Programi bërthamor i Koresë së Veriut kërcenon botën, Trump presion Kinës

21 Tetor 2017, 12:13Bota TEMA

Presidenti Donald Trump kërkon që Kina të shtojë presionin ndaj Koresë së Veriut për të frenuar programin bërthamor.

Muajin e ardhshëm, Trump do të vizitojë Pekinin dhe të tjera qytete në Azi në kuadër të turit të tij të parë në rajonin e largët, ku diskutimet për parandalimin e programit bërthamor të Penianit do të jenë në krye të axhendës.

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të shtojë presionin ndaj Kinës sa i përket frenimit të programit bërthamor të Koresë së Veriut. Më 3 nëntor Trump do të nisë turin e tij të parë aziatik që do ta çojë në Japoni, Korenë e Jugut, Kinë, Vietnam dhe Filipine. Prioritet në axhendën e tij do të jetë parandalimi i përplasjeve me Korenë e Veriut, përpara se situata të dalë jashtë kontrollit.

Trump do t’i kërkojë homologut kinez Xi Jinping të ushtrojë më shumë presion ndaj Koresë së Veriut. Xi aktualisht është i përfshirë në Kongresin e Partisë Komuniste që pritet të kulmojë me konsolidimin e pushtetit të tij dhe konfirmimin e tij si udhëheqës edhe pas vitit 2022, kur zhvillohet kongresi i ardhshëm. Presidenti Trump beson se ky status i jep më shumë autoritet homologut kinez për të qenë më i ashpër me Penianin.

Kujtojmë se situata mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut është tepër e tensionuar, teksa Trump dhe lideri i Penianit Kim Jong-un kanë shkëmbyer ofendime të ashpra mes tyre. Trump kërcënoi se do të shkatërronte tërësisht Korenë e Veriut ndërkohë që Peniani ka paralajmëruar se Uashingtoni do të përballet me një “sulm të paimagjinueshëm” nëse provokohet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje