Spaho nuk i beson dokumentit të Tahirit: Duhet të arrestohet, ka një hetim nga drejtësia italiane

Nënkryetari i PD, Edmond Spaho u shpreh në Report Tv se Kuvendi duhet të japë autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Pavarsisht se dokumenti i drejtësisë italiane vërteton se ndaj Tahirit nuk ka asnjë hetim të nisur, Spaho mendon të kundërtën.

Deputeti tha se ka një hetim nga drejtësia italiane dhe se Tahiri nuk është i vetmi ministër.

“Ka një hetim nga drejtësia italiane. Besoj se nuk është i vetëm ministri, por ka edhe zyrtarë të niveleve të tjera, zyrtarë të policisë të cilët janë të përfshirë në trafikun e drogës,” tha ai.

Më tej, Spaho u shpreh se Tahiri mund të prishë provat, ndërsa solli në vëmendje nxjerrjen e emrit të dëshmitares së mbrojtur nga prokuroria, e cila sipas organit të akuzës dëshmon lidhjet e Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm.

“Prish provat. Doli emri i dëshmitares dhe ajo do tërhiqet. Sepse është dekonspiruar dhe kjo është garancia që të jep sistemi juridik, policia”, tha Spaho.

Sipas tij, provat për Tahirin janë të pakundërshtueshme, ndërsa shtoi se rezultojnë të implikuar edhe zyrtarë të niveleve të tjera, ndër ta punonjës të policisë. “Për Saimir Tahirin ka prova të pakundërshtueshme si i përfshirë në trafikun e drogës dhe për këtë maxhoranca duhet ta dorëzojë. Ka edhe zyrtarë të niveleve të tjera, zyrtarë të policisë të cilët janë të përfshirë në trafikun e drogës“, tha Spaho.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...