18 filma me Micky Mausin për diktatorin, ja dhurata e veçantë që mori Adolf Hitler

17 Tetor 2017, 10:54Bota TEMA

Në vitin 1937 shefi i propagandës naziste Joseph Goebbels i dhuroi Adolf Hitlerit disa filma me Micky Mausin.

Diktatorëve, së paku atyre të shekullit XX, u pëlqejnë filmat. Kim Jong-il, sundimtari shumëvjeçar i Koresë së Veriut, ishte dashamirës i filmave dhe i alkoolit të shtrenjtë. Në vitin 1993 dhe 1994, sipas shtypit gjerman, prodhuesi i konjakut Hennessy njoftoi se Kim Jong-il ishte klienti më i rëndësishëm individual.

Për çdo vit ai porosiste konjak në vlerë prej 750 mijë dollarë. Diktatori pinte, populli vuante nga uria. Në vitet ’70 Kim Jong-il urdhëroi kidnapimin e regjisorit jugkorean Shin Sang Ok dhe gruas së tij, aktores Choi Euo Eee, nga Hong Kongu në Korenë e Veriut. Ky çift qe i detyruar të xhirojë filma për diktatorin dhe tek në vitin 1986, gjatë një udhëtimi në Vjenë, arriti të arratiset.

Edhe Adolf Hitlerit i pëlqenin filmat. Në vitin 1937, një vit para se regjimi i tij të aneksonte Austrinë, shefi i propagandës naziste Joseph Goebbels i bëri një dhuratë të veçantë për Krishtlindje diktatorit: 18 filma me Micky Mausin, të paketuar me kujdes. Dy ditë para Krishtlindjeve Goebbeles shkroi se «Führeri» (prijësi) ishte «shumë i lumtur» për dhuratën. Hitleri, sipas Goebbels, ishte i entuziazmuar për «këtë thesar, i cili, shpresoj, do t’i dhurojë shumë gëzim dhe çlodhje».

Për këtë kapitull të historisë naziste gjermane eksperti i filmave vizatimorë Carsten Laqua ka shkruar një libër («Wie Micky unter die Nazis fiel», domethënë: si përfundoi Micky te nazistët). Që më 1930 një revistë gjermane e filmit kishte shkruar se Micky është një dhuratë për masën e punëtorëve, të cilët kur shohin këta filma harrojnë përditshmërinë dhe gëzohen.

Por, jo të gjithë nazistëve u pëlqente Micky. Disa mendonin se është figurë e hebrenjve të financave. Që në vitin 1930, ende pa e marrë pushtetin nazistët, mbështetësit e Hitlerit zemëroheshin me filmin vizatimor «Micky në istikam», i cili shtinte me mitraloz kundër maceve, helmetat e të cilave u ngjanin atyre të ushtarëve gjermanë në Luftën e Parë Botërore.(dp)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje