Familja, Zvicra dhe Arsenal… Granit Xhaka rrëfen gjithçka!

18 Nëntor 2017, 10:36Sport TEMA

Nga burgosja e të atit deri te karriera si futbollist profesionist me Arsenalin dhe ekipin përfaqësues të Zvicrës, janë disa nga temat e intervistës, që Granit Xhaka ka dhënë për prestigjozen Britanike “The Guardian”. Mesfushori me orgjinë shqiptare i Arsenalit dhe Kombëtares së Zvicrës, ka rrëfyer jetën e familjes së tij dhe karrierën personale në futboll, duke theksuar burgosjen e babait, Ragib Xhakës, në burgjet e ish-Jugosllavisë.

“Me sa di unë, muajt e parë të tij në burg ishin në rregull, por pastaj filluan rrahjet”-është shprehur Graniti, për babain e tij Ragipin, që ka vuajtur dënime politike në burgjet e ish Federatës Jugosllave. “Si biri i tij, historia është diçka që më prek shumë thellë, është me të vërtetë në zemrën time”-shprehet mesfushori, që aktiviziohet me Arsenalin.

“Për ta përshkruar babin tim siç duhet, ju duhet të vlerësoni thellësinë e plotë të tij. Është kaq tragjike. Ndonjëherë pyes: ‘Më trego përsëri’, por unë ende nuk mendoj se ai i ka zbuluar të gjitha.

Ka patur gjithmonë momente të heshtura, ku unë kam ndier se ai ka fshehur diçka dhe nuk ka treguar të vërtetën. Ndoshta ishte tepër, dhe ai ka dashur t`i kursejë fëmijët e tij nga dhimbja”- është shprehur Xhaka duke rrëfyer për “The Guardian” jetën e të atit dhe vuajtjet e tij në burgjet politike të Serbisë.

Më tej mesfushori i Arsenal ka zbuluar edhe detaje të tjera nga jeta e prindërve të tij, duke theksuar faktin se në kohën kur i ati u burgos, kishte vetëm tre muaj njohje me nënën e Granitit, Elin, e cila aso kohe ishte një vajzë e re dhe e priti babain e Granitit dhe Taulantit për tre vjet, deri sa ai doli nga burgu.

“Një nga detajet më të bukura në lidhje me prindërit e mi është se ata u bashkuan vetëm tre muaj para arrestimit të babait tim”, thotë Xhaka. “Kam një respekt kaq të pabesueshëm për nënën time. Unë kurrë nuk kam dëgjuar për një grua duke qenë së bashku me një burrë vetëm për tre muaj – në atë moshë të re – dhe pastaj duke pritur për të për tre vjet e gjysmë. Nëna ime është thjesht një person i jashtëzakonshëm”-citohet nga intervista e Granit Xhakës.

Më tej, Granit Xhaka ka rrëfyer se pas daljes nga burgu, prindërit e tij emigruan në Zvicër ku dhe më pas lindi Taulanti, mesfushori i Kombëtares shqiptare dhe Graniti, djali i dytë i familjes Xhaka. Ai tregon se i ati ka qenë modeli i tyre në jetë duke i mësuar me forcën e karakterit, për të arritur gjërat që dëshirojnë në jetë.

Jashtë vëmendjes së intervistës nuk mund të shpëtonte as futbolli e pikërisht Arsenal, ku Graniti aktiviziohet. Ai pranon kritikat e tifozëve dhe medias për paraqitjet e dobëta të ekipit duke u shprehur se kritikat e bëjnë më të fortë.

“Ne i meritojmë kritikat pasi nuk arritëm të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar”-thotë Xhaka. “Normalisht, dhe sigurisht për mua, kritikat na bëjnë mirë, na bëjnë më të fortë. Por besoj se veçanërisht për disa lojtarë të Arsenalit kritikat nuk janë të mira sepse nuk po i ndihmon ata”-shprehet Xhaka.

“Personalisht, unë e pranoj kritikën, veçanërisht kur e meritoj, dhe kjo është sepse babai asnjëherë nuk më ka thënë ‘bëre mirë”. Ai e ka bërë këtë me qëllim që të më mbajë me këmbë në tokë”- ka thënë ndër të tjera futbollisti i Arsenal.(Telesport)

 

1 komente në “Familja, Zvicra dhe Arsenal… Granit Xhaka rrëfen gjithçka!”

  1. katarakti says:

    Per kete Xhaken dhe vellain e tij me te vogel kam shume admirim. Jo vetem si futbolliste, por ne rradhe te pare si njerez dhe si shqiptare. Duket se jane rritur dhe edukuar ne nje familje per se mbari. Nuk e harroj shprehjen e njerit perj tyre, qe me ka pelqyer pa mase. “Nuk jam kosovar. jam shqiptar nga trojet e Arberit”. Fantastike. Ky eshte bashkimi kombetar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje