Ballkani kthen sytë nga gjuha gjermane, urë bashkëpunimi dhe lidhjesh njerëzore

8 Tetor 2017, 10:44Bota TEMA

Gjuha gjermane – urë bashkëpunimi dhe lidhjesh njerëzore në Ballkanin Perëndimor. Përfundoi në Tiranë punimet konferenca e parë rajonale e mësuesve të gjermanishtes.

250 mësues të gjuhës gjermane nga Serbia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia morën pjesë në konferencën e parë rajonale dyditore ( 6-7 tetor 2017) organizuar nga Qendra Goethe në Tiranë. Njohje direkte mes kolegësh, shkëmbim përvojash, bashkëpunim për t’u përballur me sfidat e kohës. Si kurrë më parë, në të 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, ka një rritje të jashtëzakonshme interesi për gjuhën dhe kulturën gjermane.

Vetëm gjatë vitit të kaluar Qendrën Goethe në Tiranë e kanë vizituar më shumë se 4000 vetë ose 22%  më shumë se një vit më parë, duke përshirë edhe hapjen për  herë të parë të 3 kurseve për fëmijë. E njëta gjë ndodh edhe në 4 vendet e tjera të Ballkanit  Perëndimor. Konferenca synoi që mësimdhënia e gjermanishtes t’i përgjigjet sa më mirë kësaj kërkese në rritje. Ajo u përqëndrua në 4 tema kryesore: të mësuarit e gjuhës gjermane nga fëmijët në moshë të vogël; adoleshentët, nga 15-18 vjeҫ; gjermanishtja në universitet dhe për profesionistë të ndryshëm. Çështja e fundit është se si mësim-dhënia e gjuhës gjermane duhet t’i përshtatet epokës dixhitale që po jetojmë në didaktikë dhe elementë të tjerë..

Gjuha gjermane- Specifikat në Ballkanin Perëndimor

Dr. Mattias Makowski, Drejtor i Institutit Goethe për Europën Jug- Lindore, me qendër në Athinë, pjesëmarrës në konferencë thotë për DW se ka një situatë specifike në vendet e rajonit dhe të veҫantë në krahasim me rajone të tjera të botës lidhur me interesin për gjuhën dhe kulturën gjermane.

“Rëndësia e gjuhës gjermane në vendet e Ballkanit Perëndimor është shumë më e lartë sesa në vende dhe zona të tjera të botës. Kjo për shkak të mundësive të krijuara në legjislacionin gjerman për të studiuar, punuar dhe jetuar legalisht në Gjermani. Në konferencë diskutuam për migracionin. Shumë njerëz nga Ballani Perëndimor dëshërojnë që të emigrojnë në Gjermani për shkak të situatës së tyre të vështirë social-ekonomike, pra jo se nuk e duan vendin e tyre, por është ekonomia që i detyron ta lënë atë.”

Sipas Dr. Makowski Qendra Goethe synon që të bashkëpunojë në nivel rajonal për të patur nivel të lartë të mësim-dhënies, por të treinimit të mësuesve. “Qendra Goethe në Tiranë është një histori suksesi dhe është një ide e mirë që konferenca e parë rajonale e mësuesve të gjermanishtes u zhvillua në Shqipëri për të vijuar me pas në kryeqytetet e vendeve të tjera të rajonit “ thotë për DW , Dr. Mattias Makowski.

Gjuha gjermane – ura bashkëpunimi në rajon në kohë paqeje

Petra Behlke-Campos, drejtore e Qendrës Goethe në Tiranë, organizatore e konferencës, thotë për DW se konferenca kontribuoi për të hedhur bazat e bashkëpunimit dhe sinergjisë të qëndrave dhe Institutit Goethe në rajon nga njëra anë, dhe mësuesve të gjermanishtes që japin mësim në këto qendra nga ana tjetër. “Ka shumë mundësira për shkëmbim të ideve për metodologjinë e mësim-dhënies, didaktikën, treinimin e mësuesve. Mendoj se kjo konferencë hodhi bazat e dialogut mes mësuesve të gjuhës gjermane nga Serbia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Të bashkosh njerëzit për të dialoguar dhe njohur njëri-tjetrin , padyshim i shërben paqes në një rajon që sot është në paqe. Dhe kjo është shumë e rëndësishme”, thekson Petra Behlke – Campos.

Sinergji, përdorim asetesh në nivel rajonal

Kërkesa gjithnjë në rritje nga fëmijë, rini dhe profesionistë për të mësuar gjuhën gjermane bën të  domosdoshme rritjen e numrit të mësuesve, kapaciteteve infrastrukturore të Institutit dhe qendrave Gőte në rajon. Por krahas kësaj vlerë merr edhe përdorimi me mencuri i aseteve ekzistuese. Sulochana Siegler, përgjegjëse për kurset e gjuhës gjermane në Institutin Goethe për Europën Jug- Lindore, me qendër në Athinë thotë për DW: “Synojmë të krijojmë sinergji, të përdorim asetet e të gjithë partnerëve, Institutit dhe qendrave Goethe në rajon, t’i sjellim së bashku. Shumë e rëndësishme është cilësia e mësim-dhënies, përmirësimi i saj i vazhdueshëm dhe siguria që do të jetë gjithmonë në nivel të lartë. Këtë do  ta arrijmë nëse qëndrojmë të lidhur me njëri-tjetrin. Ideja është të zhvillojmë seminare dhe workshops jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për 2-3 vende të tjera të rajonit. Vlera e madhe e kësaj konference është që kemi bërë bashkë shumë njerëz. Shpresojmë që kontaktet personale do të japin frytet e tyre”, thekson Sulochana Siegler.

Gjuha gjermane –  përtej mundësive të punësimit dhe jetës në Gjermani

Bashkëpunimi rajonal përmes të mësuarit të gjuhës gjermane është një përpjekje tjetër krahas asaj të Procesit të Berlinit, të inicuar në verën e vitit 2014 nga kancelarja Merkel për të afruar rajonin, rritur bashkëpunimin dhe kontaktet njerëzore, garantuar paqen dhe stabilitetin, përshpejtuar ritmet e procesit të afrimit me BE. Por ka edhe një këndvështrim tjetër:  Konferenca rajonale dyditore në Tiranë e mësuesve të gjuhës gjermane shpalos rëndësine e saj edhe në aspektin e dijes njerëzore.

Dr. Mattias Makowski, përmend teologun dhe filozofin e njohur ҫek të shek. 17-të, Jan Amos Kominius: “Të mësosh një gjuhë të huaj nuk vlen vetëm për situata të veҫanta emigrimi si kjo e  tanishmja në Ballkanin Perëndimor. Jan Amos Kominius thoshte se “ҫdo gjuhë që mësoj më bën të njoh një botë të re”. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për edukimin individual, marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore në rritje mes Gjermanisë dhe Shqipërisë” thotë Mattias Makowski.(DW)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje