Kosova përgatitet për sfidën e sigurisë nga kërcënimi i luftëtarëve të rikthyer

16 Nëntor 2017, 14:26Rajoni TEMA

Një draft strategji e zhvilluar nga qeveria thotë se luftëtarët që kthehen nga Lindja e Mesme, ndërsa Shtetit Islamik rrëzohet, përbëjnë sfidën më të madhe të ardhshme për sigurinë e vendit.

Nga Die Morina
Strategjia e re Kombëtare kundër Terrorizmit dhe Plani i Veprimit 2018-2022 i qeverisë së Kosovës thotë se luftëtarët që rikthehen nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa i ashtuquajturi Shteti Islamik, ISIS, rrëzohet, janë sfidat e ardhshme në betejën e vendit kundër kërcënimit të terrorizmit.

«Siç është parë në shumë shembuj në Europë, individët e radikalizuar mund të kryejnë akte dhune ekstreme kundër popullsisë dhe institucioneve në vendin e tyre, prandaj rreziku që Kosova të jetë në shënjestër për një sulm të tillë terrorist nuk mund të përjashtohet», thuhet në një dokument të bërë publik të premten.

Ministri i Brendshëm Flamur Sefaj tha për BIRN se fokusi duhet të jetë gjithashtu edhe te mbështetësit e islamistëve radikalë të dhunshëm, si edhe tek vetë luftëtarët e kthyer.

«Është shumë e rëndësishme se si veprojmë në atë rast, duke marrë informacione nga ata, duke i lokalizuar dhe duke i mbajtur nën kontroll, sepse ata vijnë me idenë se secilin nga ne e pret parajsa», tha Sefaj. «Por ajo që është më e rëndësishme të dimë është sa mbështetje kanë këta njerëz në popull, sepse përsa i përket vetë luftëtarëve të huaj, nëse e di afërsisht se sa janë ata, mund t’i kesh nën kontroll, por ajo që është problematike është sa njerëz i mbështesin idetë e tyre».

Ndër kërcënimet e mundshme me të cilat përballet vendi, sipas strategjisë, janë «sulme nga anëtarë të organizatave terroriste, nga luftëtarë të huaj terroristë, nga qeliza të fjetura ose nga simpatizantë dhe mbështetës të cilët mund të jenë të frymëzuar për të kryer veprime të dhunshme». Strategjia paralajmëron gjithashtu për «indoktrinimin me ideologji ekstremiste – indoktrinimin dhe rekrutimin e të rinjve, kryesisht duke përdorur propagandë, për qëllime të organizatave terroriste». Në strategji theksohet se edhe terroristët që hiqen si emigrantë të zakonshëm mund të krijojnë probleme sigurie.

«Duke marrë parasysh pozitën gjeografike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç kthimit të luftëtarëve të huaj që vijnë nga këto vende, një tjetër shqetësim është mundësia që luftëtarët e huaj terroristë nga vendet e tjera të shfrytëzojnë gjithashtu vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u përzier me refugjatët e mundshëm, për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së», paralajmëron dokumenti.

Draft strategjia bazohet në katër shtylla ose objektiva strategjike që përputhen me strategjinë e BE-së kundër terrorizmit: parandalim, mbrojtje, ndjekje dhe përgjigje. Drejtori i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, Burim Ramadani, tha për BIRN se strategjia duhet të përmirësohet, sidomos për të sqaruar se ajo është një strategji kundër terrorizmit dhe jo një strategji për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. «Institucionet duhet ta bëjnë këtë ndryshim, sepse të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me indoktrinimin, përhapjen e ideologjisë dhe propagandës, qoftë në internet apo jo, duhet të trajtohen nëpërmjet strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ndërkaq, kur këto lloj motivesh e kanë pasur tashmë efektin e tyre, mbetet luftimi i terrorizmit dhe parandalimi i akteve terroriste», tha Ramadani për BIRN.

Duke iu përgjigjur argumenteve të Ramadanit, ministri Sefaj tha se të dy problemet ishin të ndërlidhur dhe strategjia trajtonte «e dhunshëm që më pas çon drejt radikalizimit dhe terrorizimit». Ai pranoi se vendi kishte nevojë për dy strategji, një për luftimin e terrorizmit dhe një tjetër për të luftuar ekstremizmin. «Por të gjitha këto strategji shkrihen në një; strategjia e sigurisë kombëtare», tha Sefaj.

Ramadani, i cili i dërgoi komentet e tij autoriteteve për draft dokumentin të hënën, shtoi se institucionet e Kosovës duhet të sqarojnë gjithashtu nivelin e vlerësimit të rrezikut, duke u përqendruar te luftëtarët e huaj. Megjithatë, Sefaj këmbënguli se vlerësim të tilla tashmë janë bërë. «Ne kemi disa hulumtime empirike dhe do të mbështetemi tek ato. E kemi bërë këtë hulumtim bashkë me organizata joqeveritare, siç janë UNDP (Projekti i Zhvillimit i OKB-së) dhe ICITAP i Departamentit Amerikan të Drejtësisë (Programi Ndërkombëtar i Asistencës në Trajnimin për Hetimet Penale) dhe më 22 nëntor do të kemi një konferencë, kështu që njerëzit e dinë se çfarë rezultatesh kanë dalë», tha ai.

Këshilltari për media i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, tha për BIRN se qeveria ishte e hapur ndaj konsultimeve publike mbi draft strategjinë para se ta miratonte atë. «Kushdo nga niveli i institucioneve, shoqërisë civile, ekspertë apo mekanizma të tjera është i lirë të japë kontributet e tij për të përparuar përmbajtjen e kësaj strategjie para se të miratohet», tha Matoshi. Ai shtoi se «strategjia duhet të miratohet nga qeveria në ditët e para të janarit 2018».

Një artikull i «New York Times» i botuar në vitin 2016 thoshte se Kosova brenda një kohe të shkurtër ishte shndërruar nga një vend kryesisht i moderuar mysliman në «tokë pjellore për ISIS-in» – Shtetin Islamik – pjesërisht nga fondet e Arabisë Saudite për financimin e shkollave vehabiste dhe xhamive.

«Kosova tani e gjen veten, si pjesa tjetër e Europës, duke shmangur kërcënimin e islamit radikal», thuhej në artikull. «Gjatë dy viteve të fundit, policia ka identifikuar 314 kosovarë – përfshirë dy individë që kanë hedhur veten në erë, 44 gra dhe 28 fëmijë – që janë larguar jashtë shtetit për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, numri më i lartë për frymë në Europë».

1 komente në “Kosova përgatitet për sfidën e sigurisë nga kërcënimi i luftëtarëve të rikthyer”

  1. Orhan Pamuk[historian nobelist turk,USA]: ''.....muslimonet shqipfoles,jane turq ,jane vazhdim i identitetit turk ne Evrope.........'' says:

    e more beqira si mund te behen njerez ne vazhdim,ata qe kane lyer duart me gjak apo kane nje urrejtie pathologjike ndaj cilit do qe nuk ka fene e tyre,pra islamike………….!?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje