INTERVISTA/ Alfred Moisiu i përgjigjet presidentit grek dhe tregon dy gabimet e Saimir Tahirit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Intervistoi Andrea Danglli

Ish-presidenti Alfred Moisiu shprehet kritik ndaj deklaratave të presidentit grek Prokopis Pavlopulos, i cili herë pas herë dërgon mesazhe kërcenuese ndaj Shqipërisë lidhur me integrimin europian me fokus minoritetin.

Për ish-kreun e shtetit, gjuha e fqinjëve është poshtëruese ndaj nevojitet reagimi i drejtë dhe i paanshëm nga Bashkimi Europian për të disiplinuar marrëdhëniet mes vendeve.

Në një intervistë për gazetën “TemA” ish-presidenti hedh dritë edhe mbi një sërë çështjesh që kanë prekur së fundmi aktualitetin politik.

I pyetur lidhur me kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për dhënien e nënshtetësisë shqiptare për qytetarët nga Kosova, Moisiu gjykon se pavarësisht marrëdhënieve, në bazë të Kushtetutës ky vendim nuk do të ishte i drejtë të aprovohej për një vend të pavarur.

Më tej ai komenton edhe çështjen “Tahiri”, ku shprehet se shitja e makinës tek trafikantët dhe vigjilenca e munguar ndaj përhapjes së kanabisit që janë gabime të pranuara nga vetë deputeti, ngelin të papranueshme.

Ish-kreu i shtetit apelon që të mos pengohen organet e drejtësisë duke shtuar se Vettingu sapo ka filluar.

Më poshtë do të gjeni intervistën e plotë, të marrë nga gazetari i gazetës “TemA” Andrea Danglli.

-Z. Moisiu, politika greke vijon të japë mesazhe paralajmëruese ndaj Shqipërisë lidhur me integrimin europian ku fokus është minoriteti grek. Cili është opinioni juaj lidhur me këto deklarata?

Andrea, unë kam qenë dhe ngelem kritik me disa deklarata të bëra nga pala greke, duke menduar gjithnjë se i bëjnë rrethe që vuajnë ende prej mentalitetit të hershëm anti-shqiptar apo ideja për vorio-epirin. Për fat të keq kur dëgjon që opinione të tilla shprehen edhe nga personalitete zyrtare, duhet të themi se është shqetësuese.

Shqetësimi duhet të jetë më tepër për fqinjët pasi është e pakuptueshme se si një vend anëtar i hershëm i BE-së dhe NATO-s, të mbajë qëndrime të pabazuara dhe t’i përdorë ato si formë presioni ndaj politikës shqiptare. Kjo nuk është e drejtë dhe tregon për një poshtërim të madh. Në këndvështrimin tim duhet të ketë ndërhyrje edhe nga BE për t’i thënë “boll” me këto deklarata. Për fat të keq deri tani këtë nuk e dëgjojmë.

-Kishim një deklaratë të bërë nga presidenti helen Pavlopulos…

E lexova deklaratën e cila është e disata që bëhet kohët e fundit nga kreu i shtetit grek dhe u befasova. Aq më tepër kur kjo bëhet në një kohë që ministrat e jashtëm të dy vendeve përgatiten të takohen për përmirësimin e marrëdhënieve. Nuk e kuptoj nëse z. Pavlopulos është në sinkron me qeverinë e vendit të tij, apo ka të tjera objektiva?

Deklarata të tilla të herëpashershme tregojnë se Greqia fqinje po abuzon me të drejtën e saj si anëtare e BE-së, duke kërkuar që të ndërhyjë në punët e brendshme të vendit tonë, në një kohë që ajo vetë është shumë larg njohjes dhe të respektimit të drejtave të minoriteteve brenda territorit të saj. Shembull i keq sjelljeje nga një vend anëtar i BE- së, ku aq më tepër është edhe djepi i demokracisë.

-Si i shihni reagimet nga pala shqiptare?

Mendoj se pala shqiptare ka filluar që të japë më drejtë dhe më fort përgjigjet e duhura. Unë e përkrah qëndrimin aktual të politikës së jashtme mbi problemet greko-shqiptare dhe mendoj se është ndryshe nga përulësia që ka ndodhur gjatë qeverive të mëparshme, qofshin këto socialiste apo demokrate.

Sjell në kujtesë një takim që kam pasur në Selanik gjatë kohës sime si President, ku mes të tjerash thashë: “Ne shqiptarët kemi mendimin se shokun dhe mikun mund ta zgjedhësh, por fqinjin ta jep Zoti”.Ndaj, duhet gjetur mënyra për të bashkëjetuar dhe komunikuar. Gjykoj se ne jemi një popull që nuk i kemi rënë kurrë në qafë të tjerëve por përkundrazi. Edhe kur jemi ndjerë “viktimë” dhe kemi reaguar, këtë e kemi paguar me tkurrjen e trojeve tona për arsye të ndryshme. Këshilloj që duhen sqaruar edhe ato çështje të ngelura pezull pasi mund të dëmtojnë të dyja palët.

-Në një takim mes presidentit Ilir Meta dhe homologut të tij Hashim Thaçi, ky i fundit ka kërkuar që qytetarët e Kosovës të pajisën me nënshtetësi shqiptare. Nëse do të ishit sërish në krye të shtetit, cili do të ishte qëndrimi juaj?

Në bazë të Kushtetutës sonë, nenin 8 parashikon se“Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.Por Kosova tashmë është një shtet i pavarur. Vërtet janë shqiptarë, jemi një komb por historia e solli kështu duke na ndarë në dy shtete. Pavarësisht marrëdhënieve që ne duhet të ruajmë me njëri tjetrin, të drejtat e asaj popullate mbrohen nga shteti përkatës.

Pra, sipas Kushtetutës tani më kjo nuk është kompetencë e shtetit shqiptar. Gjatë ushtrimit të detyrës sime, unë kam dhënë disa nënshtetësi siç e parashikon ligji, por besoj se është shqetësuese nëse kjo bëhet  në mënyrë masive. Mendimi im është se, me gjithë dëshirën e madhe tonën, ne në kushtet aktuale nuk e kemi këtë të drejtë.

-Shpesh herë në media ngrihen diskutime të forta mbi një “ngurtësi” nga ana e BE-së për Kosovën dhe Shqipërinë sa i përket liberalizimit të vizave nga njëra anë dhe çelja e negociatave nga ana tjetër. A mendoni se ekziston një frymë e tillë brenda familjes europiane apo dy vendet duhet ta shohin problemin tek vetja?

Së pari duhet të theksoj se për Bashkimin Europian kam disa rezerva pasi shoh një standard të dyfishtë në trajtimin që i bëhet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Konkretisht po të shkosh në Mitrovicën e veriut mungon flamuri shqiptar dhe për më tepër ai i Kosovës që është pjesë e shtetit. Veç simbole serbe. Ndërkohë ndryshe ndodh në Preshevë. Kur kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Jonuz Mysliu vendosi më 28 nëntor flamurin shqiptar në zyrë, menjëherë autoritetet serbe hapën proces gjyqësor, duke e ndjekur penalisht për shkelje. S’ka standard të barabartë, këtu flitet për standard të dyfishtë.

Shembulli tjetër është Mali i Zi i cili fatmirësisht u pranua në NATO por ama këtu ka një tolerim pasi e fitoi aderimin ende pa zgjidhur çështjen e kufirit me Kosovën. Zakonisht kjo është normë e familjes euro-atlantike të cilët nuk pranojnë në gjirin e tyre vende që kanë probleme me fqinjët.  Dikujt mos i duket problem por Prishtina zyrtare për këtë çështje po përjeton një krizë qeveritare të gjatë. Nuk ka asnjë justifikim izolimi që po i bëhet Kosovës nga BE, pavarësisht nga mangësitë e tyre të deri tanishme. Është i vetmi vend në rajonin tonë që ende i nënshtrohet regjimit të vizave.

Këtë kritikë personale ndaj BE-së, ja kam shprehur edhe disa pjesëtarëve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë gjatë takimeve që kam pasur. Ndërsa sa i përket çeljes së negociatave me vendin tonë, kjo po i ngjan një shprehje popullore shqiptare: “Shto ujë e shto miell”.

-Mjaft politikanë janë shprehur së fundmi se reforma në drejtësi po degradon duke hedhur akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Sa rrezikon të dështojë implementimi i reformës në drejtësi?

Vettingu që në fillim është penguar dhe historinë e arsyet i njohim të gjithë. Vetë fakti  që miratimi i ligjeve kryesore u zgjat dhe u stërzgjat, ishte pikërisht se politikanët që duhet t’i miratojnë preken prej tij. Normalisht ligjvënës të ndryshëm nuk dalin dot kundra ballë për ballë dhe përpiqen që të gjejnë rrugë alternative për ta penguar. Po të vëreni këto kohë të gjithë bërtasin se mori fund Vettingu, por sipas meje përkundrazi, implementimi i tij sapo filloi.

Unë kam bindje se reforma në drejtësi do të zbatohet pasi kjo i intereson edhe shqiptarëve edhe aleatëve tanë që kanë investuar mbi të. Në të kundërt nuk mund të ndërtohet kurrë një shtet demokratik me këtë formë që ka katandisur drejtësia jonë e cila është pasojë e politikës. Kjo e fundit e ka kërkuar një sistem të tillë, e ka pëlqyer dhe e ka pranuar pasi fiton privilegjet e saj për të krijuar këtë kaçamak që është sot.

-Pak ditë më parë PS dhe PD miratuan ligjin për minoritetet në Shqipëri. Keni ndonjë vërejtje? Si e shihni faktin që u njoh edhe minoriti bullgar?

Unë kam një vërejtje të përgjithshme pasi probleme të tilla janë shumë të rëndësishme dhe nuk mund të zgjidhen në zyrat e shtetit. Duhet të ketë institut apo grupe studiuesish që ta studiojnë dhe të hartojnë konkluzione të drejta. Ky është një objekt që duhet të merrej Akademia e Shkencave. Pavarësisht se ne i kishim këto institucione  por sikurse dihet, nën mbulojën e reformave të papjekura i shpartalluam.

Personalisht e kam të vështirë të them nëse duhej miratuar ligji apo jo, pasi nuk kam të dhëna. Nuk mund të gjykojmë duke thënë “kemi 5 bullgarë, 5 afganas, apo iranianë dhe t’i njohim si komunitet pa asnjë studim konkret”.  Janë disa rregulla të mirëpërcaktuara ndërkombëtarisht dhe mendoj se miratimi ka qenë disi i përshpejtuar.

-Më herët ambasadori amerikan Donald Lu, ka folur për 20 familje mafioze dhe 4 klane kriminale që kontrollojnë vendin. Sipas gjykimit tuaj a ka familje apo klane mafioze që po kërcenojnë Shqipërinë?

Ambasadori Donald Lu ka të dhënat e tij dhe ai e di vetë se si e ka nxjerrë këtë konkluzion. Personalisht mendoj se ne vërtetë kemi krime apo familje të implikuara, por strukturë mafioze nuk besoj se ekziston në vend. Nëse e lemë gjendjen kështu siç është edhe mund të krijohet. Fakti është që kemi grupe kriminale që merren me drogë, prostitucion apo kontrabandë dhe organet përkatëse duhet ta nxjerrin lakuriq problemin. Gjithsesi unë e përshëndeta deklaratën e diplomatit amerikan pasi ai vuri në lëvizje politikën, drejtësinë dhe opinionin publik shqiptar. Fjala e tij nuk duhet të shuhet apo anashkalohet pasi ne shqiptarët e kemi praktikë të themi “tre ditë dhe u harrua”.

Ndaj krimit apo veseve të reja në shoqëri duhet një luftë reale, pa pasur parasysh se kush është përfshirë dhe kush duhet ta paguajë.

-Aktualisht vendi është përfshirë në një debat të madh lidhur me vendimin e prokurorisë për të arrestuar deputetin Saimir Tahiri duke u bazuar në bisedat e përgjuara mes dy trafikantëve të drogës në Itali. Si i keni përcjellë këto zhvillime?

Ne arrestojmë një polic, prangosim një doktor, çojmë në qeli një tatimor dhe harrojmë shefat e tyre. Nëse ne nuk vendosim prapa hekurave kryesorët, atëherë kjo punë nuk rregullohet kurrë. Këtë gjë e kam theksuar vazhdimisht edhe gjatë kohës kur kam qenë në detyrë por edhe në vazhdim. Nuk duhet të merremi vetëm me ushtarët dhe të mos prekim gjeneralët.

-Sa i përket çështjes “Tahiri”…

Andrea, se sa është fajtor Saimir Tahiri apo deri ku ka gabuar, këtë duhet ta  thotë drejtësia.

Deri tani di që ai ka pranuar dy gabime publikisht të cilat në optikën time nuk janë të lehta. Qoftë çështja e “makinës” qoftë çështja e “vigjilencës së munguar ndaj përhapjes së kanabisit”. Se çfarë përgjegjësie ka, kjo duhet parë në vijim nga organet e drejtësisë.

Ne duhet t’i lemë institucionet të punojnë megjithëse ato nuk kanë dëshirë që të jenë të tilla. Për fat të keq drejtësia është pleksur me politikën, prandaj dhe duhet reforma në drejtësi që i hap rrugë skanimit të atyre që do t’u ngarkohet në të ardhmen detyra e rëndësishme e të bërit drejtësi.

-Ndonjë çështje që unë nuk ju pyeta por ju donit ta thoni?

Reformat që po bëhen janë të mira dhe duhen implementuar, por ama është e nevojshme të studiohen mirë dhe të konsultohen me opinionin publik, me grupet e interesuara apo ekspertët përkatës. Ne nuk jetojmë në pyll të shkëputur nga bota demokratike, kemi shembuj të mirë nga fqinjët dhe aleatët ku mund të mësojmë prej gabimeve dhe fitoreve të tyre. E kuptoj që shtetit i duhen para por ama “gomarin nuk mund ta ngarkosh si kalë, se ai aq mban”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

5 komente në “INTERVISTA/ Alfred Moisiu i përgjigjet presidentit grek dhe tregon dy gabimet e Saimir Tahirit”

  1. Iris says:

    Eshte kenaqesi te lexosh mendimin e nje burri shteti. Presidenti Alfred Moisiu ka qene dhe mbetet i tille. Si i thone, nuk eshte me bleme, eshte me te leme.
    Lidhur me dyshtetesine, do te ishte nje ide fabuloze, qe cdo shqiptar i Shqiperise apo i Kosoves te kete automatikisht edhe shtetesine tjeter. Ai qe nuk e deshiron, mund te kerkoje t’i hiqet. Do te lehtesohej punesimi, biznesi dhe do te behej praktikisht bashkimi, pavaresisht vijes kufitare. Bashkimi nuk do te thote domosdoshmerisht dashuri por bashkejetese. Popujt e Bashkimit Europian nuk jane ne dashuri me njeri tjetrin dhe nuk kane asnje lidhje farefisnore ose kulturore, megjithate jane bashkuar. Nuk e kuptoj se pse bashkimi i Shqiperise dhe Kosoves i duket dikujt nje absurditet i padeshiruar.

  2. says:

    Alfred Moisiu është armik I popullit.I fali Greqis 252 km2 det sepse është orthodoks.

  3. LIDHUR ME SHEMBULLIN E FUNDIT APO MESAXHIN QE DHA XOTI MOJSIU PER GOMARIN E NGARKUAR SI KAL.NJE MESAZH PERQEVERIN QE AJO NUK MUND TE QUHET ME E MAJTE SE PO ENGARKON ME TAKSA AQ SHUME KETE POPULL TE VARFER S ZBEHET ME.NJE NGA SHKAQET QE POPULLI FILLIMISHT E LARGOI NGA SHPIRTI ENVER HOXHEN ISHTE SE AI DOGJI ETAPAT DHE MENDOI SE DUKE HENGER BAR MUND TE JETOHEJ.QEVERIA E SOTEME PO I DJEG ETAPAT ME HOVE VIGANE .VETEM KETE VITE E NE VAZHDIM PO IRRITNI TAKSAT PER PENSIONISTET DUKE I MARRE NE VIT DY PENSIONE .NISUR QE NGA QEST E PLASTEMASIT QE BLIHEN TANI SE KESHTU E KA GJITHE BOTA ,PO EKA PYETUR BOTEN LALI ERI SE SA JANE PENSIONET E RROGAT TE BOTA!.pale taksat e prones e tvsh qe na e trumbetoni me te madhe qe sdo rrise cmimet .JU QEVERITARE MERRENI SERIOZISHT MESAXHIN E ZOTIT MOJSIU SE KESHTU SI PO VEPRONI PO I VENI VETES LAK SE KOTI.NA JENI BERE NE TELEVIZOR SI BURRAT E NENES ME BABALLAR GJALLE E NE VECANTI LALI ERI QE NE FUND TE FUNDIT A E MENDONI SE KRYENI DETYREN PER TE CILEN PAGUHENI.

  4. Liu says:

    O koktul!
    Nuk akuzohet per gabime por per krime Tahiri

  5. Ivan i madh says:

    Mero per kete nuk po komentoj po e kam fjalen per arikullin e shkrojtur nga e bija e Hajdarit pse slejon te behen komente apo eshte e bija e shoku tend Hajdarit nje idiot e psikopat i lindur. Na lere ne qe kemi jetuan ate kohe ta sqarojme kete cupe se cfare ishte i jati dhe cfare vyrtyte kishte dhe cfare permbysi. Se po te ishte kaq e prekupuar per bemat e tij ne rezimin e diktatures do isistonte te dilte e verteta ne shesh duke e detyruar dhe te jemen te ndiqete ruget ligjore se nuk është e mundur qe ajo te mos e dije se kush e vrau dhe shpetoi nga terori Azem se ne ate guva grerzash ka punuar. Po me sa duket perdoret teoria ai ngordhi ne te per fitojne te mirat materiale. Prandaj është e mira kjo bibe te mbylle sqepin e mos na tregoje historian e nje gangsteri malokeria te vrare nga kryegangsteri krimineli Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *