Shkaqet e gropës një miliardëshe të Shqipërisë

11 Tetor 2017, 13:59Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Ditët e fundit, Kryeministri Rama ka premtuar për një reformim të të gjithë fiskut shqiptar, me synimin që të pakësohet evazioni fiskal dhe të rritet eficienca e fiskut. Në fakt, vjet, në Thesarin e Shtetit shqiptar, të ardhurat ishin sa 27.5% e vlerës së të gjithë mallrave dhe shërbimeve të realizuara në vend – një rekord historik ky, në vitet e demokracisë (gjatë çerekshekullit të fundit, kjo përqindje është luhatur në intervalin 24%-27.5%).

Sidoqoftë, pak më në veri të Shqipërisë, në Malin e Zi, të ardhurat në Thesarin e Shtetit ishin vjet, sa 36.5% e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Në qoftë se edhe ne do të kishim rendimentin malazez në vjeljen e të ardhurave buxhetore, në Thesarin e Shtetit tonë, do të ishin futur vjet, plot 1 miliard dollarë më shumë, seç u futën faktikisht.

Për krahasim, sa ç’mund të futeshin më tepër në Thesarin e Shtetit tonë, vetëm në një vit, do të investohen në katër vitet e ardhshme nga bizneset private për punë publike, në kuadrin e programit “1 miliard” (këto pará, publiku shqiptar do t’ua rikthejë privatëve në të ardhmen).

Por le t’i kthehemi krahasimit të të ardhurave buxhetore të 2016-ës, në Shqipëri dhe në Mal të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga TVSH-ja, si përqindje e PBB-së: 9% – Shqipëria, krahasuar me 12.5% të Malit të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga taksa e sigurimeve shoqërore/shëndetësore, si përqindje e PBB-së: 5% – Shqipëria, krahasuar me 11% të Malit të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga akcizat, si përqindje e PBB-së: 3% – Shqipëria, krahasuar me 4.9% të Malit të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga taksat nacionale, si përqindje e PBB-së: 2.3% – Shqipëria, krahasuar me 1% të Malit të Zi.

Arkëtimet në buxhet nga tatimi mbi fitimin, si përqindje e PBB-së: 1.5% – Shqipëria, krahasuar me 2% të Malit të  Zi.

Arkëtimet në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale, si përqindje e PBB-së: 2.1% – Shqipëria, krahasuar me 3% të Malit të Zi.

Siç shihet qartë nga shifrat e mësipërme, shteti malazez vjel pothuaj për çdo lloj takse, një përqindje më të lartë të PBB-së, sesa shteti shqiptar. Dhe vlera e PBB-së për frymë, është shumë e afërt për të dyja vendet, ndërkohë që edhe struktura e ekonomisë është e ngjashme (raporti shërbime-industri-bujqësi, është shumë i ngjashëm në krijimin e PBB-së).

Në fakt, me fqinjin tonë verior, kemi të ngjashme shumë gjëra – gjeografinë, historinë, kulturën, ekonominë, sistemin fiskal dhe politikën. Madje, sipas Transaparency International, edhe nivelin e korrupsionit e kemi të ngjashëm…

Atëherë, përse ne kemi rendiment më të ulët se Mali i Zi, në vjeljen e të ardhurave?

Përfshirja e bizneseve (të mëdha e të vogla), në sistemin fiskal në Mal të Zi, ia bën më të vështirë evazionit fiskal gjetjen e kapilarëve ku mund të qarkullojë. Vetëm ambulantët dhe zejtarët e vegjël (si këpucëndreqësit, orëndreqësit etj.), përjashtohen nga sistemi tatimor. Ndërkohë, bizneset e tjera të vogla, ndihmohen me skema subvencioni, që nxisin raportimin sa më të saktë të xhiros. Ndërsa në Shqipëri, deri më sot, kemi një skemë taksimi, ku bizneset janë të interesuara të raportojnë xhiro vjetore, jo më të madhe se 50 milionë lekë të vjetra…

Kur shteti mbledh më shumë të ardhura, është në gjendje të shpenzojë më shumë

Fakti që shteti malazez mbledh më shumë të ardhura, si përqindje e PBB-së, i jep mundësinë atij që edhe të shpenzojë më shumë për paga, pensione, investime publike dhe meremetime e mirëmbajtje. Por përveç faktit që mbledh më shumë të ardhura, shteti malazez shpenzon edhe më pak për interesat e borxheve të akumuluara ndër vite (vetëm 2% të PBB-së, krahasuar me 3% të PBB-së që shpenzon shteti shqiptar).

Kështu, Mali i Zi shpenzon për pagat e punonjësve publikë, 8% të PBB-së, ndërsa Shqipëria vetëm 5%. Për pensionet, Mali i Zi shpenzon 9.5% të PBB-së, ndërsa Shqipëria vetëm 7%. Ndërkaq, në investimet publike diferenca është edhe më e madhe: 10.5% e PBB-së në Mal të Zi, krahasuar me vetëm 5% të PBB-së në Shqipëri.

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

5 komente në “Shkaqet e gropës një miliardëshe të Shqipërisë”

  1. experti says:

    si mund te krahasohet Shqiperia me Malin e Zi, kur GDP e Shqiperise eshte 11.93 bln $ kurse e Malit te Zi 4.17 bln $???
    Pra, 27.5% e Shqiperise eshte nominalisht 3.28 bln$ ndersa e njejta perqindje e Malit te Zi eshte 1.14 bln $ ???
    Pavaresisht %, ne vlera reale Shqiperia mbledh 2.13 bln $ me teper se Mali i Zi (ose me perqindje sic te pelqen +276% me teper)!!!!

    Keshtu eshte kur beni politike nga sallonet e bukurise!!!

    1. Rezi says:

      O eksperti, nuk flitet per ekonomine ne terma absolut si ben ti por relativ. Mali i zi eshte i teri dhe i beri 600.000 fryme. Nga nje llogari e thjeshte, PBB per fryme e ka me te larte se neve. Po ça rendesi ka, ky nuk eshte thelbi. Thelbi eshte qe ata mbledhin me shume ne % se mbeldhim neve. Prandaj felet me % zotria dhe jo shifra absolute. Analiza eshte e thejshte por kuptimplote dhe ne mbeshtetje te futjes se TVSH per biznesin e vogel.

  2. Mentari says:

    Ore akoma nuk e kupton se GDP e shqiperise eshte paraja e Emigracionit???????? dhe Turizmi I Emigracionit? qe ne 4 vitet e fundit anje turist apo para Emigracioni nuk do te vij ne shqiperi derisa PS te largohet nga Qeveria shqiptare.Kosova e ka braktiur dhe do ta e braktii ate Turizem por edhe Shqiptaret Europiane kane per ta braktisur derisa shqiperia te behet shtet ose te shkoj ne te sames.

  3. EZ says:

    Per aq kohe sa taksat e qytetareve keqmenaxhohen nga shteti normale qe do mundohem sa me shume, qe te paguaj sa me pak.

  4. Tema says:

    Kujdesni shpenzimet dhe firmosjet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje