Pakti Rama-Basha? Berisha në “pension”!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Alfred Peza

Për të gjithë ata që ishin skeptikë rreth një pakti “sekret” mes Ramës dhe Bashës, kundër Berishës, kanë patur rastin sot që ta konfirmojnë këtë LIVE, me zë dhe me figurë, për disa orë me radhë. Gjatë seancës plenare të debatit për projektbuxhetin e vitit 2018, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ka munguar ish Kryeministri. Ndërkohë që për herë të parë që nga koha kur të dy, si Rama dhe Basha janë bërë kryetarë të partive respektive PS e PD, ata kanë debatuar për rreth katër orë me radhë me njëri- tjetrin. Duke dominuar jo vetëm foltorene Kuvendit, por krejt majën e skenës së politikës shqiptare.

Ç’farë tregoi ky debat mes liderit të mazhorancës dhe atij të opozitës?

  • Së pari, u shënua hapi i parë i madh, real e konkret për pensionimin edhe “de facto” të Sali Berishës nga skena e politikës shqiptare.
  • E dyta, Lulzim Basha për herë të parë e tregoi veten, se është edhe “de facto” kandidat real për të qenë Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë.
  • E treta, sot seanca maratonë e debatit në Parlament dhe përplasja në formën e një loje të pandërprerë ping- pongu mes Ramës dhe Bashës, tregoi se “de facto” skena e politikës shqiptare nuk është më tri, por dy polare.

Mund të renditen edhe shumë gjëra të tjera, por çfarëdo që të shtosh tjetër në këtë short listë, nuk besoj se do ta ketë rëndësinë e këtyre tri momenteve që duhen mbajtur mënd, nga të gjithë ata që interesohen për çështje historiko- politike të periudhës post komuniste në Shqipëri.

Ka disa arësye se përse po shkohet kaq shpejt drejt këtij rikonfigurimi të ri të skakierës politike.

  1. Drejtimi i ri i punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, që e futi atë shpejt në shinat reale të zbatimit strikt të rregullores së punimeve të saj, (po të përdorim figuracionin e Formula Uno-s) ia hoqi Sali Berishës “karburantin” që e mbante në pistën e garës. Një garë ku ai e kishte të fituar ende pa nisur, për aq kohë se startonte kur e si të donte, më herët se të tjerët dhe me pëlqimin e “gjyqtarit të garës”, ishte i vetmi të cilit i lejohej ti bënte xhirot në pistë, edhe në sensin e kundërt të garës.
  2. Rikthimi i Lulzim Bashës pas katër vitesh mungesë, në sallën e Parlamentit shtronte për zgjidhje njëherë e përgjithmonë, edhe çështjen e zgjidhjes së dilemës nëse PD ishte apo nuk ishte me Kryetar? Ishte apo nuk ishte me dy koka” Dhe mbi të gjitha, cili nga dy gjelat do këndontë i vetëm në foltore?
  3. Kjo u pa qartë nëse paralel me mungesën e Berishës në sallë, ndiqje facebook-un e tij zyrtar. Ku në 5-6 postimet e bëra gjatë ditës, flet sa për “kushtet e mjeruara të grumbulluesve të kromit në Bulqizë”; për “narkodrejtorët e policisë”; “për mafiozët e Ramës që grabisin tokat në Spille të Kavajës”; “rritjen me 45% të çmimit të ujit në Tiranë” e deri për “hajdutët që po bëjnë kërdinë duke vjedhur në Lushnjë dhe kënetën e Durrësit”.

Më sytë e mendjes përfytyroni sikur Berisha të ishte në sallën e Kuvendit këtë të enjte, dhe të donit të mernit me mend, se për ç’farë do të fliste. Mjafton të shohësh postimet dhe temat e mësipërme, dhe konsiderojeni se ka qenë atje dhe të sigurtë të jeni, se do fliste pikërisht për to.

Në këtë mënyrë “pensionimin” e Doktorit nga politika, konsiderojeni tani e tutje në fakt, thjeshtë si një zhvendosje nga skena reale politike, në atë virtuale. Nga salla e Parlamentit, në faqen e tij të facebook-ut. Sigurisht që është edhe meritë e tij, që ka nisur ta bëjë këtë tërheqje. Jo vetëm thjeshtë si një burrë i fjalës së mbajtur, kur u tërhoq nga kreu i PD, akt për të cilin edhe pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti, deklaroi se nuk është “bërë pishman” dhe se nuk “do ti bjeri hasha”. Por, edhe si një xhest “prindërimi politik” për pasaardhësin që ka kaq kohë që përpiqet ta mësojë, që të ngrihet në fluturim, për të vijuar ta udhëheqë i vetëm “bashkësinë” e tij. E për ta udhëzuar vetë, gjithnjë e më pak, e në një distancë gjithnjë e më të largët.

Zëre se keni qenë edhe vetë në sallën e Kuvendit këtë radhë. Të sigurtë të jeni, se Berisha ka qenë në regjinë e asaj shfaqje, ku rolin e aktorit kryesor për herë të parë, e luajti sot nga fillimi në fund, Lulzim Basha. Pavarësisht defekteve, pasigurive, gjuhës së trupit, xhestikulacioneve, ulje ngritjeve të zërit, argumentave dhe sforcimit për të qenë në lartësinë edhe të detyrës dhe të sfidantit ndaj Kryeministrit, duhet thënë se në përgjithësi ka qenë një shfaqje shumë e mirë për kryetarin e PD.

Shfaqje si kjo e sotmja, përgatituni tani e tutje, që të shihini shumë më shpesh. Ndoshta pothuajse çdo të enjte. Ndaj, “do na marë malli” për Berishën në rolin që jemi mësuar që ta shohim për 27 vite me radhë. Për debatet e tij që gjakonin politikë, lidership, karizëm dhe opozitarizëm. E sigurtë është që më shumë se sa ne, atij vetë do i mungojë ajo foltore. Të cilën do ta zëvendësojë gjithnjë e më shumë, me siguri, po postimet në facebook-un e tij. Nëse nuk jeni friends me të, bëjeni. Sepse ai nuk ndryshon. Eshtë i njëjti. Eshtë Sali Berisha. Por në versionin e “pensionistit” aktiv të politikës./Alpenews.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Pakti Rama-Basha? Berisha në “pension”!”

  1. Landi says:

    Fredi, Berisha vate.Janë grahmat e fundit. Po si do të bëjë vendi me këtë palo opozitë.
    Na duhrt ,për të mbajtur nën fre Ramën.
    Ti rrofsh që shkruan.!Ka nevojë për gazetarë si ti .👏👏👍🏻👍🏻

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *