,nuk e rrezojne dote,se ate e mbashtet populli qe e ka votuar,dhe bota,amerika dhe Brukseli.Pra,ne kerkojme shume nga Edi Rama,por kini parasysh qe Berisha,Basha,e kompani,jane bere bisha te egra,qe duan ta hane te gjall Kryeministrin.E them kete qe edhe keto duhen patur parasysh,megjithese Rama do shikoi punen e qeverise,qent le te lehin.Artikulli i zotit Minxhozi eshte per t’u pershendetur.

  5. Ali Pasha says:

    Ngele duke lepire bythen e Rames o Skender. Ti mendon se kanabizimi i Shqiperisa mandatin e kaluar u realizua pa udhezimet dhe porosi te Rames??!! Nuk besoj se je aq naiv z. Minxhozi. Cdo bime e mbjelle kish bekimin e kryeministrit. Sepse perpara ishin zgjedhjet.

  6. Andromeda says:

    Nuke di si shkon puna nëpër zyrat e punësimit që i hapi Edi me bujë të madhe por mua më duket se rhetorika e tij mbetet një aksion i lënë rrugës. Kujroni dhe zhurmën që bëri ky për heqjen e lojrave të fatit e që s’u hoqën, përkundër janë shtuar e lulëzuar kudo. Reforma në dr jtësi thuajse nuk përmendet më.
    Pra words, words, words.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X