FJALIMI I PLOTË/ Majko: Strategjia për diasporën

16 Tetor 2017, 13:19Blog TEMA

Nga Pandeli Majko

Ju falenderoj për ardhjen sot në këtë takim. Ai shënon hapjen e një diskutimi për një dokument të munguar që nga viti 2010. Ky ishte viti fundor i strategjisë së parë dhe të fundit për migracionin të shtetit shqiptar.

Sot, Shqipëria ka gati gjysmën e popullsisë të vendosur në perëndim. Që nga viti 2010 vendi dhe qeverisja nuk kanë një dokument që të flasë për një strategji apo të tregojnë raportin që institucionet e shtetit kanë me migracionin si cilësi kombëtare. Mjafton kaq për të kuptuar nevojën e të “vrapuarit” dhe jo “ecjes”për tju përgjigjur situatës së krijuar.

Tranzicioni i postkomunizmit krijoi jetën e dyfishtë të një mentaliteti të ndërtuar në dy kohë të ndryshme. Kjo shfaqet natyrshëm edhe në veprimtarinë shtetërore ku ndihet dallimi midis asaj që  deklarohet me atë që bëhet. Pasqyra më e qartë kësaj patologjie është trajtimi i diasporës dhe migracionit nga politikat zyrtare. Ato kanë qenë të një profili të ulët dhe deklarativ.

Më 19 Nëntor 2004, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë aprovoi Strategjinë e parë Kombëtare të Migracionit dhe më 6 Maj 2005, me anë të Vendimit Nr. 296, aprovoi  Planin Veprimit të saj. Ky dokument u bë i mundur nga financimi i Komisionit Europian prej 1 milion eurosh (Programi CARDS 2001) dhe bashkëfinancimi dhe asistenca teknike e Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit.

Qeveria që erdhi pas zgjedhjeve të 2005 e trajtoi këtë cështje si politikë të një qeverie tjetër dhe nuk ndoqi planin e saj të veprimit. Aktet e prodhuara më pas në këtë fushë janë të qarta në paqartësinë e tyre.

Dokumenti i projektit të Strategjisë së re 2018 – 2024 që po paraqisim sot është edhe një përmbledhje e eksperiencave dhe gabimeve që shteti shqiptar ka bërë. Puna që ka filluar nuk do të niset nga pamja. Ajo do të fillojë nga koordinimi midis institucioneve të shtetit shqiptar me shoqërinë civile dhe organizmat dhe institucionet ndërkombëtare të interesuara.

Rruga e përgatitjes së dokumentave që keni në tavolinë ndoqi një rrugë jo “tradicionale”. Projekti i Strategjisë Kombëtare të Diasporës dhe Migracionit dhe Planin e Veprimit nuk janë “prodhim” i grupit të punës ndërministrore që do të ngrihet për këtë qëllim. Ai bazohet në dokumentet zyrtare të fushës, botime të publikuara nga organizatat ndërkombëtare dhe rivlerësimin që u krye nga këndvështrimi i programit të qeverisë.

Diskutimi në të njëjtën kohë në publik, me shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë të interesuar i këtij projekti për tu konkretizuar pastaj me konkluzione nga grupi i punës do të shmangë trajtimin e konsultimit për këtë cështje si formalitet.

Projekti i Planit të Veprimit përmban 75 masa të cilat janë të hapura për diskutim, përmirësim apo për të shtuar të tjera. Një nga masat kryesore të këtij plani është krijimi i Agjencisë për Diasporën dhe Migracionin. Ajo do të krijohet me ligj të vecantë patur parasysh edhe mosrespektimin e krijimit të saj në strategjinë e fundit 2005 – 2010. Krijimi i Agjencisë për Diasporën dhe Migracionin dhe miratimi i saj me ligj, do të jetë garant i vazhdimësisë së nevojshme të politikave shtetërore në këtë drejtim.

Trajtimi shtetëror i gjysmës së popullsisë nuk mund ti lihet vetëm vendimeve të qeverive por do të jetë nën një kontroll që fillon nga Kuvendi i Shqipërisë. Agjencia për Diasporën dhe Migracion do të jetë nën përgjegjësinë e Kryeministrit por edhe informuese e llogaridhënëse përballë strukturave të Kuvendit. Ky i fundit sapo krijoi me vendim të vecantë, për herë të parë, Nënkomisionin për Diasporën dhe Migracionin pranë Komisionit të Politikës së Jashtëme.

Projekti i Strategjisë për Diasporën dhe Migracionin në realizimin e vet do të jetë kompleks. Ai do të ketë cilësi të veprimit shumë sektorial, çka do të thotë se shumica e masave të parashikuara në Planin e Veprimit të saj do të kërkojnë ndërhyrje të koordinuar të më shumë se një institucioni shtetëror.

Në një vlerësim të pavarur që u krye pas miratimit të strategjisë 2005 – 2010 vlen të nënvizohet fakti shqetësues që nga 15 Ministri ekzistuese apo Institucione të kohës të konsultuara, 8 prej tyre as nuk ishin në dijeni të ekzistencës së Strategjisë dhe Planit të Veprimit. Në rastin më të mirë mbi 60 % e të pyeturve  në administratë nuk dinin dhe jo më të aplikonin politikën e shtetit ndaj diasporës dhe migracionit. Shumica e institucioneve të kohës pranuan mungesën e ndjeshme të koordinimit midis tyre si dhe atë të një institucioni zyrtarisht të ngarkuar me koordinimin e strategjisë.

Këto vlerësime dhe të tjera janë ndër arsyet e stanjacionit që politika shtetërore ka pasur dhe ka në mardhënie me shtetasit e saj jashtë vendit. Ky stanjacion shkon deri atje sa, aktualisht, ka paqartësi për mënyrën e përdorimit të fjalës “migracion” apo “emigracion” dhe sqarimin ligjor të fjalës “diasporë”. Po ashtu diskutim ka edhe në se termat “diasporë” dhe “migracion” duhen përdorur bashkë apo vetëm njëra. Apo, si do të bëhet dallimi midis atyre që kanë shtetësinë dhe atyre që kanë vetëm kombësinë shqiptare. Në këtë kuadër po vlerësojmë modelet ekzistuese të vendeve të ndryshme por edhe vecantinë e shqiptarëve si komunitet në raport me të drejtën ndërkombëtare.

Jemi në konsultim me ekspertët të fushës patur parasysh se  janë dy shtete si Shqipëria dhe Kosova të cilët mbulojnë së bashku një migracion shqiptar mjaft të gjerë jashtë kufijve të vendeve respektive.

Projekti i strategjisë vlerëson se programet e mbrojtjes së identitetit kombëtar kanë të njëjtat detyrime si ndaj migrantëve shtetas të Shqipërisë dhe migrantëve shtetas të Kosovës. E njëjta vlen për shtetasit me kombësi shqiptare të Maqedonisë, Malit të zi dhe Serbisë të cilët ndodhen jashtë vendlindjes. Padyshim, kjo do të bëhet edhe duke zhvilluar marrëveshjet shtetërore përkatëse në këtë drejtim.

Diskutimi deritanishëm e përdor termin “diasporë” për të përfshirë nga arbëreshët e Italisë deri tek pasardhësit e familjeve shqiptare në SHBA që nuk janë shtetas të vendlindjes por i bashkon kombësia shqiptare. Ata do të jenë në përgjegjësinë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe për arsye fiananciare dhe për arsye historike e psikologjike dy shtetet nuk mund ta ndajnë komunitetin e shqiptarëve larg vendlindjes. Ata kanë qenë bashkë dhe e kundërta është ironi e pamundur.

Për të vazhduar më tej, me efektet e stanjacionit të trashëguar administrativ, në shumicën e raportimeve publike të institucioneve cështja e diasporës dhe migracionit nuk ekziston ose trajtohet si dicka periferike.

Organizimi i Samitit të Diasporës vitin e kaluar është përpjekja e parë serioze për të ndryshuar statuskuonë e dështimit në politikat me diasporën dhe migracionin. Ai pohoi mungesat të cilat u parashikuan me rivlerësimin e cështjes nga Kryeminstri Rama në Programin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit.

Sfida kryesore e strategjisë së re për diasporën dhe migracionin do të jetë përafrimi i saj me strategjitë e ndryshme kombëtare ekzistuese e cila vlen të konsiderohet si detyra e parë e reformës në këtë drejtim. Në funksion të kësaj do të miratohet me vendim të vecantë qeverie krijimi i Komitetit Shtetëror të Diasporës dhe Migracionit nën drejtimin e Kryeministrit.

Nënkomisioni Parlamentar, Komiteti Shtetëror dhe Agjencia e Diasporës dhe Migracionit do të përbëjnë shtyllat e veprimit të reformës të saponisur.

Ky proces do të shoqërohet nga bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe komunitetet e shqiptarëve jashtë vendit si edhe organizmat ndërkombëtarë të interesuar.

Diskutimi i të drejtës së votës për migrantët shqiptarë është një fillim i faktorizimit të tyre në politikën shtetërore të vendit. “Llogaritja” si votues do ti bëjë politikanët më të vëmendshëm ndaj tyre. Kjo cështje do të kërkojë një bashkëpunim me opozitën pa të cilën ky projekt nuk është i mundur. Nuk mund të lë pa vlerësuar rolin e vecantë që ministria e jashtme, dhe jo vetëm këtu, ka për këtë reformë. Ministria e Brendëshme ka qenë dhe është një bashkëpunëtore e vlefshme për detajet që na presin nga kjo sfidë kombëtare në vazhdim.

Vota e migrantëve është e “frikshme” për sistemin tonë elektoral. Ka për këtë disa arsye. Po përmend vetëm dy. Ajo nuk mund të blihet. Ajo është thellësisht pro-perëndimore.

Të nderuar pjesëmarrës

Qëllimi i reformës do jetë shumëplanësh. Ai do të nxisë lidhjet e natyrshme me vendlindjen të shqiptarëve jashtë atdheut. Një nga qëllimet kryesore të reformës është krijimi i kushteve për rikthimin ekonomik të tyre në shoqërinë shqiptare dhe një raport tjetër me remitancat për ekonominë e vendit. Në këtë kuadër, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën e Shqipërisë do të organizojmë që në muajin dhjetor të parin aktivitet të kësaj natyre me shpresën që ai të bëhet i rregullt dhe i përvitshëm.

Po ashtu jemi duke negociuar me Organizatën e Kryqit të Kuq për të zhvilluar një projekt humanitar në ndihmë të të burgosurve shqiptarë në vende të ndryshme të botës.

Mbrojtja e identitetit dhe kulturës tek brezat e rinj të diasporës dhe migracionit do të realizohet mbi bazën edhe të një bashkëpunim cilësor me shtetin e Kosovës në këtë drejtim. Për këtë cështje, është rënë dakord që të dy shtetet të firmosin një marrëveshje të përbashkët.

Shqipëria e cila shpesh vuan për ekspertizë në administrim i ka të parregjistruara kapacitetet intelektuale në komunitetet e diasporës të cilët do ja kishin zili mjaft kombe të tjerë.

Krijimi i rretheve të informacionit të profesioneve është më shumë se emergjencë. Në këtë drejtim do të merret në konsideratë cdo inisjativë që ka ekzistuar apo është në zhvillim. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim do të jetë organizimi i Këshillit Konsultativ të Diasporës shqiptare.

Një moment tjetër i reformës të cilin po e zhvillojmë është edhe krijimi i një gazete elektronike që do të ftonte gazetarët më të mirë në vend dhe në komunitetet shqiptare të migracionit. Shumë shpejt do të inagurohet kanali TVSH 3 i televizionit publik i cili do ti kushtohet diasporës dhe temave të saj. Posta shqiptare do të emetojë rregullisht pullat me temën e diasporës dhe në muzeun kombëtar ka filluar projekti i një pavioni të vecantë për diasporën si cilësi kombëtare.

Dokumenti që keni mbi tavolinë, në fund të muajit shtator së pari ka qenë në zyrën e kryeministrit dhe pastaj në atë të Bankës Botërore në Tiranë. Kjo i dedikohet edhe bashkëpunimit që dëshirojmë me këtë të fundit për të krijuar një Fond Garancie i cili do të ofrohet në projekte prioritare në ekonomi për përfaqësuesit e diasporës dhe migracionit. Ai do të shërbejë si garanci kolaterale për të lehtësuar negociatat për kreditë e nevojshme të investimit.

Banka Botërore i vlerëson cështjet me karakteristikën e saj të pandryshueshme. Për të, vendimet prodhojnë kohën, dhe jo e kundërta.

Reforma që po nis Shqipëria në fushën e marrdhënieve me diasporën dhe migracionin ka nevojë për asistencën ndërkombëtare për të ecur më shpejt. Shpresoj që me atë cfarë kemi bërë deri tani kemi provuar si duam të punojmë në vazhdim. Ajo që në vitin 2004 u bë me 1 milon dollarë asistencë dhe për gati një vit e gjysëm kohë, sot është realizuar si projekt brenda një kohe rekord.

Dhe në fund, dëshiroj të them se jemi në fillimin e fillimit. Sot jemi në kushtet e një vonese të frikshme për atë që duhet të bëjmë përballë gjysmës së popullsisë së vendit. Ky projekt që po shpallim në publik ka më të dukshëm rrisqet se sa suksesin. Dështimet e deritanishme nuk shqetësojnë  se sa optimizmi i tepërt që nuk vlerëson vështirësitë që kemi përpara. Duke pasur angazhimin e vecantë të kryemnistrit, jemi të vendosur që shqiptarët të mos karakterizohen me ndarjen në “të larguar”dhe “të mbetur”.

Nuk do jenë kujtimet, por ajo cfarë bëjmë si komb, përcaktues të asaj që duam të jemi. Sot po provojmë pikërisht këtë.

Faleminderit!

9 komente në “FJALIMI I PLOTË/ Majko: Strategjia për diasporën”

  1. i papami says:

    sikur ajo gjysma jashte te ishte keetu o Pandlei, do ishte fantastike

  2. lili says:

    Qe ne start eshte emeruar keqg: diaspora edhe emigracioni nuk kane problemet njewoj:diaspora eshte e vendosur ne vendet e botes kur emigrantet vetem sa ia fillojne nje jete tjeter…Njera kerkon si te rilidh marredhemjet me shtetin shqiptar kurse tjetra si mos ti shkeputim..
    Sa per fillim sikur ktyeministri jone te vendoste neper ambasada njerezet e diasporrs sigurisht se do fitonte di ne cilesi,qofte vetem ne letrat qe dalin prej ambasadave tona me plot gabime,qofte ne lidhjrt me institucionrt e prrsonalitetete,po do himbte ne kontrolin e tepsise
    Se gjithe ky kujdes i vonuar duket ma shume si nje shperllarje truri edhe argumentim para Oim e BB per fondet e akorduar pe shpenzuar pa asnje rezultat. . Se po ta kishte pasur per njemend. Kryeministri kishte thirrur n’ate qeveri te stermushur bile nje njeri nga diaspora apo jo

  3. Dn says:

    Sigurisht qe u pa se cka mendojne e si e trajton keta diasporen kur degjuam Erion Veliajn per diasporen,eshte ky mendimi i vertete i kesaj kaste per diasporen pasi asnje nuk reagoj per ate deklatate te shemtuat atehere,edhe vrprimet sot jzne vetem si te korrim ate budxhet qe organizatate nderkombtare vene ne dispozition.
    Po sikur fondet te administrohen nga shoqatate e diaspores e jo nga keta mendoni se do vaehdojne te “kujdesen”?

  4. ceni boston says:

    Nuk kuptuam se cdo te beje ky Majko me diasporen, vetem kuptuam qe kane mare fonde per te ndritur Agjenci dhe Komitete per te prishur keto fonde qe kane mare nga Europa! Ore Pandi, po emigrantet jane stabilizuar shumica dhe bejne jeten e shtetit ku jetojne, cdo tju beni juve? Do ti fusni ne pune?! Ha ha ha cudira shqiptare! Po juve ju duhet vota e tyre , kete na thuaj po leri pallavrat! Ketu do jemi dhe do tju shikojme cdo beni!

  5. Jak Boston says:

    Zoteri Majko keni nje cerek shekulli ne politike dhe asnjehere se ke ngritur zerin per keto gjera me pare. Tani qe ta dha partia detyren po mundohesh te na mbushesh mendjen se spaske fjetur asnjehere rehat prej sikletit qe paske prej gjysmes se popullsise se emigruar.
    Po shqipetaret e emigruar nga Greqia dhe ata te Turqise pse nuk permenden ne platformen tuaj?!
    Une nuk ju besoj se e keni seriozisht, pasi puna juaj e keqe ne shtet e beri gjysmen e popullates te ike nga Shqiperia.
    Nese jeni serioz ky institucion duhet te jete komplet i diaspores dhe emigracionit dhe kjo do te thote qe ju personalisht zoteri Majko duhet te jepni doreheqje nga ky post dhe vendin tuaj ta zere nje perfaqesues i denje i diasporesdhe emigracionit, nderkohe ju vazhdoni te kontriboni me nisma ligjore si deputet.
    E di qe do rrudhni buzet nga kjo kerkese e imja, por une nuk dua qe ta drejtoje kete gje nje njeri si ju qe nuk ka emigruar nje dite ne jeten e tij plus qe shefi juaj Rama ka deklaruar vete para pak vitesh ne nje takim me diasporen se emigrantet nuk mund te votojne per shume aresye, kjo gje me ben mua akoma dhe me mosbesues ndaj jush.
    Rama nuk ka plotesuar me sukses Reformen ne drejtesi te ashtuquajtur Veting e si mundem une te mos besoj se kjo eshte nje tjeter manover e shefit tend Rama per te shtyre dhe kater vjet te tjera qeverisje ne leter dhe Facebook por pa asgje te prekshme per njerezit e thjeshte.
    Keshtu u be me Vetingun dhe keshtu do behet dhe me diasporen dhe emigracionin.
    Juve doni ti perdorni keto gjera per perfitimin tuaj per te mbajtur pushtetin me premtime bosh dhe per tu dukur pro perendimor.

  6. Dr. Vehip (Veip) Proda says:

    I nderuari Pandeli Majko,
    Qysh në vitin 1991 dhe në vazhdim kam shtruar publikisht, disa herë, domosdoshmërinë e Komitetit ose të Ministrisë për Shqiptarët jashtë Atdheut. Por, ra në vesh të shurdhër. Më në fund u emëruat Ju si Ministër për Diasporën, por nuk e di nëse do të kemi edhe një Ministri (dikaster) apo do të jetë vetëm ajo Agjencia që keni përmendur sot. Unë mendoj se, deri tani, qeveritë, shoqatat dhe subjekte të tjera shtetërore e pushtetërore kanë dështuar me “Strategjitë”. Këtë e kam cekur edhe herë tjetër, në takime të ndryshme dhe në Media, por praktikisht nuk është reaguar, ose për mosdije, ose për mosdashje. Nuk mund të ketë Strategji e as Program apo “Plan Veprimi” të mirëfillta dhe efikase pa një Platformë. Pra, fillimisht ndërtohet Platforma Kombëtare, Sociale dhe Politike e shoqëruar nga një Strategji Afatshkurtër, Afatmesme dhe Afatgjatë, si dhe nga një Program apo Plan Veprimi Minimal, Optimal dhe Maksimal. Kjo është domosdoshmëri, sepse ka të bëjë me anën konceptuale dhe praktike. Sa shtroj, nuk është “marksiste”, sic është shprehur një sharlatan, por është materialiste, objektive. Gjej rastin të shpreh konsideratën për ju.

  7. zi says:

    Te pakten mos na bini ne qafe,
    per te na ndihmuar????/?????/???

  8. Lili says:

    Bota ka disa menyra per te integruar njerezet e vete : njera eshte vende te rezervuar per diasporen ne Parlamentin shqiptar me deputetet te zgedhur nga diaspora per punet e diaspores…

  9. Arian Haxhillari says:

    Nje gje eshte e sakte nga ky artikull.
    Diaspora dhe emigrantet kane potenciale dhe pervoje me te madhe se sa politikanet dhe intelektualet konkrete ne shqiperi. Ata i tremben ketij potenciali te pamatur dhe gjithmone do ta ndalojne influencen pozitive dhe perparuese te saj.
    “Ata nuk blihen dhe jane perendimor”. Ata perparojne dhe integrohen ne vendet e huaja dhe do ta kene te veshtire te kthehen nese nuk respektohen.
    Lejoje ate te kontriboje njesoj si intelektualet vendase dhe do ta shikosh shume shpejt efektin pozitiv ne sistemin aktual.
    Merr nje Gjyqtar nga diaspora te drejtoje nje gjyq, merr nje mjek nga diaspora te shikoje menaxhimin e mjeksise, merr nje bankier te drejtoj banken, merr nje ekonomist te drejtoje ekonomine apo nje sektor te saj. Ver konkurence paralele. Vetem keshtu do ta shtysh intelektualin vendas te perparoje, ndydhe ai vyshket, kalbet dhe qelbet nga politika vendase.
    Mjaft me me eksperte te huaj, mjaft me me inxhiniere, ekonomiste, bankiere apo mjek te huaj ( jo perfaqsues te diaspores) Ata vijne ne shqiperi per perfitim dhe interesa personale apo pefaqsuesve te grupeve te tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje