ANALIZA/ Fantazmat e Lesbosit, turpi i Europës

8 Nëntor 2017, 15:35Bota TEMA

Vetëm në shtator, rreth 2,238 refugjatë mbërritën në Lesbos, pavarësisht përpjekjeve të Turqisë për ta ndalur fluksin. Një kamp i projektuar për 2,000 vetë tani “strehon” trefishin e atij numri, pas telave me gjemba, në një magmë balte, mbeturinash dhe jashtëqitjesh njerëzore.

Nga Yanis Varoufakis, George Tyrikos-Ergas

Në vitin 2015, qindra mijëra refugjatë mbërritën në brigjet e ishujve të Greqisë. Shumë prej tyre ishin zhdukur në det. Sot, publiku ndërkombëtar është qetësuar duke e bërë të besojë se kriza e refugjatëve në Greqi është zvogëluar. Në fakt, ajo është shndërruar në një goditje të përhershme që dëmton shpirtin e Europës dhe shkakton telashe në të ardhmen. Ishulli i Lesbosit ishte dhe mbetet epiqendra e saj.

Historia e Shabbirit tregon se sa ashpër përplaset realiteti me versionin zyrtar që tregon Europa. Shabbiri, 40 vjeç, jetonte me gruan dhe dy fëmijët e tij të vegjël ë një qytet të mesëm në Pakistan, ku ai drejtonte një biznes makinash me qira. Një natë në dhjetor të vitit 2015, një grup vendas ekstremistësh islamikë bombardoi shtëpinë e fqinjit të Shabbirit dhe priti jashtë familjen që po largohej.

Fqinjët e Shabbirit ishin të krishterë dhe ekstremistët donin t’i dëbonin ata dhe ta shndërronin shtëpinë e tyre në një madrasa (shkollë fetare). Instinktivisht, Shabbiri nxitoi në mbrojtje të fqinjit të tij të krishterë. I cilësuar si një “femohues”, biznesi i tij u dogj, vëllai i tij u vra në mënyrë brutale, gruaja dhe fëmijët e tij ikën në fshatrat fqinje dhe Shabbiri së bashku me babanë e tij të moshuar, morën rrugën e gjatë dhe mizore nëpërmjet Iranit dhe Turqisë, drejt sigurisë që ofron Europa e civilizuar.

Përgjatë rrugës, babai i Shabbirit vdiq nga lodhja në një majë mali turk të mbuluar me borë. Muaj më vonë, pasi arriti të hipte në anijen e lodhur të një trafikanti në bregdetin Egje të Turqisë, ai e gjeti veten në një anije të mbytur, i rrethuar nga dhjetëra refugjatë të mbytur. Pasi e morën në brigjet e Lesbosit, atë e sollën në kampin e Morias. Këtu filloi përvoja tjetër e hidhur për të.

Asnjë perëndimorë që e pa Morian gjatë dimrit të vitit 2016/2017 nuk mundi të mos ndihej i dehumanizuar. Baltë,  plehra dhe jashtëqitje njerëzish krijonin një lloj magme mjerimi, një ferr të rrethuar me tela me gjemba dhe indiferenca zyrtare pasqyrohej në burimet e dobëta të ofruara nga Bashkimi Europian dhe autoritetet greke.

Refugjatë si Shabbiri kalojnë një minimum prej nëntë muajsh para takimit të tyre të parë me ndonjë zyrtar që do të presë aplikimin e tyre për azil. Brenda kampit, një zyrë e vogël, e rrethuar nga më shumë tela me gjemba dhe qindra refugjatë të dëshpëruar, pranon një ose dy në orë për intervistën e tyre të parë. “Nëse je pak i sëmurë, afganë apo pakistanezë, mund të të duhen 12 muaj para se të flasësh me ndonjë zyrtar,” na tha një refugjat. “Ne jemi fantazma që endemi rrotull pa e vënë re njeri,” theksoi ai. “Do të doja të kisha vdekur në luftë në vend që të vija këtu.”

Endja nëpër kamp, izolimi ishte mëse i dukshëm. Disa familje kishin luksin e pasjes së kontenierëve, të vendosur pas gardheve të larta. Pavarësisht mungesës së ujit të rrjedhshëm, ngrohjes apo ndonjë lehtësie tjetër, ata ishin të privilegjuarit.

Të ecje në kodër drejt veriperëndimit ishte si të përjetoje një ngjitje drejt çnjerëzimit. Në fillim atje kishte një zonë me baraka afgane, të zhytura në baltë dhe një erë të padurueshme. Në majë të kodrës kishte pakistanezë në të njëjtat kushte të tmerrshme, të cilët digjnin gjithçka që mund të gjenin që të mund të gatuanin. Pranë tyre kishte afganë, të cilët i kishin frikë të gjithë të tjerët dhe që ndodheshin pas një gardhi me tre tela me gjemba. Në rrëzë të shpatit, tualeteve të tmerrshme gjysmë të hapura, ishin “afrikanët”, në mes të tendave të të cilëve vijnë mbeturina nga shpati.

Një vit pasi Shabbiri arriti në Lesbos dhe tre muaj pas intervistës së tij të parë, aplikimi i tij për azil u refuzua dhe u nxor një urdhër dëbimi. Apeli i tij u kundërshtua dhe kur u përpoq të kërkonte strehë me mbështetës në një fshat aty pranë, policia nisi kërkimin e organizuar të një krimineli. Pas kësaj, ai u dorëzua para se ta rikthenin në Turqi. Që atëherë s’kemi dëgjuar më për të.

Shabbiri i tha njërit prej nesh se kishte imagjinuar se “pavarësisht se ishte mysliman”, Europa do t’i jepte azil “jo se mendoja se duke mbrojtur të krishterë në kurriz të familjes time do të kishte ndonjë rëndësi këtu”, por se “Europa” kishte të tjera ide. Marrëveshja e BE-së më presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, e negociuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, kishte një qëllim të vetëm: Të ndalonte me çdo kusht fluksin e refugjatëve nga Turqia drejt Greqisë. Nëse kjo nënkuptonte se BE-ja do të përfundonte duke e korruptuar Erdoganin me disa miliarda euro për të shkelur legjislacionin ndërkombëtar që mbron refugjatët si Shabbiri, ashtu qoftë.

Vetëm në shtator, rreth 2,238 refugjatë arritën në Lesbos, pavarësisht përpjekjeve të Turqisë për ta ndërprerë fluksin. Një kamp i projektuar për 2,000 njerëz tani “strehon” trefishin e atij numri. Në fillim të tetorit, stuhitë e para të vjeshtës e shndërruan kampin Moria përsëri në një fushë me baltë.

Vetë Europa pretendon se ky krim kundër njerëzimit nuk është faj i askujt. Autoritetet greke fajësojnë BE-në për mos dhënie fondesh, BE-ja fajëson Greqinë se s’po bën mjaftueshëm me fondet që ka në dispozicion dhe shumë OJQ janë të shqetësuara për të mbajtur linjën e tyre të komandës dhe financimit. Të vetmit të mbijetuar në këtë anije morale të mbytur janë ekipet lokale që përbëhen nga vullnetarë nga e gjithë bota dhe OJQ të vogla – që kanë mbajtur gjallë shpirtin e njerëzimit.

Ndërkohë, Perëndimi në përgjithësi dhe BE-ja në veçanti, vazhdon të mbizotërojë faktorët ekonomikë, mjedisorë dhe ushtarakë që çojnë në shpalosjen e fatkeqësive humanitare.

Galrim, një tjetër refugjat pakistanez në Lesbos, na shpjegoi gabimin e Europës: “Ekstremistët islamikë kanë një plan. Duke përhapur frikë dhe urrejtje,” thotë ai, “ata dëshirojnë të krijojnë geto refugjatësh në Europë, për t’i shkëputur ata nga shoqëritë europiane, për t’i bërë ata viktima të ksenofobisë europiane. Është strategjia e tyre e rekrutimit me të cilën ushqejnë zjarret e urrejtjes Lindje-Perëndim dhe i bëjnë ata lojtarë të rëndësishëm.”

Galrimi duhet ta dijë. Një demokrat që kundërshtoi manipulimin e votave në qytetin e tij, trupi i tij u lëndua nga rrjetet e mafies në Turqinë “e sigurt”, pas një sërë torturash për shpërblesë. Në një rast, atë e tërhoqën zvarrë pas një kamioni që ecte me shpejtësi.  Kërkesa për azil e Galrimit u refuzua gjithashtu, duke e vendosur atë në listën e dëbimit.

Rreth 2,500 vjet më parë, Safoja e Lesbosit shkroi:

Zemra e tyre u ftoh

ata i ulën krahët e tyre

Për të mos lejuar që kjo t’u ndodhë humanistëve në të gjithë Europën, neve na duhet një lëvizje e re për të bërë fushatë për çlirimin e refugjatëve nga kushtet e tmerrshme dhe një përshpejtim në procesin e azilit. Përveç kësaj, ne duhet t’i japim fund politikave që po kontribuojnë në largimin e tyre të dëshpëruar.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Lesbos’s Ghosts, Europe’s Disgrace

2 komente në “ANALIZA/ Fantazmat e Lesbosit, turpi i Europës”

  1. Aureli says:

    Shumica genjejne qe te perfitojne nga Europa, histori qe nuk vertetohen i shihni si sillen neper Europé pastaj tju vij gjynah

  2. santiago says:

    Ζ.Varufakis…mos ha mut shume ,se keto qe po thua per Shabirin na e keni bere ju Greket neve shqipetareve dhe me keq akoma

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje