Tahiri, prokurorët dhe vetingu i munguar

25 Tetor 2017, 10:22Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi*

Nuk është e lehtë të mbrosh, këto ditë, Saimir Tahirin. Ish-ministri i Brendshëm është kthyer në mollën e madhe të sherrit paszgjedhore. Një sjellje aspak e mençur, madje, naive dhe krejt e pamatur në raport me Habilajt, ku nuk mungon as banaliteti i dhënie-marrjes së makinës personale dhe as shkujdesja e pafalshme për t’u informuar për atë që ata bënin për disa vite rresht, e kanë sjellë karrierën e Saimir Tahirit në një zgrip të rrezikshëm. Nga ministri i superfuqishëm dhe kreu i degës më të madhe lokale të partisë në pushtet, kandidat dhe garues me Erion Veliajn për kryeministrin e nesërm, sot Tahiri duhet të mbrojë lirinë personale dhe qetësinë e familjes së tij. Ndërkohë që karriera politike, duket seriozisht e kompromentuar. Njeriu i fuqishëm i Rilindjes e sheh veten aktualisht, në “listën gri” të deputetëve të larguar nga grupi socialist, e kjo është vetëm gjysma e dramës.

Duket si një lodër nga “lart”, kjo që po ndodh në këtë vjeshtë, ku pozita hyri në një qeverisje tejet të qetë, ndërsa opozita dukej e destinuar të endej edhe për shumë kohë në kërkim të një axhende politike, të një liste idesh të reja dhe të një kredibiliteti tashmë të humbur prej kohësh. Një hallakatje nëpër kallamishte, do të thoshte Avokat Ngjela. Por ja që nga Italia fqinje, erdhi një dosje përgjimesh dhe të gjithë në politikën shqiptare gjetën bukë për dhëmbët e tyre. Parlamenti pritet ta rifitojë “interesin” dhe studiot televizive u rimbushën me zhurmë, ashtu siç i mbajmë mend prej vitesh. Diku anash, në sfondin e këtij sherri kombëtar, krerët e drejtësisë përgatiten të hyjnë në vrimën e miut të vetingut. Një detaj aspak anësor, ky në fakt.

Ndodhemi përballë një rasti delikat juridik, me një aparat drejtësie që vijon të jetë ai i vjetri: i paragjykuar, i korruptuar dhe thellësisht i politizuar. Një rrethanë aspak e lumtur, për një dosje si kjo e Habilajve.

Me këtë epikrizë në xhep, edhe prokurorët që u rrekën të marrin lejen për arrestimin e Tahirit e që do të kryejnë hetimet në vijim, do të jenë po ata. Të njëjtët prokurorë e gjyqtarë që, vite më parë, bënë sikur nuk panë që në periferi të Tiranës, 26 vetë vdiqën nga shpërthimi i një fabrike armatimesh, që shkelën mbi kufomat në bulevard në 21 janar, pa u bërë aspak përshtypje dhe pa çuar në burg fajtorët e vërtetë, që e mbyllën dosjen e rrugës së Kombit me raporte mjekësore të të akuzuarve me pushtet dhe imunitet.

Janë po ata, që kanë qenë qysh ditën e parë kur sistemi i drejtësisë nisi të deformohet gradualisht pas rënies së komunizmit, nga ajo bisha që të syrgjynoste në Spaç dhe të dënonte me vdekje, në salamandrën e sotme pa ngjyrë, pa formë dhe pa asnjë moral, që njeh vetëm pagesën e majme nën dorë dhe pushtetin që e ka zgjedhur. Këta po përpiqen të fusin në burg ish-ministrin e Brendshëm.

Ky është edhe paradoksi madhor i rastit “Tahiri”: Një çështje tejet delikate dhe me peshë, e cila ra në prehrin e drejtësisë së vjetër, e jo në dosjet e korrupsionit të drejtësisë së re. Të asaj drejtësie që të troket në derë me certifikatën e pastërtisë së vetingut në xhep, e që për pasojë, ta thotë vendimin duke të parë në sy e duke të hequr çdo motiv dhe pretekst për t’u justifikuar.

Natyrshëm që s’mund të bllokohet një hetim, derisa prokurorët e gjyqtarët e tij të marrin dritën jeshile të vetingut. Duhet ngrënë sërish buka me miellin që kemi. Gjithsesi është me vend të thuhet sot, se një proces kaq delikat, në duart e prokurorëve e gjyqtarëve të kaluar nëpër filtrat e kontrollit rigoroz të rregullave të reja, do të zbuste në mënyrë drastike zulmën e sherrit politik dhe aludimet e kudondodhura për drejtësinë e nënshtruar nga politika.

Pas ndryshimeve të fundit kushtetuese, prokuroria ka ndryshuar disa nga praktikat dhe kompetencat. Këto orë po dëgjojmë se prokurorët janë zotë të dosjes që ndjekin, e për pasojë janë të pavarur në punën e tyre. E ka përdorur edhe Llalla së fundi, këtë justifikim. Do të ishte shumë mirë, po të ishte kështu, por ja që nuk është. Procedimi dhe kërkesa urgjente për arrestimin e Tahirit, pa e thirrur asnjë herë të vetme për ta pyetur për përgjimet italiane, mosthirrja apo arrestimi i asnjë zyrtari tjetër të policisë, megjithëse thuhet se lista mund të jetë e gjatë, dalja para deputetëve me argumente të dobëta dhe me justifikimin standard, “presim faks nga Katania” – të gjitha këto nuk ngjajnë asfare me një prokurori të matur, por më shumë me një institucion të përdorur. Sepse, në fund të ditës, janë të njëjtët gjyqtarë e prokurorë që kemi parë në dy dekadat e shkuara dhe që na kanë lënë një katedrale korrupsioni të ngritur në sistem.

Kjo rrethanë e lë çështjen Tahiri në hullinë e politizimit të skajshëm, sepse drejtësia nuk e ka fituar ende kartën morale për të folur me zë të lartë. Dhe në këto raste, pretencën dhe vendimin zakonisht i lexojnë politikanët, jo juristët. Një film që e kemi parë shumë herë.

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

http://afp.al/news/2017/10/tahiri-prokuroret-dhe-vetingu-i-munguar-opinion-nga-skender-minxhozi-57181/index.html

3 komente në “Tahiri, prokurorët dhe vetingu i munguar”

  1. shqiptari says:

    RRESPEKTE zoti MINXHOZI , jeni gazetari me serioz i kti vendi kto 25 vjet , ju lexoj me respekte , se ne shkrimin tend lexoj te vertetat e problemit ne fjal , rrespekte dhe esht fatkeqsi komtare qe gazetaret e tjer nuk jan ne lartesin tuaj se ne do ishim ndryshe ,me gazetar si fevziu me shok ky vend drejtimin e ka ne gremin , gazetaret tek ne jo te ter jan njerzit me te pa skrupullt te kti vendi , kta palo gazetar qe mbas politikes komplet te korruptuar e degjenezruar kto 25 vjet “demokraci”i kan ven zjarrin kti vendi e na kan len ne kte derexhe ku kemi 25 vjet nuk bejm dot shtet , por qeshia mbi tort e kti degjenerimi dhe mungese te shtetit jan GJYQTARET E PROKURORET me te korruptuarit ne ter historin e kti vendi , dhe nje her rrespekte zoti MINXHOZI per gazetarin tuaj prefekte te vertet e te persosur , te ter gazetaret SHQIPTAR duhet te marin shembull nga ju per vertetsin seriozitetin dhe korrektesen ne punen tuaj.

  2. everest says:

    E ke harxhuar letren dhe kohen kot,o Skender Minxhozi!
    Prokororia dhe politika e djathte eshte ne ethet e burgut,prandaj ngaterron Saimirin shofer kanabisi me Saimir Tahirin!
    Ato qe thane prokuroret ne komisionin parlamentar eshte nje kambane alarmi,se drejtesia shqiptare eshte bere me kohe ARMIKU I TE GJITHE GJITHE SHQIPTAREVE TE VARFER!
    Zgjidhja e vetme eshte:
    -Te shporren nga drejtesia te gjithe gjyqtaret e prokuroret!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje