Ringritja e Lulzim Bashës

Nga Luljeta Progni 

 Pas humbjes së zgjedhjeve dhe luftës brenda partisë, kreu i PD dukej me fat të përcaktuar, por në dy javët e fundit kauzat kundër krimit, reforma zgjedhore, përballja me Ramën në Kuvend dhe sinkronizimi me Donald Lu kanë rindezur shpresat e opozitës

Të nesërmen e zgjedhjeve të 25 qershorit Edi Rama dukej politikisht më i fortë se kurrë.Dy muajt e mbetur të verës kaluan me këtë ide ndonëse boshllëku i pakuptimtë i qeverisjes në korrik dhe gusht krijuan disa dyshime rreth akteve për bashkëqeverisje me popullin dhe mungesën e ideve të mëdha zhvilluese.

Në shtator edhe pse renditi “kabinetin e ri” qeveritar me bujën e zakonshme të prezantimit të ekipit siç e quan ai, nuk ngjalli optimizëm te shqiptarët, të tillë sa që t’i bënte të besonin se ai do të ndryshojë Shqipërinë, siç ka premtuar kur kërkoi “timonin i vetëm”. Deri tani ka vetëm propagandë dhe premtime për bashkëqeverisje me qytetarët në kuptimin konkret të fjalës. Sot, me skandalin e Elbasanit, ngjarjen e Vlorës dhe deklaratat e ambasadorit amerikan, qeveria së jashtmi ngjan sikur është në fund të mandatit dhe jo sikur sapo ka ardhur.

Përballë Ramës është Lulzim Basha në krye të opozitës me grupin e tij të vogël parlamentar, që ende vazhdon të shënjestrohet nga media dhe kundërshtarët e tij për dështimet e aksionit opozitar të katër viteve që shkuan dhe humbjen e 25 qershorit, e pafalshme për demokratët. Por nisja e Parlamentit përjashto rrjedhjen e votave nga grupi i PD për Gramoz Ruçin dhe sidomos dy daljet e ambasadorit amerikan kanë bërë që opinioni të rikthejë sytë nga opozita dhe Lulzim Basha. Betejat e tij kundër krimit dhe për reformën zgjedhore janë dy kauza që nuk kanë se si të mos përkrahen.

Gjithsesi tabloja e mësipërme është vetëm një vështrim nga jashtë i qeverisë dhe opozitës, aq më shumë që palët janë ende në startin e ri të sezonit politik.

Numerikisht Rama është në majën më të lartë të akumulimit të pushtetit, ndërsa Bashës përveç kundërshtarit natyral politik i duhet të zgjidhë edhe çështjen e bashkimit të demokratëve për të mos pësuar firo të tjera.

Por opozita në politikë nuk është një koncept i ngurtë e dhënë një herë e përgjithmonë.

Udhëtime të pabesueshme politike kanë bërë më parë si Berisha, ashtu edhe Rama. Ishte PD-ja e Sali Berishës e vitit 2001, e cila dukej sikur kurrë nuk do të vinte në pushtet. Shumë e ngjashme është edhe PD-ja e Bashës pas 25 qershorit.Por ndodhi që Berisha erdhi në pushtet në korrik të vitit 2005 dhe qëndroi në qeverisje për tetë vite me radhë.

Një situatë të ngjashme ka përjetuar edhe Edi Rama kur ishte në opozitë dhe pas zgjedhjeve të 2009, dukej se pushteti ishte krejt i pamundur për ta, jo vetëm për kalimin e LSI në bashkëqeverisje me PD. Sigurisht shifrat nuk janë njësoj sepse grupi parlamentar i PS-së së asaj kohe ishte më i madh në numër se ky i PD-së së Lulzim Bashës, por opozita e asaj kohe dukej sikur shkonte nga dështimi në dështim e se pushteti veçse i largohej.

Nëpër intervistat tona është nënvizuar shpesh shprehja: “Rama nuk është politikan dhe nuk e sjell dot PS-në në pushtet”, “Rama nuk di ta drejtojë opozitën… është piktor nuk është politikan, është menaxher, por jo politikan…” etj. Janë shprehje të përdorura nga analistë e ish-bashkëpunëtorë të Ramës.Por ndodhi që vetëm katër vite më vonë, Rama e PS-ja e tij erdhën në pushtet.Liderët kanë uljet dhe ngritjet e tyre, dikush me një kurbë të përthyer e dikush më të rregullt, por secili kalon nëpër betejat e tij, me dështimet e sukseset e tij.

Ulje-ngritjet e Lulzim Bashës

 

Mëngjesin e 26 korrikut, Lulzim Basha u duk se humbi përfundimisht çdo mundësi për të “gjalluar” në politikë. Kishte ardhur në atë ditë, pas një beteje të fortë nga çadra ku u duk për së pari si lider politik. Nënshkroi një marrëveshje me Edi Ramën dhe pastaj erdhi dita e “gjyqit”, humbja e thellë e zgjedhjeve të 25 qershorit dhe më keq akoma, humbja e elektoratit të PD-së, sepse munguan votat e rreth 200 mijë demokratëve. U duk se ishte një refuzim për Lulzim Bashën, jo vetëm nga vota popullore por edhe nga ajo e vetë demokratëve. Më keq se kaq Basha nuk kishte parë deri atëherë.Por ai nuk e dha dorëheqjen. U tërhoq, duke u “vetëngrirë”, një fjalë e re e fjalorit politik për shumë demokratë, por u mundua ta etiketonte më tepër si njohje e përgjegjësive për humbjen në zgjedhje. E konfirmon edhe sot përgjegjësinë e tij për humbjen, por ka edhe justifikimin që sipas tij, rrjedh prej marrëveshjes së shkelur nga ana e kryeministrit Rama:

“Përgjegjësia kryesore për rezultatin e zgjedhjeve natyrisht i takon kryetarit, më takon mua. Unë e kam bërë këtë proces analizë, sepse nuk mund t’i ikja, edhe gjatë procesit të zgjedhjes për Kryetar të PD. E kam bërë fare të qartë që nëse dikush duhet të analizohej gjatë atij procesi isha unë dhe përgjegjësitë e mia si kryetar. Për pjesën që i takon PD, pra për pjesën objektive brenda nesh, se mos harroni që ne dolëm nga një luftë.

I themi zgjedhje, por ishin luftë, me krimin e organizuar të lidhur në aleancë me kundërshtarin politik. Pra, ka dhe një faktor objektiv, por për sa i përket faktorit të brendshëm, padyshim që përgjegjësia kryesore është e kryetarit, është e imja”, –tha Basha, dy ditë më parë në Top Story. 

Lufta e fituar me kundërshtarët

Pavarësisht përgjegjësive për humbjen, Basha u rikthye në krye të PD-së më 22 korrik, i votuar nga elektorati demokrat.Procesi ndodhi përmes zhurmës që shkaktuan kundërshtarët e tij në PD dhe nuk ishin pak, por shumica e anëtarëve të forumeve drejtuese të PD-së që Basha i la jashtë listës së kandidatëve për deputetë. Betejat e kundërshtarëve dështuan për së pari, sepse Basha nuk u largua nga karrigia e kryetarit dhe në atë pozicion pati më të lehtë finalen, rikthimin “i shkrirë” në karrigen e kryetarit.

Së dyti, kundërshtarët e Bashës nuk mundën të organizohen për t’u përballur me të.Nuk pati asnjë kandidat në garë përballë tij më 22 korrik.Ata u justifikuan me rregullat e padrejta të garës, por është fakt se ata nuk hynë në garë dhe qysh këtu duket se humbën përfundimisht luftën me Lulzim Bashën.Arsyeja tjetër ka të bëjë me mosangazhimin e tyre në fushatë, gjë që ata e argumentojnë me mosthirrjen në zgjedhje nga strukturat e PD.

Duket sikur kundërshtarët po riorganizohen, por ka pak gjasa që ata të kthehen në një telash për Bashën.Jashtë parlamentit, ndoshta së shpejti edhe jashtë forumeve të PD-së, ata e kanë të pamundur të hyjnë në beteja të reja me Lulzim Bashën.

Vota për Gramoz Ruçin

Opozita e Lulzim Bashës do të merrte një goditje të fortë në zgjedhjen e kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi, i cili mori vota demokrate dhe u legjitimua si kryetar kuvendi jo vetëm me votat e socialistëve. Përveç kësaj, performanca e të zgjedhurve të Bashës për të zënë vendet në kuvendin e Shqipërisë, ishte një tjetër moment kur ai u zu ngushtë. Të rinjtë e grupit parlamentar të PD-së nuk i mundën dot emocionet në fjalimet e para duke i dhënë shkak për “spektakël” përmes të qeshurave “ustallarëve dhe ustalleshave” të PS-së. Jashtë sallës, padyshim qeshën shumë edhe kundërshtarët e Bashës, për të cilët deputetja e socialistëve Ermonela Felaj, tha se: “Duhet të jenë duke shkulur flokët tani që po shohin deputetët e rinj të PD-së duke folur në parlament”. Nisja u duk kështu, kaq katastrofike për grupin e vogël të deputetëve të Lulzim Bashës.

Zot i foltores

Siç ndodh zakonisht në politikë ku lajmi konsumohet në më pak se tri orë, gjithçka u harrua.Erdhi dita kur Lulzim Basha u shfaq si zot i opozitës në foltoren e kuvendit. Të enjten që shkoi, Basha vulosi aty vendin e tij të parë në foltore, vend që ishte “privatizuar” nga Berisha në mandatin e shkuar. Me stilin e Berishës, Basha e dha spektaklin e parë në parlament këtë të enjte, kur bllokoi foltoren e nuk lejoi vazhdimin e seancës parlamentare sepse kërkonte debat për reformën zgjedhore, pikërisht atë ditë të enjte e asnjë minutë më vonë.

Basha e fitoi betejën me Ruçin, ndoshta edhe pse Ruçi “u dorëzua”, duke e argumentuar me faktin se nuk e dëshironte masën e parë disiplinore për një “deputet rishtar si Lulzim Basha”. Megjithatë është fakt që Basha e diktoi agjendën politike të asaj dite.

Por jo vetëm kaq. Basha dhe opozita, prej disa javësh e kanë diktuar agjendën politike duke detyruar mazhorancën t’u përgjigjet debateve për çështjet kryesore, që janë kauza të opozitës por që kanë qenë edhe premtime kryesore të Edi Ramës.

Duket sikur janë në zgrip, por as qeverisja e Edi Ramës nuk shkëlqen.Përkundrazi, Edi Rama nuk po jep shenja se po qeveris.Arritja më e madhe që ai ka realizuar këto javë të nisjes së stinës së re politike, është një marrëveshje e nënshkruar midis qeverisë dhe grupit parlamentar të PS-së.Një marrëveshje në vetvete krejt pa sens, sepse qeveria rrjedh prej atij grupi parlamentar.

Nga ana tjetër, Rama vazhdon ende me rrëmujën e emërimeve e çemërimeve duke shkaktuar një kaos në administratën publike.Praktikisht këto kohë asgjë nuk funksionon, sepse asnjë punonjës i administratës publike nuk e ka të qartë të ardhmen dhe gjëja e fundit që i shkon në mendje të bëjë, është t’i shërbejë qytetarit.Duket sikur radarët e qeverisë janë fikur për shumë probleme.

Katër vitet që shkuan nën drejtimin e qeverisë nga Rama, krimi mbeti problematik, ndërsa hyrja në parlament e personave të dyshuar për të kaluar kriminale u bë një gjë e zakonshme. Premtimet janë përsëritur, por ato duket sikur do të mbeten veçse premtime. E faktoi edhe ngjarja e Elbasanit e pak ditëve më parë kur disa oficerë policie të armatosur me armë dhe forcën që iu jep ligji, nuk guxuan as t’i afrohen personit të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale.

Në këtë situatë apatike të qeverisë Rama, është kthyer retorika për luftën kundër krimit dhe drogës.Po ashtu dekriminalizimi dhe reforma zgjedhore janë debatet që po sundojnë aktualisht arenën politike.Këto janë çështje të agjendës së opozitës së Lulzim Bashës dhe padyshim është një pikë e rëndësishme për ringritjen e tij dhe të opozitës. 

 

 

Në sinkron me ambasadorin Lu

 

Ka të përbashkëta në qëndrimet dhe retorikën e kryetarit të opozitës me atë të ambasadorit amerikan Donald Lu. Duket sikur ky i fundit e ka ndryshuar dukshëm kursin e tij, pasi është përqendruar si asnjëherë tek akuzat për nivelin e krimit dhe drogës në Shqipëri. Ai foli qartë, e thuajse si opozita, kur deklaroi se katër klane mafioze të drejtuara nga 20 familje, sundojnë Shqipërinë përmes krimit, korrupsionit e trafikut të drogës.

“Lufta kundër krimit të organizuar; derisa peshqit e mëdhenj të futen në burg kanabisi do kthehet sërish. Katër klane kryesore drejtojnë 20 familje kriminale shqiptare që dominojnë aktivitetet kriminale.Emiljano Shullazi është një nga këta grupe kriminale.

Lulzim Berisha, i cili u lirua gabimisht.Klement Balili i shpëtoi drejtësisë për 18 muaj.Ka shumë Shullazë, Lul Berisha e Klement Balilë në Shqipëri”, -tha ambasadori amerikan pak ditë më parë. Është një deklaratë e qartë që i adresohet jo vetëm sistemit të drejtësisë, ku Rama gjen “shfajësim” për degradimin e shtetit, por edhe policisë që varet nga vetë Rama. Deklarata është tërësisht e qartë dhe duket se i drejtohet më së shumti mazhorancës se sa opozitës. Janë akuza që Basha e opozita i kanë bërë publike me mijëra herë, para dhe pas fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit.

Ne nuk e dimë, a ka një koordinim në qëndrimet e Bashës me Lu, por dimë që ata janë takuar së paku dy herë këto ditë dhe nuk është fjala për takime rutinë, por për dreka të gjata.

Basha e ambasadori Lu drekuan bashkë më 12 shtator, fill pasi kreu i opozitës mbajti fjalimin e parë në parlament, sepse atë ditë ishte seanca e parë. Mediat thanë se i kishte bashkuar në atë drekë edhe një detaj me rëndësi siç ishte zgjedhja e Gramoz Ruçit kryetar i Kuvendit. Ambasadori Lu e shprehu hapur pakënaqësinë për zgjedhjen e tij, kur hoqi kufjet në momentin që Ruçi mbajti fjalimin e parë si kryetar parlamenti.

Sfidat janë përpara

 

Edhe pse duket sikur po ringrihet, Lulzim Basha i ka betejat përpara. Opozita do të përballet me shumë sfida gjatë këtij mandati katërvjeçar në opozitë. Riorganizimi i brendshëm është e para dhe më kryesorja.Ringritja dhe kthimi në funksionim i strukturave të PD-së është thelbësore për një opozitë të fortë përballë kësaj mazhorance.

Pas fazës së riorganizimit të strukturave, do të jenë betejat në parlament dhe përballjet me mazhorancën, ato që do ta përcaktojnë suksesin ose dështimin e kësaj opozite të Lulzim Bashës. Reforma zgjedhore është një ndër sfidat kryesore ku dhe përqendrohen premtimet e kryetarit Lulzim Basha. Votimi dhe numërimi elektronik do të ishin hapa shumë të rëndësishëm, që ndikojnë rrugëtimin e opozitës, pa harruar ndoshta më të rëndësishmen, luftën kundër krimit dhe lidhjeve të tij me politikën.

 

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Ringritja e Lulzim Bashës”

  1. Boston says:

    Ta gezosh Lulushin…Artikull me furce ne dore per kryetarin fallco. Dava bejtejxhinj qe nuk mbarojne kure.

  2. Termal says:

    Luljeta ,e sigurove dhe ti nje vend ne parlamentin e ardhshem.Sa per Lulin ,edhe une keshtu si ty mendoj “ja vlen te ngrihet” .E ka treguar me vepra se sa i zoti eshte ,pershembull qe shkoi e u perball me drejtesine burrerisht e ndershmerisht per punen e Rruges se Kombit,per Marreveshjen (antikushtetuese) te detit me Greqine, per 21 janarin e tj.Jepi vajze ,jepi .Ata qe Saliu i hoqi nga PD me firmen e Lulkes se tij duhen zevendesuar .Pse mos e besh ti kete pune po t’ja u lesh te tjereve ? Ti nuk je budalla apo jo?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *