Universitetet publike, si “streha vorfnore” dhe akreditimi i tyre

1 Nëntor 2017, 18:17Blog TEMA

Nga Artur Ajazi

Ajo që ka ndodhur në vitet e fundit me universitetet tona publike, mund të quhet pa asnjë mëdyshje, si një nga shkatërrimet më flagrante të vlerave akedemike që kanë bërë me vetëdashje ish-rektorët apo dhe rektorët , shefat e departamenteve, të cilët padyshim duhet të përgjigjen penalisht edhe për “gjëma” të tjera. Por konkretisht fjala është për mbushjen e rektorateve me motra, vëllezër, nipër, mbesa, krushqira, miq, dhe padyshim edhe servilët e tyre, që nuk qëndrojnë pa u shpërblyer. Pothuajse në të gjitha universitetet tona publike, si në Tiranë , Elbasan, në Korçë, në Vlorë, në Shkodër e Durrës, e Gjirokastër, rektoratet, dhe stafet akademike, nuk janë gjë tjetër veçse, skuta për miqtë, familjarët dhe krushqitë e rektorëve.

Një skandal i padëgjuar dhe i anashkaluar, që e ka zanafillën tek rekrutimi selektiv, tek rekrutimi korruptiv që kanë bërë për vite rresht, ish-rektorët dhe rektorët, duke marrë pedagogë, shefa departamentesh, stafin akademik, vetëm ata me të cilët kanë lidhje gjaku ose interesi. Para dhe gjatë fushatës së fundit (çuditërisht të heshtur) për zgjedhjet e reja në të gjitha universitetet tona publike, mjaft pedagogë që kanë vite që japin kontributet e tyre dhe që ndjehen të pavlerësuar, kanë denoncuar lidhjet dhe emërimet nepotike të rektorëve, që pasi kanë marrë djalin, vajzën, nipin apo mbesën pedagog, kanë nisur të marrin pastaj me rradhë, gjithë farefisin, duke e punësuar e duke i paguar me rroga të majme, në mënyra dhe forma të paligjshme.

Në pothuajse të gjitha universitetet tona publike, ka ndodhur një kasaphanë e paparë me rekrutimet, me shpenzimet, me tenderat, me financimet, me aferat dhe ofertat e pista, ndërkohë që organet e hetimit , kanë vite që hapin dhe mbyllin dosjet e korrupsionit dhe implikimit , sa herë që ndërrohen pushtetet. Kjo ka ndodhur pasi edhe vetë ish-rektorët apo dhe rektorët, kanë qenë shërbëtorët e bindur të pushteteve, por edhe të strukturave të tjera eprore. Kjo ndryshe përkthehet në shkelje ligjore dhe punësimin e çdo personi që rektorëve u servirte prokurori çështjes nën hetim, gjyqtari dosjes së tij, politikani apo deputeti dhe ministri.

Shkeljet ligjore të (ish) rektorëve të universiteteve publike, duhet të jenë me urgjencë objekt hetimi dhe denoncimi nga pasardhësit e tyre, në rast se ata nuk duan të marrin mbi supet e tyre mëkatet e shumta dhe shkeljet ligjore. Rektorët, nuk duhet të bien në ujdira, dhe të bëhen mbulesë e fajeve dhe abuzimeve të bëra nga paraardhësit e tyre që kanë shitur një vend pune si pedagog i brëndshëm apo që kanë abuzuar me tenderat, shpenzimet e tjera duke shpërdoruar paratë e mbledhura nga studentët dhe fondet e buxhetit të shtetit.

Rektorët në universitetet tona publike, duhet të kenë si synimin e tyre parësor, të kryejnë revizionimin e imtësishëm të gjithë dokumentacionit të paraardhësve, dhe të bëjnë publike të gjitha shkeljet dhe abuzimet, të cilat dihen shumë mirë jo vetëm nga mediat, por edhe organet e drejtësisë. Mbulimi dhe ujdia do të akuzonte rëndë edhe rektorët aktualë, si bashkëpunëtorë me mëkatarët e universiteteve, me ata që shkatërruan vlerat akademike dhe shkencore, me ata që e kthyen rektoratin në qendër biznesi, me ata që shisnin vendet e punës, me ata që merrnin perqindjet të tenderave, me ata që blenë vila dhe hapën biznese duke deklaruar “rrogën ”, me ata që njollosën emrin e mirë të universitetit dhe auditorëve të dijes duke e zëvëndësuar atë me “parafabrikatin e turpit”. Eshtë e vërtetë fakti se, sot universitetet tona publike, janë kthyer si “streha vorfnore”, ku gjen të punësuar familjarët dhe farefisin e rektorëve, apo edhe shefave të departamenteve.

Tërheqja e mjaft emrave të njohur nga iniciativat kërkimore dhe shkencore, të cilët kanë patur dhe kanë kontribute akedemike si brënda edhe jashtë vendit, tregon se këto institucione janë kthyer në “menca” nga ku nuk mund të bëhet asgjë. Ardhja e rektorëve çdo 4 apo 8 vjet, shihet disi me optimizëm, nga ata që besojnë akoma në vlera shkencore të universiteteve, ardhja e tyre nuk duhet ti zhgënjejë ata që votuan për transparencën, për bërjen publike të çdo shkelje ligjore, për denoncimin e çdo abuzimi dhe dërgimin para ligjit të çdo emri që përmendet dhe që rezulton se ka mbushur xhepat me milionat e studentëve, pedagogëve, tenderave dhe shpërdorimeve të tjera financiare. Tani, dy fjalë për akreditimin e universiteteve, për akreditimin me kusht, nga 1 deri në 5 vite për të gjitha universitetet publike e private në vend. Është ky vendimi përfundimtar që ka dalë nga mbledhja e Bordit të Akreditimit, por gjithçka është vendosur më parë, pas analizës së raporteve që kanë hartuar ekspertët e agjencisë britanike “Quality Assurance Agency” dhe Agjencisia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, pas një periudhe 6-mujore.

Universiteti i Mjekësisë ka marrë 5 vjet akreditim nga 6 të mundshme, ndërsa një vit akreditim ka marrë Universiteti i Tiranës që cuditësisht është renditur keq në këtë akreditim. Në mbledhje është vendosur akreditimi me kusht për disa universitete, duke përmbyllur kështu procesin e vlerësimit për akreditimin e të gjitha IAL-ve në vend.

Por ajo çfarë bie në sy është se Universiteti i Tiranës, më i vjetri në Shqipëri, u vlerësuar minimalisht, pasi nga pesë standardet e marra në shqyrtim, tre prej tyre përmbushen thelbësisht, ndërsa dy të tjera pjesërisht. Kjo ka bërë që Bordi i Akreditimit , të përpilojë një listë të gjatë me rekomandime, duke i lënë një vit kohë për t’i përmbushur ato. Me standarde pak më të mira se ato të UT-së rezultojnë ai i Shkodrës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Universiteti Politeknik dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan qëndrojnë diku në pas tyre, duke përmbushur disi pesë standardet për t’u akredituar për një periudhë 3-vjeçare, ndërsa “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Politekniku kanë 4 vite kohë për të përmbushur kushtet e vendosura nga ekspertët.

Gjithsesi procesi akreditimit, ka treguar edhe njëherë problematikat e vjetra të trashëguara në universitetet tona publike, duke rrezikuar jo vetëm potencialet tyre, por edhe kredibilitetin e vlerave dhe kontributeve akademike, të cilat duhet të jenë objekt i punës së rektorateve, dhe vlerësimit objektiv nga MAS.

3 komente në “Universitetet publike, si “streha vorfnore” dhe akreditimi i tyre”

  1. ilir hoxha says:

    ok. te gjitha universitetet jane mbushur me motren e dekanit, vellain dhe nusen e rektorit, nje pus i thelle me fekale jane bere universitetet. ministria arsimit te futet dhe ti beje qilizem sepse u shkaterruan . nuk ka me as akademike as pedagoge, po marrin grada me milionat qe japin. universitetet e rretheve jane qelbur fare, fare. dhe te gjithe bejne sehir.

  2. Sandy says:

    Megjithate universitetet me te keqija jane ato privatet perfshi edhe ate palo universitetin e Henri Çilit.

  3. lediana says:

    shkrimi eshte shume i drejte . por pale me keta shkeles eshte bere edhe KLSH qe auditon dhe nuk merret asnjehere me emerimet ,kriteret e punesimit etj etj ……………………………..shume si keto

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje