Përse Rama nuk mund të bëjë Shën Pjetrin

24 Tetor 2017, 10:09Blog TEMA

Nga Drini Kuqo

Deri në fund, Pjetri ishte dishepulli më besnik i Jezu Krishtit. Megjithatë, ai nuk hyri në histori për besnikërinë e tij, por për pragmatizmin që e lejoi të shpëtonte jetën përpara turmës së tërbuar, kur ai mohoi tre herë se e njihte mentorin e tij.

Nuk ka krahasim midis ngjarjeve biblike e atyre të jetës reale. E megjithatë, për hir të metaforës, dy mijëvjeçarë më vonë ripërsëritet një skenar ku kemi një mentor, një dishepull dhe një turmë të tërbuar që kërkon të linçojë.

Turma, këtë herë është e bërë nga një konglomerat i pagjasë i përbërë nga opozitarë, prokurorë, gazetarë dhe oportunistë që janë gati të hedhin valle mbi “varrin” e ish-ministrit.

Ai që nuk ka luksin të veprojë si Shën Pjetri, këtë herë është vetë Edi Rama në person.

Ai nuk mund të mohojë për herë të parë Tahirin dhe të distancohet duke e lënë në gojë të “ujqërve”, sepse ky, me sa prova kemi deri tani, do të ishte një ngadhnjim i arbitraritetit mbi drejtësinë. Ky do të ishte ngadhnjimi i fletë-rrufesë, mbi të vërtetën.

Ai nuk mund të mohojë për herë të dytë Tahirin për hir të makiavelizmit politik, sepse duke bërë këtë, na lë të gjithëve ne të ekspozuar ndaj shuplakës së çdo gazetari, çdo prokurori apo çdo njeriu tjetër në gjendje të fabrikojë akuza për të na degdisur kushedi se ku.

Ai nuk mund të mohojë Tahirin as për herën e tretë, sepse duke bërë këtë do të tregonte se si në këtë shtet, forca e shpifjes është më e madhe se forca e argumentit.

Por, çfarë mund të bëjë një kryeministër, kur Prokuroria shndërrohet në një institucon që merret me politikë dhe jo me të vërtetën?

Gabimi më i madh do të ishte që ai të bënte prokurorin. Në të shkuarën, e kemi parë këtë gjë të ndodhë me një frekuencë të frikshme. Kemi parë si një kryeministër gjente fajtorë në shkretërirë dhe shfajësonte laviret në bordello, enkas sipas oreksit të tij.

Ajo që duhet të bëjë Rama është pikërisht kjo që ai po bën. Tahiri duhet të paguajë, nëse ka diçka për të paguar. Por ai nuk mund të paguajë bazuar në epshet e opozitës apo tre prokurorëve që me një letër bakalli synojnë të internojnë pas hekurave ish-ministrin. Ai, duhet të paguajë bazuar mbi faktet kokëforta, të cilat ka për detyrë t’i sjellë mbi tavolinë prokuroria. Këtë, nuk mund ta bëjë as opozita, as qeveria, e aq më pak, media.

Tashmë, përfaqësia e PS në Komisonin e Mandateve ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të ndaluar lëvizjen jashtë shtetit të Tahirit, për të hetuar pasurinë e tij, për të bastisur banesën e tij, për ta vendosur nën përgjim, për të kuzifuar rrezen e tij të qëndrimit apo për ta detyruar që të paraqitet në mënyrë periodike në Policinë Gjyqësore.

E vetmja kërkesë që nuk mund të pranohet, syrgjynosja si qëmoti, kur ish-ministrat përfundonin në togën e pushkatimit fill pasi ishin shpallur “mut muti” nga i pari i vendit. Këtë nuk ja kemi borxh Tahirit, por vetes sonë…

1 komente në “Përse Rama nuk mund të bëjë Shën Pjetrin”

  1. Piro Plesha says:

    Bravo Drini! Komenti /analiza /me e mire , me e sakte, ne gjithe sa eshte shkruar, abuzuar, llomotitur, uleritur , paditur, llogaritur, per ceshtjen Tahiri .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje