Serbi/ Një kriminel lufte si docent

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Një komandant serb nga lufta e Kosovës do të japë mësim në Akademinë Ushtarake të Beogradit. Qeveria nuk shqetësohet nga fakti, që ai ka qenë në burg për krime lufte. Ajo luan me kartën nacionaliste.

Në të vërtetë Akademia Ushtarake Serbe mund të ftojë kurdo e këdo „studiues të njohur” si docent. Kjo është e shkruar në statutin e saj. Por statuti tani po zbatohet me një kreativitet të veçantë. Oficerët e ardhshëm serbë do të marrin mësim nga Vladimir Lazarević dhe dy komandantë të tjetë të njohur nga koha e luftës së Kosovës. Ministria e Mbrojtjes u ka ofruar atyre pozicionin e docentit.

Ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin lëvdoi gjeneralët si „njerëz të jashtëzakonshëm” dhe deklaroi se kështu „vihet në vend padrejtësia që iu është bërë në vitet e fundit”. Padrejtësi? Në vitet e luftës së Kosovës (1998-1999) u vranë rreth 10.000 civilë shqiptarë dhe u dëbuan gati 1 milionë vetë nga provinca e atëhershme serbe. Po ashtu humbën jetën qindra civilë serbë në aksionet e guerilasve kosovarë e gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që i dha fund luftës.

Për Vladimir Lazarević, komandantin e atëhershëm të trupës së Kosovës në ushtrinë serbe madje lufta pati edhe një epilog tjetër: Tribunali i Hagës për krime lufte e dënoi atë me 14 vjet burg. Gjykata vërtetoi se Lazarević së bashku me oficerë të tjerë të rangut të lartë kishin punuar sistematikisht për „pastrimet etnike”. Rreth 1000 kufoma të shqiptarëve të vrarë u gjendën pas luftës në katër varreza masive, pjesërisht qindra kilometra larg Kosovës. Lazarević u lirua në vitin 2015 nga burgu, pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit.

Zemërim në Kosovë

“Çfarë mund t’iu mësojnë këta njerëz oficerëve të ardhshëm? Si mund të dalësh para gjyqit të Hagës?” pyet e zemëruar, Anita Mitić, drejtoreshë e Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut, një organizatë joqeveritare rajonale. “Ajo çfarë kanë bërë ata është e ndaluar nga çdo konventë lufte. ‚Kontributi‘ i tyre i vetëm është turpi, me të cilin ata kanë mbuluar ushtrinë serbe dhe vendin.”

Iniciativa Rinore ka reaguar edhe ndaj një krimineli tjetër të luftës, që në Serbi gati u rehabilitua. Veselin Šljivančanin, që ka qenë i burgosur në Hagë për shkak të krimeve në qytetin kroat, Vukovar merr pjesë rregullisht në debatet publike të partisë serbe të progresit. Kur aktivistët kërkuan të ndalnin një referat të Šljivančanit, përkrahësit e tij reaguan me goditje.

Lajmi për punësimin si docent të Lazarevićit shkaktoi në Kosovë zemërim. Intelektuali i njohur kosovar, Veton Surroi, botues i „Koha Ditore”, kujton një nga krimet e luftës të vitit 1999, kur 24 të rinj shqiptarë u ekzekutuan pa mëshirë. „Një nga leksionet në Akademinë Ushtarake mund të jetë se si mund të ekzekutosh fëmijët, për të mbrojtur gjoja integritetin e Serbisë”, shkroi Surroi në Facebook.

E gjitha kjo kur kuadri ligjor nuk është problematik: Dënohesh, vuan dënimin për fajin e bërë, del nga burgu e mund të jesh sërish anëtar i barabartë i shoqërisë: „Do të doja të dija, nëse njerëzit që e kanë vuajtur një dënim të caktuar janë të lirë apo jo?” pyet kryeministrja serbe, Ana Brnabić.

Por bëhet fjalë për më shumë, shkruan portali kritik ndaj qeverisë, Peščanik: Me një gjest simbolik, politikanët e Beogradit duan të sinjalizojnë, se vitet 90-të,  – koha e luftërave, e hiperinflacionit dhe autokracisë së Millosheviçit – nuk ka qenë edhe aq e keqe.

Mesazhi në destinacion

Shumë nga pushtetmbajtësit e sotëm në Serbi kanë qenë pjesë e regjimit të Millosheviçit, si presidenti Aleksandar Vučić. Nacionalisti i dikurshëm radikal ndjek sot zyrtarisht me partinë e tij të progresit një kurs proeuropian, por nga ana tjetër u mbyll gojën mediave kritike dhe opozitës e shpërblen klientelën e partisë së tij me punë në sektorin publik. Ose ai shpërndan dëftesa rehabilitimi për kriminelë të dënuar lufte. „Që dikush ka kryer dënimin nuk e bën më pak përgjegjës. Kriminelët e luftës duhet të dënohen moralisht, e kjo bëhet kur institucionet shtetërore nuk i mbështesin më ata”, thotë Mitić në bisedë me Deutsche Wellen. „Ndryshe kam frikë, se këta njerëz trajtohen si heronj”.

Mesazhi nacionalist me sa duket mbërrin në destinacion: „Gjeneralët kanë mbrojtur vetëm vendin e tyre”, thuhet në një nga komentet e lexuesve në facebook-un e Deutsche Welles në serbisht. Shoqëria serbe me sa duket nuk del dot nga roli ekskluziv i viktimës. Sot bëhet sërish politikë me mitin e popullit të vogël trim, që ka luftuar kundër të gjithë botës.

Kjo nuk e çudit Sonja Biserkon. Narrativi, se Serbia është vetëm viktimë e luftës është çimentuar ndërkohë, thotë presidentja e degës serbe të Komitetit të Helsinkit. „Drama e Kosovës shihet vetëm nga perspektiva e sulmit iracional të NATO-s. Për vuajtjen dhe viktimat e shumta mes shqiptarëve nuk flitet”, thotë Biserko në bisedë me DW.

Por edhe në anën tjetër gjendja nuk është më e mirë. Në Kosovë protestuan të gjithë politikanët drejtues kundër hapjes së Tribunalit të ri që do të hetojë krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku flitet edhe për ngritje akuze kundrejt presidentit Thaçi. Armiqësitë e vjetra theksohen periodikisht dhe elitat politike në Prishtinë e Beograd kjo i ndihmon për të ruajtur pushtetin.

DW

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Serbi/ Një kriminel lufte si docent”

  1. like says:

    serbet bejne viktimen, ndersa shqiptaret e perdhunuar ulin koken.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *