Nga gjenerali nazist në Austri te filozofi i parë afrikan në Gjermani

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Latinët qenë të bindur se historia është mësuese e jetës. E tillë ajo mbetet edhe sot. «dialogplus» fillon një seri me fakte mbi historinë.

Nga Enver Robelli

I.Pas zgjedhjeve të së dielës në Austri, ka gjasa që pjesë e qeverisë së ardhshme të jetë partia FPÖ. Shefi i saj Hans Christian Strache para zgjedhjeve është ballafaquar me akuza mbi të kaluarën e tij. Sipas mediave gjermane ai mes viteve 1982-1992 ka qenë aktiv në skenën e neonazistëve. Strache ka ambicie të jetë ministër i Brendshëm i Austrisë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës Strache vizitoi Beogradin për të shprehur «solidaritet me Serbinë». Në një fotografi të botuar nga gazeta «Der Standard» Strache shihet duke mbajtur një fanellë me mbishkrimin «Kosovo je Srbija» (Kosova është Serbi).

Njëri nga themeluesit e FPÖ-së në vitin 1955 është Anton Reinthaller (1895-1958). Ai ka qenë pronar tokash, ministër i Pylltarisë në qeverinë austriake pas pushtimit të Austrisë nga Adolf Hitleri, deputet i partisë së Hitlerit në Reichstagun gjerman dhe nga viti 1939 deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore nënsekretar shteti në Berlin. Për shkak të rolit të tij në regjimin nazist gjenerali Reinthaller u dënua nga Gjykatat Popullore të Austrisë për tradhti me tri vjet, përkatësisht dy vjet e gjysmë burg dhe me konfiskim të pasurisë.

II.
Në vitin 1739 në tabelën e njoftimeve të Universitetit Jena në Gjermani studentët mund të lexonin këtë paralajmërim për një ligjëratë: «Partes philosophiae et curiosae Physiognomiam, Chiromatiam, Geomantiam, vulgo Punctir-Kunst, Astrologiam mere naturalem, et quae opponitur Cryptographiae, artem Dechifratoriam, quam Dechifrier-Kunst vocant (…)». Profesori që do të mbante ligjëratën quhej Anton Wilhelm Amo. Ai ishte afrikani i parë që u bë profesor në një universitet gjerman në shekullin e ’18. Amo ishte sjellë në Gjermani nga Gana si skllav. Padroni i tij e dërgoi në shkollë dhe ky afrikan doktoroi në vitin 1734.

Më 1747 Amo, një mendimtar brilant i iluminizmit, braktisi Gjermaninë për shkak të racizmit të hapur ndaj tij. Vendimin ai e mori pasi i bëri një kërkesë për martesë një gruaja gjermane, e cila e refuzoi dhe e ofendoi me fjalët: «Asgjë nuk mund ta mbulojë faktin se ti i takon një race të egër!» Nga vepra e tij kanë mbetur shumë mendime të mençura. Një prej tyre është ky: «Nuk mjafton ta thuash të vërtetën, nëse nuk përcaktohet edhe shkaku i së pavërtetës». Fushata kundër filozofit afrikan qe aq e gjerë, saqë kundër tij një poet shkroi edhe vargje shpotitëse.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *