Çitjanet e Edi Ramës dhe qytetari digjital i Berishës!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Alfred Peza

Thuhet se Sali Berisha ka qenë një artist i bisturisë në rininë e tij dhe në kohën e artë të ushtrimit të mjekësisë. Sikundër, Edi Rama dihet që ka mbaruar të vetmen shkollë të lartë arti që ka Shqipëria dhe vetë është artist e bir artisti.

Politika i bashkoi në armiqësi të dy, duke e nuhatur me sa duket që në fillim instiktivisht rivalitetin prej liderësh të lindur, që e kanë dominuar skenën rreth e rrotull, pa lënë hapësira për rivalë të tjerë realë.

Gjithëkush e pranon se të dy janë prej asaj rrace liderësh që në zhargonin italian njihen si “animali politici”, të cilët për shkak të përvojës, maturimit dhe instikteve të mprehura frikshëm, dominojnë sot gjithë hapësirën.

Nëse kanë një tipar të përbashkët, që pakkush e ka tjetër në skenën politike shqiptare, ajo është aftësia e pazakontë e tyre për të komunikuar me publikun, duke e ruajtur gjithnjë sekretin e gatimit të recetës së ushqimit të tyre jetësor në përditshmëri, bazuar tek elemtentët thelbësorë të psikologjisë kolektive. Duke ia mbajtur gjallë “frymët”, me formulën që atyre i pëlqen më shumë. Duke ia arritur në vijimësi, për ti “manipuluar” pandërprerë, derisa ata të krijonin një varësi ndaj tyre, aq sa vjen një ditë që ata nuk mund të bëjnë dot më pa to.

Kjo është arësyeja që të dy sot, si Kryeministri Edi Rama ashtu edhe paraardhësi i tij Sali Berisha janë njerëzit me më shumë influencë në opinionin publik në përgjithësi, në media e për rrjedhojë, brenda gardheve dhe rradhëve të përkrahësve, mbeshtetësve dhe votuesve të dy partive të tyre, po se po. Për këtë, mjafton që ti hedhësh një sy vetëm numrit të friends-ave që ata kanë në facebook-ët e tyre zyrtarë. Me mbi 1 milionë ndjekës secili, ata kanë rivalë vetëm veten në planet, për numër të popullsisë në raport me përqindjen e përdoruesve të rrjeteve sociale për frymë dhe përqindjes së penetrimit të internetit në shkallë vendi.

Sali Berisha bëri si bëri pasi iku nga drejtimi i qeverisë më 2013 dhe e kuptoi shumë shpejt se kush ishte ushqimi i preferuar për ndjekësit e tij, kundërshtarët, mediat dhe armiqtë sigurisht duke mos qenë më në qeverisje. Ndaj shpiku të famshmin “qytetari digjital” sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe apo “dixhital” sipas përdorimit të përditshëm të kësaj fjale. Duke ia ruajtur në çdo rast mbiemrin dhe duke ia ndryshuar emrin sipas nevojës për të postuar mesazhin e tij të radhës, për arësyen e radhës dhe qëllimin e tij të përhershëm: Bërjen e opozitës sipas filozofisë së pikes së ujit që gërryen gurin…

Ndaj ai postimet e tij herë i quan produkte të qytetarit digjital, e herë fshatarit dixhital, herë të policit e herë të papunit, herë të deputetit digjital e herë inxhinierit, herë mjekut e herë rojes. Herë gazetarit, e herë biznesmenit. Por të gjithë këta e shumë të tjerë, në fund të fundit i bashkon gjithmonë diçka në mesazhet që emetohen prej tij. Postimet që i atribuohen atyre, mbyllen të gjitha pa asnjë përjashtim pothuajse, me të njëjtën kërkesë: Të lutem, anonim!

Për Berishën, nuk ka rëndësi nëse dikush dallon shpesh se në këto postime që gati botohen të gjitha nga mediat jo vetëm ato pranë tij, gjërat janë ose gënjeshtra, ose sajesë, ose gjysëm të vërteta, ose të vërteta të thëna sipas mënyrës së tij. Më e rëndësishme se kjo, është arësyeja për të cilën ai i poston: Vazhdimi i gatimit të ushqimit politik për njerëzit. Sepse ai zbaton gjithnjë aksiomën: Në publik nuk ka rëndësi se ç’farë flitet për ty, e rëndësishme është që të flitet për ty. Nuk ka rëndësi nëse e gjitha ajo çfarë ai prodhon nga “qytetari digjital” i ngjan asaj historisë me 99 kuajt dhe një thëllëzë, me të cilën dikush hapi një fabrikë konservash që shiteshin për mishin e shpendit rrallë, apo asaj barsaletës së tiransve të vjetër me “shtatë panine, e një kos apo dhallë”. Sepse ai e njeh shumë mirë psikologjinë tonë popullore, se në këtë rast, atij gjithnjë do ti kujtohen dhe do ti mbahen mend vetëm ato pak të vërtetat apo gjysëm të vërtetat, ndërkohë që të tjerat do të harrohen shpejt.

Ndërsa Edi Rama e ka patur më të thjeshtë dhe më natyrale zgjedhjen e tij në këtë linjë. Mjafton që për këtë, të vijonte që të bënte vetëveten. Sepse që në rininë e hershme ai është veshur ndryshe, është kombinuar ndryshe, ka vepruar ndryshe, është sjellë ndryshe nga të gjitha steriotipet shqiptare të të qenit “politikisht korrekt” në këtë aspekt. Kur hyri në politikën aktive, ai vishte çitjane, mbante vëth në vesh, çorape të verdha e të kuqe, këmisha a bluza me “lloj lloj bonjash”, siç ai dikur kur ishte pedagogu i ri e kishte ngulitur edhe më shumë teksa përkthente Kandinsky-n dhe filozofinë e ngjyrave të tij.

Pak përparë se të fitonte zgjedhjet e 2013 e tu bënte kryeministër dhe pak vite pasi hyri në zyrën që la bosh Berisha, ai u bë njeriu më protokollar në zbatimin e kodit zyrtar të veshjes. Veshja klasike me kostume të errëta e këmisha të bardha dhe me sqimën e pazakontë për të ndërruar kollaret me dizajnin më të guximshëm që mund të të shkonte fantazia. Këpucët e zeza ose blu të errëta, e shumta devijonin nga klasikja, për shkak të përdorimit të gomës ortopedike për arësye të  komoditeti shëndetësor.

Por, e gjitha kjo për ata që janë të fiksuar pas historisë së detajeve zyrtare në sjelljen e udhëheqësve politikë shqiptarë, nuk zgjati më shumë se 3-4 vjet. Sepse në fushatën e fundit të zgjedhjeve, Edi Rama u rikthye në identitet. Duke nxjerrë nga syndyku çitjanet, brekushet, atletet e bardha dhe duke e avancuar trendin e dikurshëm, me veshjet sportive “Adidas” apo “Nike”. Efekti qe i menjëhershëm sepse përkrahësit pane tek ai veshjen e tyre të përditëshme. Ndërsa ai vetë, me sa duket rizbuloi edhe njëherë, atë ndjesi të jashtëzakonshme që ia kishte mohuar vetes me shumë sforcim për pak kohë. Duke filluar që të shijonte përsëri si dikur, por nga pozicioni i Kryeministrit të Shqipërisë tashmë, “kënaqësinë e të qenit problem”. Një “problem” gjithnjë e më i madh për mediat, kundërshtarët, armiqtë, kritikët dhe për gjithkënd tjetër që më shumë sesa me produktin, me thelbin, me përmbajtjen, kanë qejf të meren me shfaqjen, me formën, me dukjen, me veshjen.

Ndaj, sa më shumë që ta anatemoni Berishën për të mos u marë me qytetarin e tij digjital dhe Edi Ramën që të mos i veshë më atletet e bardha në Trieste, Bruksel apo çitjanet e tij si sot në Fier, aq më shumë ata do ta bëjnë këtë. Sepse më shumë sesa gjithë ne të tjerët, ata e dinë mirë tashmë se ata kanë shpikur posaçërisht për ne, një lodër me të cilën ata argëtohen dhe ne bëjmë sikur nuk na pëlqen. E sigurtë është se nëse nesër në mëngjes, Berisha vendos që ta mbylli facebook-un e tij dhe Ramës t’ia ketë mbyllur Linda brekushet në dollap, më të shqetësuar se ata vetë, do të jemi të gjithë ne që nuk jetojmë dot më pa to. Sa të mësohemi me ndonjë lodër të tyre të re, keni parë ju, se edhe këto të dyja nuk janë edhe aq të këqia sa çi kishim menduar në fillim?! (alpenews.al)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

9 komente në “Çitjanet e Edi Ramës dhe qytetari digjital i Berishës!”

  1. daku says:

    Berisha nuk ka prekur asnjehere ne jeten vet bisturi me dore o Fredo -Berisha ehste kardiolog jo kirurg. Pridh pirdh!!

    1. kuksiani says:

      o daku, po bisturia eshte simboli i mjekut more djale, mesoje edhe kete…fredi ka te drejte….busturia per mjekune eshte si pushka per ushtarin…

  2. Plaku Xhuxhumaku says:

    O Alfred, a te shkuar ndonje here ndermend qe populli shqiptar eshte ai qe eshte pikerisht sepse lejon koqe si Saliu dhe Edvini t’ia hipin kalaqafe e te tallin menderen?

  3. Astriti says:

    “Nëse kanë një tipar të përbashkët, që pakkush e ka tjetër në skenën politike shqiptare, ajo është aftësia e pazakontë e tyre për të komunikuar me publikun, duke e ruajtur gjithnjë sekretin e gatimit të recetës së ushqimit të tyre jetësor në përditshmëri, bazuar tek elemtentët thelbësorë të psikologjisë kolektive.”, thote gazetari.
    Ky nuk eshte aspak tipar i perbashket i tyre, per arsyen e thjeshte, se Berisha, jo vetem qe nuk e gezon kete “aftesi te pazakonte”, por, perkundrazi, eshte nje medioker ne te folur dhe ne shume e shume gjera te tjera. Ndersa Edi Rama ka qene, qe ne krye te heres, nje publicist brilant.
    “Sekreti i gatimit te recetes se ushqimit” per miletin, i Berishes, eshte mashtrimi. Ai i Rames, e verteta!

  4. h says:

    A gjete vend te fshehesh parate e vjedhura ?
    Gazetari i byres time.Degjenerata pa turp.

  5. Hm Bomba says:

    Fiks…..popull bageti….ose politikane super inteligjente dhe dinake manipulues

  6. O Z. Peza.
    Ke nje gabim dhe kete e di sh.mire. Rama ne jeten e tij ka punuar vetem duke mbajtur ne dore penelin dhe kavaletin e piktures. (pervec politikanit)
    Ndersa Berisha nuk ka kapur ndonjehere bisturi me dore. Ai ka qene kardiolog sh.mire, por jo me bisturi, ka qene hemodinamist. (pervec politikanit)
    Kaq per kulture dhe saktesi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *