Kunati kontroll tabulateve të opozitës para takimit

17 Tetor 2017, 20:44Antena TEMA

Pas skandalit që doli nga përgjimi i dy trafikantëve të Vlorës, që përmendin emrin e Saimir Tahirit, Kunati thirri me urgjencë tryezën opozitare, për të marrë një vendim për qëndrimet e mëtejshme.

-Masa e parë që duhet të marrim, tha Kunati, është të kontrollojmë tabulatet, se kush mund të ketë folur në emër tonë.

Për shembull, unë garantoj që Luli është i pastër pasi dhe nëse ka fol ndonjë njeri, ka folur për mua.

Ky ka qenë dhe qëllimi që unë kam ndenjur afër Lulit, që njerëzit të mos përgojojnë Lulin, por mua.

Kjo e ka ruajtur atë të pastër.

Të njëjtën gjë ka bërë dhe Doktori.

Dhe ai ja kishte deleguar djalit.

Për atë mund të gjesh ndonjë përgojim, por Doktorin jo.

Desha ndonjë mendim për ju, ju drejtua Monikës.

-Qyqja, ça pune kan me mu banditët të më zënë në gojë.

Unë dy muaj kryetare kam. S’kam asnjë përgjegjësi.

Dhe Balilin që llapin këta, për një javë e keni të pafajshëm nga drejtësia greke

-Po ti, i tha Tit Vasilit?

-Mua më ka përgoju vetëm ajo drejtoresha e Lushnjës, por ajo e gjeti mirë atë që kërkonte.

-Po ti, ju drejtua Vangjel Dules?

-Me mua s’keni probleme.

Maksimumi ndonjë grek më lavdëron se punoj kundër Shqipërisë, por ata nuk janë banditë.

-Po ty, i tha Nard Ndokës?

-Mua vetëm ‘kaubojsi’ më ka sharë, tha Nardi, nuk kam lidhje me bandat.

-Atëhere të bëjmë një kontroll të tabulateve dhe nesër lëmë mbledhjen, tha Kunati.

Sipas të dhënave tona, një trafikant është përgjuar në telefon dhe ka thënë se Edi Rama e ka porositur t’i japë lekë Tit Patozit dhe Jozefinës për të pëmbysur Bashën.

Kurse në një përgjim tjetër na del, që një bandit ka kërkuar të bëhet sponsor i partisë së re kundër Bashës.

Por ne nuk duhet të trembemi. Do vazhdojmë përpara.

Ndërsa mbledhja po mbaronte, në derë shfaqet me frymëmarrje të nxituar, Fatmir Mediu.

-Më falni, tha, se kisha një hall dhe u vonova.

Çfarë do bëjmë ndonjë gjë kundër krimit të organizuar, se unë jam prish me gjithë shokët në Fier e Berat?

Vetëm një gjë ju them, se drejtësia italiane është plehër.

Më dënoi katër vjet burg pse shoqëroja një shok në kërkim.

-Vendosëm ta luftojmë, tha Kunati. Nesër kemi takim. Do jetë dhe Doktori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje