Basha nxjerr nga “sirtari” planin ekonomik të fushatës: Nga nesër tur takimesh me biznesin e vogël

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kryetari i PD-së Lulzim Basha zhvilloi një konferencë për median me gazetarët ku u shpreh kundër përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH-së.

Kryedemokrati nxorri edhe njëherë në pah planin ekonomik që prezantoi gjatë fushatës së fundit elektorale.

Shteti nuk do të përfitojë asgjë, pasi mbi 90 % e TVSh vjen nga biznesi i madh, 8 % nga biznesi i mesë dhe 2 % nga i vogli.  Nuk ja vlen barra qeranë as për shtetin. Do kenë punonjës shtesë të administratës” u shpreh ai.

Basha foli dhe për një tur që do të ndërmarrë.

“Nga nesër tur takimesh me biznesin e vogël dhe qytetarët për ti pyetur për qëndrimet e tyre‘ tha Basha.

Pyetje: Pse kërkoni që t’i publikojnë ndërkombëtarët. I keni ju emrat e familjeve që thoni? Pse prisni që ti thonë ndërkombëtarët?

Basha: Natyrisht që po. Jo, nuk po presim. Ta sqarojmë diçka. Nuk presim, unë mirëpres faktin që faktori ndërkombëtar ndonëse me vonesë, më në fund po tregon atë që ne kemi thënë 4 vite me radhë, ditë për ditë, e gjitha protesta 90 ditore në çadrën e lirisë këtë kishte temë, zgjedhjet do të shkatërrohen nga krimi. Besoj se këtë e mbani mend. Me emra dhe me mbiemra i kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë t’i denoncojmë.

Ajo që po deklaroj sot është, e para që më në fund edhe nga faktori ndërkombëtar ka një ndërgjegjësim dhe një shpallje të faktit botërisht të njohur se në Shqipëri, nuk bëhet fjalë thjesht për krim të organizuar, por bëhet fjalë për mafie, që do të thotë për një nivel më të lartë të krimit të organizuar, bashkëpunim i krimit të organizuar me politikën, ku secili merr atë që synon. Politika merr mbështetje, siç ka marrë në zgjedhjet e 25 qershorit për të marrë vota, për të dhunuar vullnetin, krimi merr mbështetje për aktivitetin e tij fitimprurës me shuma marramendëse, siç është trafiku i drogës.

Sa herë që bëjnë një zullum edhe atje në vendet europiane, e kanë gati rifuxhon në Shqipëri, këtu nuk i prek njeri. Përkundrazi, këtu mund të bëhen biznesmenë, mund të bëhen edhe deputetë, mund të bëhen drejtorë të mëdhenj. Kjo është shkalla më e lartë e krimit të organizuar, kjo është mafia. Pra, duke folur për 20 familje mafioze, 4 klane mafioze, më në fund është pranuar fakti që në Shqipëri nuk kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me familje mafioze, por kemi të bëjmë me një bashkëpunim në nivele më të larta të politikës, që janë nivelet qeveritare.

Dhe ftesa ime, duke e mirëpritur këtë konstatim që ka qenë konstatimi ynë ditë për ditë tash 4 vjet, është që njësoj si opozita edhe faktori ndërkombëtar, edhe media që është nën presion të jashtëzakonshëm, sepse kjo është një situatë shumë e vështirë për ju, të nisim dhe të denoncojmë jo thjesht dhe vetëm familjet mafioze dhe klanet mafioze, por edhe politikanët që përfitojnë prej tyre. Me emra.

Në këndvështrimin tonë, strumbullari është kryeministri i cili ka përdorur të gjitha këto klane dhe familje mafioze duke deleguar pranë secilit prej tyre emisarët më të lartë politikë të Partisë Socialiste në zgjedhejt e 25 qershorit. Dhe për këto, ne kemi folur dhe do të vazhdojmë të flasim me fakte konkrete. Natyrisht ne nuk jemi prokuroria, por faktet që disponojmë nga burimet tona, nga denoncimet e qytetarëve që janë 5-fishuar javën e kaluar, javën që lëmë pas, dhe natyrisht sipas rastit në bashkëpunim me partnerët tanë.

Pyetje: A ka opozita mosbesim ndaj institucioneve shqiptare, Policisë dhe Prokurorisë, gjykatat? Pse opozita nuk dorëzon fakte në Prokurori?

Basha: Asnjë nga faktet që ne disponojmë nuk janë fakte unike. Pra, nuk është se ne kemi gjetur një provë balistike, e kemi marrë dhe e mbajmë ne. Sepse në fakt kjo do të ishte vepër penale. Këto janë fakte publikisht të njohura. Dhe fakti që ne i bëjmë publike do të thotë që po kështu, lehtësisht të përdorshme edhe nga institucionet e zbatimit të ligjit. Nuk ka nevojë as prokuroria, as policia që të shkojmë ti çojmë ne fakte atje. Se nuk është se gjetëm ne armën e krimit e s’po ua çojmë që të bëjë provën balistike. Këto janë fakte botërisht të njohura, kështu që në kuptimin formal, formalisht nuk ka asnjë pengesë as prokuroria, as policia që të gjejë denoncimet që bën opozita dhe të nisë hetimet.

Në fakt, e kanë për detyrë, me ligj. E kanë për detyrë, quhet kryesisht, po të lexoni Kodin Penal, po të lexoni Kodin e Procedurës Penale, thotë: kryesisht. Çfarë do të thotë kryesisht? Latinisht i thonë: “ex-ufficio”- E ka për detyrë. A po e bëjnë? Absolutisht, në masën më të madhe nuk po e bëjnë, edhe kur e marrin në dorë e zvarrisin. Tani këtu kemi një spërdredhje të madhe që ka tash 4 vite që zotëron debatin publik, dhe ata që vuajnë janë shqiptarët.

Spërdredhja është kjo; ndërkohë që Edi Rama ka lidhur fijet me krimin e organizuar dhe e përdor krimin e organizuar, e përdor mafien për interesat politike, thotë fajin e kanë gjyqtarët dhe prokurorët. A ka gjyqtar, prokuror apo polic në Shqipëri që merr guxmin të përballet me krimin e organizuar kur e di se krimi i organizuar ka mbështetjen e drejtpërdrejtë të Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm, të Drejtorit të Përgjithshëm të Polciisë, drejtorit të të Policisë së Qarkut, Shefit të Komisaratit, të Shefit të Krimeve.

A ka gjyqtar, prokuror apo oficerë policie në botë që ta ketë këtë kurajo. Ka disa. Shumica prej tyre sot kujtohen me pllaka përkujtimore, sepse kanë qenë shënjestër e krimit të organizuar. E kemi këtu, në Italinë fqinje rastin e fillimviteve 90’ ku gjyqtarë dhe prokurorë u hodhë në erë nga mafia sepse u futën në hetimin e aferave kriminalo-politike. Çfarë e zgjidhi këtë? Këtë e zgjidhi vetëm një reformë politike, e zgjidhën duart e pastra.

Një pjesë prej jush, ndoshta jeni tepër të rinj për ta kujtuar. Pa reformën e politikës, pa dekriminalizimin e politikës, pa dekriminalizimin e zgjedhjeve nuk ka institucion tjetër, prokurori, gjykatë apo polici t’i bëjë ballë. Sepse aleanca politiko-kriminale, është aleanca më e fuqishme që njeh një shoqëri.

Ndaj shpërbërja e kësaj aleance, goditja e kësaj aleance që nis me goditjen e komponentit politik është rruga e vetme për t’i bërë ballë kësaj.

Edhe këtu nuk po them asgjë të re.

Çdo vend që ka nisur me sfida të tilla, e ka nisur me pastrimin e politikës nga politikanët që bashkëpunonin me mafien.

Pa larguar politikanët që bashkëpunojnë me mafian, nuk mund tI kërkojmë asgjë, as gjyqtarëve, as prokurorëve, as ambasadorëve.

Pyetje: Cila është strategjia që ju keni në raport me forcën tuaj politike por edhe me qeverinë. Duket sikur jeni në opozitë me të gjithë. Do të thotë, krahas qeverisë edhe me një grup jo të vogël brenda forcës suaj politike. Keni një strategji konkrete për bashkimin e PD-së në një front opozitar me qeverinë për të bashkuar edhe një grup jo të papërfillshëm brenda forcës suaj politike që ka bërë një kërkesë konkrete ndaj jush. Pyetja e dytë. A keni pasur përgjigje për një platformë që ju ka ardhur nga një grup i Lëvizjes për Rigritjen e PD-së?

Basha: Për të dyja pyetjet kam një përgjigje. PD ka nisur një proces analize dhe konsultimi dhe çdo anëtar i PD-së është i mirëpritur, i ftuar, i thirrur të jetë pjesë e këtij proçesi.

Pyetje: Për t’iu rikthyer Reformës Zgjedhore që u miratua mbrëmë pas 14 orësh debat në seancën parlamentare. Qysh në fillim kur është prekur kjo çështje, ju jeni shprehur për një propozim ose një ide për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për një sistem mazhoritar. I qëndroni këtij propozimi dhe a besoni që do të keni konsensusin e Partisë Socialiste për ta çuar deri në fund këtë ide?

Basha: Jam pyetur dhe kam dhënë mendimet e mia, por se çfarë sistemi zgjedhor do të kemi, nuk ka pikë rëndësie nëse nuk dekriminalizojmë zgjedhjet. Ndaj fokusi i PD-së është dekriminalizimi i zgjedhjeve. Dekriminalizimi i zgjedhjeve do të thotë jo vetëm votimi elektronik dhe numërimi elektronik, që është kushti teknik dhe duhet të nisë sa më shpejt, do të thotë që duhet të kemi disa hapa për të arritur deri tek infrastruktura, por do të thotë mbi të gjitha që të pamundësojmë jo vetëm depërtimin e kriminelëve në Parlament në krye të bashkive, në këshillat bashkiakë, në administratën shtetërore, por të pamundësojmë rolin e tyre në proceset zgjedhore, sepse çfarë ka ndodhur tani.

Në disa raste nuk janë vetë kriminelët, por kriminelët bëjnë një kontratë me një person që ata e kontrollojnë, shpeshherë biznesmen, ndonjëherë familjar dhe i thonë: Ti do të jesh përfaqësuesi ynë në Parlament, në krye të Bashkisë, në drejtoritë e përgjithshme, në drejtorinë e prokurimeve.

Krimi, mafia ka nisur përshtatjen me ligjin e dekriminalizimit dhe përshtatja është që nuk çojnë më përdhunuesin, trafikantin, vrasësin, por çunin e hallës, çunin e dajës, vëllain, vajzën, apo shokun, biznesmenin dhe nga ana tjetër edhe PS, Edi Rama, ka hedhur një hap për ta perfeksionuar skemën.

Nëse më parë bashkëpunonin aktivistë, drejtues të PS-së në terren, me bandat kriminale, për shpërndarjen e parave, tani PS me një kontratë, u thotë urdhëroni bandat e Shkodrës, Lezhës, Laçit, kjo është shuma e parave, ky është objektivi, kryjeni punën dhe hajdeni merrni shpërblimin që ju takon. Pra, kemi një fazë të sofistikuar krim-politikë. Ndaj, na duhet një përqasje e vendosur, për të shpërbërë në radhë të parë këtë bashkëpunim. Dhe shpërbërja nuk nis nga komponenti kriminal, nis nga komponenti politik. Nga koka. Nëse ne godasim kokën politike të mafias, atëherë kemi të gjitha shanset të shkatërrojmë dhe të shpërbëjmë organizatën që vepron në terren.

E kundërta është naivitet. Nuk mund të luftohet mafia nga padrinoja, nga kumbari. Kush e ka këtë pikëpamje është thellësisht i gabuar dhe ne thellësisht do ta kundërshtojmë, ndërkohë që do t’i vihemi në krah çdo përpjekjeje dhe do të kërkojmë ndihmën e çdokujt, shqiptar apo të huaj, për të shpërbërë mekanizimin politiko-kriminal që nis me goditjen e drejtuesve politikë të mafias në pushtet.

Edhe një here, ju them që po jetojmë në një situatë që fqinji ynë perëndimor e ka kaluar përpara disa dekadash dhe është një luftë jashtëzakonisht e vështirë.

Miqtë tanë, partnerët tanë e dinë këtë fare mirë, prandaj kanë paralajmëruar që do të ketë kosto për vendin.

Por dua t’ua them ju dhe qytetarëve  që nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë.

O do të kthehemi të gjithë në skllevër dhe shërbëtorë të mafias, ose rrugë tjetër përveç përballjes nuk ka. Nuk mund t’i shkojmë as anash, as poshtë, as sipër. Duhet të përballemi me të. Dhe përballja nis me pastrimin e elitës politike nga kupola politiko-kriminale, nga ata politikanë të cilët kanë përdorur dhe përdorin krimin për synimet e tyre politike. Opozita, prej ditës së parë e ka ngritur këtë alarm dhe ka vënë gishtin tek përgjegjësi kryesor që është Edi Rama. Ky është një model i ndërtuar nga ai.

Pyetje: Në të gjithë këtë betejë opozitare, keni një marrëveshje bashkëpunimi me LSI-në për një front të gjerë opozitar apo deklaratat dhe qëndrimet pothuajse të njëjta me zonjën Kryemadhi ditët e fundit kanë qenë të natyrshme përsa i përket situatës në vend.

Basha: Ne mirëpresim kontributin e çdokujt në këtë betejë. Nuk mendoj se këtu është rasti për të pasur marrëveshje, këtu është për të treguar me vepra se në cilën anë jemi, jemi në anën e shqiptarëve të thjeshtë, të ndershëm, të atyre që nuk paguajnë dot këstet e huasë, që nuk paguajnë dot ushqimet bazë, që nuk paguajnë dot për ngrohjen e shtëpisë, të atyre që nuk u shkon mendja të bëjnë pushime krahasuar me çdo popullsi të Ballkanit, të atyre që po ikin si askush tjetër në Europë nga vendi i tyre, apo, jemi në anën e xhepave, interesave korruptive ekonomike të klasës politike të bërë njësh me krimin.

Nëse jemi në anën e qytetarëve, në ato llogore do të gjejmë në mënyrën më të natyrshme Partinë Demokratike, e vetmja forcë politike që nuk bleu vota, që nuk u josh me aleancën e krimit, e vetmja forcë politike që shkoi në këto zgjedhje me program për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe jo me hipokrizi dhe propagandë, për të fshehur sistemin e shit-blerjes së votës, siç bëri PS.

Ne nga këto zgjedhje kemi dalë me numra më të ulët se në zgjedhjet e kaluara. Ne nga këto zgjedhje kemi dalë përsëri si opozita e vendit, por ne nga këto zgjedhje kemi dalë si forca e vetme që ka kartën morale për t’i bërë thirrje çdo shqiptari dhe çdo formacioni politik që nuk i ka duart e përlyera me aleancën me krimin, që të bëhen me ne, në aleancë vlerash. E vetmja mënyrë se si mund t’i kundërvihemi aleancës së krimit është një aleancë vlerash. Dhe në një aleancë vlerash nuk do të thotë që të ndajmë pikëpamjet për çështje të tjera. Mund të jesh tërësisht i majtë në botëkuptimin e mbledhjes së të ardhurave dhe shpenzimeve, por nëse je kundër krimit, je i mirëpritur në këtë aleancë. PD ka bindjet e veta, ka programin e vet politik. Edhe në raport me taksat, edhe në raport me shpenzimet, edhe në raport me ekonominë, por kur vjen puna tek lufta kundër krimit, mendoj se këtu duhet të ndahemi në ata që janë bashkëpunëtorë të krimit dhe ata që janë të gatshëm të bashkohen me ne në luftë kundër krimit.

Pyetje: Në momentin që do të bëhet indentifikimi i blerësve të votës çfarë do të ndodhë me ta? A i bashkoheni thirrjes së zonjës Kryemadhi për të rrëzuar qeverinë Rama?

Basha: Procesi i parë është evidentimi i mekanizmit që ka përdorur kundërshtari në terren për shit-blerjen e votës. Kjo infrastrukturë përbëhet në tërësi me persona me rekorde kriminale, po ashtu janë përdorur aktivistë politikë të kundërshtarëve tanë. Se çfarë do të bëjmë me këto të dhëna pastaj, ne kemi një strategji e cila do të shpaloset hap pas hapi, të cilën me të gjithë respektin për ju, apo këdo tjetër, nuk kam ndërmend ta bëj publike pa marrë së pari këto të dhëna dhe pa ecur në drejtim të zbatimit të kësaj strategjie. Strategjia ka për qëllim të shërbejë për një proces zgjedhor të pastër nga shit-blerja e votës në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj kemi kërkuar Reformën Zgjedhore, prandaj i kemi kërkuar Partisë Demokratike, në nivel seksionesh, të evidentojë se kush janë ushtarët e shit-blerjes së votës në terren. Po të jetë në dorën tonë, sigurisht Edi Rama përmbyset sot, sigurisht nuk ka pse të presë nesër. Sepse kostoja që po i jep vendit me aleancën e tij me krimin është e jashtëzakonshme. Çfarë po përfiton vendi me Edi Ramën përsëri në krye të qeverisë? Negociatat janë bllokuar, ekonomia është në kolaps, krimi po bën kërdinë, institucionet janë të demotivuara, ky po flet sikur ka ardhur dje. Thotë, administrata është bandë. Po mirë, a ka qenë ky kryeministër katër vjet apo jo? Atëherë ky është kapobanda. Natyrisht që është kapobanda. Nëse adminitrata është banda, ky është kapobanda. Kemi të bëjmë me një njeri i cili nuk ka çfarë t’i ofrojë më Shqipërisë. Si do të largohet Edi Rama nga pushteti? E para është që të vetëdijësohemi, që kjo nuk është thjesht dhe vetëm një ambicie politike e PD-së apo e LSI-së, apo e partive të tjera, nuk është vetëm luftë për pushtet, por është domosdoshmëri për vendin. Nëse ka një prioritet absolut është, shpërbërja e lidhjes krim-shtet. Që ta shpërbëjmë këtë lidhje, largimi i Edi Ramës është urgjencë kombëtare.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

10 komente në “Basha nxjerr nga “sirtari” planin ekonomik të fushatës: Nga nesër tur takimesh me biznesin e vogël”

  1. arsela says:

    clidhje ke ti me biznesin e vogel me tkeqen, ti do vetem te vjedhesh me krye-oligarket e tu qe i ke marre leke per ti bere deputet. mos na bej per budallenj tpakten se e dim te gjithe se kush je

  2. bora says:

    po nxirr njeher nga sirtari shifren qe ke vjedhur kur ke patur pushtet ne dore dhe pastaj hajde flasim per ekonomine qe do te “rregullosh”

  3. Pandeli says:

    TVSH është tatim konsumi dhe paguhet nga konsumatoret. Tatimpaguesit e mbledhin atë nga blerësit dhe e derdhin në shtet.

  4. Marsi says:

    Ti e ndrite 8 vjet ekonomine ne fakt

  5. Majlind says:

    U zgjove nga gjumi Basha ??!

  6. Joni says:

    Heqja e pragut te kufirit per regjistrimin e TVSH-se do te ule informalitetin.

  7. Era says:

    Ti te kenaq kur je ne qeverisje faktikiaht lulush..

  8. Orsiola says:

    Heqja e pragut te kufirit per regjistrimin e TVSH-se do te vendose ne kushte te barabarta ne treg te gjithe opertoret ekonomik si per ata qe kane xhiro 5 milion ashtu dhe per ata qe kane nje xhiro 6 milion e me shume.

  9. Tani says:

    Ik o luli se s te do m njeri jep doreheqjen

  10. Denis says:

    Un jam pro TVSh ne te dy llojet e bizneseve !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *