Tronditja e paprecedentë në Arabinë Saudite, intrigat "pushtojnë" pallatin mbretëror

18 Nëntor 2017, 11:56Bota TEMA

Muhammed bin Salman është shndërruar në imazhin e vetëm të politikës në Arabinë Saudite

Edhe duke marrë si shembull intrigat më të fundit të pallatit mbretëror, e shtuna e parë e nëntorit nuk ishte aspak e qetë për Arabinë Saudite, përkundrazi ishte një prej tronditjeve pa precedentë në këtë shtet, shkruan The Economist.

Më 4 nëntor, mbretëria njoftoi se numri i personave të arrestuar, midis tyre, princa, ministra dhe ish-ministra, ishte shumë i madh. Arsyeja ishte një lëvizje masive spastruese antikorrupsion.

Listën e gjatë të këtyre personave e kryesonte princi Waleed bin Talal, investitori dhe biznesmeni miliarder, duke vazhduar me emrat e dhjetëra princave, ministrave aktualë dhe atyre të mëparshëm, kryetarin e Grupit Saudit, Binladin, një konglomerat ndërtimi, si dhe pronarin e MBC, rrjeti më i madh satelitor në Lindjen e Mesme.

Ky është një moment delikat për Arabinë Saudite, duke mos përfshirë këtu intrigat e fundit të pallatit mbretëror. Edhe lufta shkatërrimtare në Jemen, gjatë dy viteve të fundit, që synonte të rrëzonte rebelët e Houthit të cilët përmbysën qeverinë në vitin 2015, e ka zhytur vendin në një krizë humanitare.

Ndonëse Houthët e kanë humbur territorin, ata ende kontrollojnë Sanan, kryeqytetin dhe pjesën më të madhe të Jemenit të veriut.

Ndërkohë që tronditja që përfshiu Arabinë Saudite filloi të shtunën në mbrëmje, Jemeni hodhi edhe një raketë balistike në Riad, por u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes, dhe ishte po aq e pasuksesshme sa edhe bllokada pesëmujore e Katarit, e cila kishte për qëllim të detyronte emiratin e pasur me gaz të mos i mbështeste më grupet islamike.

Ndërkaq rivali i Arabisë Saudite, Irani, po rrit ndikimin e tij në të gjithë rajonin. Në fakt, lajmi tronditës i së shtunës mbrëma nisi me dorëheqjen e Saad Haririt, kryeministrit pro-saudit të Libanit. Z. Hariri njoftoi lëvizjen nga Riadi, duke fajësuar influencën e keqe të Iranit në vendin e tij.

Arabia Saudite është zhytur tani në trazirat e brendshme. Të gjitha këto arrestime dhe e gjithë kjo situatë alarmante në Arabi, mban emrin e mbretit Salman, i cili është 81 vjeç dhe po e humb fuqinë e dikurshme. Emri i vërtetë që fshihet pas kësaj gjendjeje alarmante është ai i Muhammed bin Salman (ose MBS, ashtu siç njihet), i cili u bë princ i kurorës në qershor si pjesë e një tronditje tjetër surprizë.

Edhe pse vetëm 32 vjeç, ai ka në duar një fuqi të konsoliduar dhe po përpiqet të ndjekë një plan ambicioz. Në shtator, policia mblodhi dhjetëra kritikë, nga klerikët myslimanë tek aktivistët e të drejtave të njeriut. Menjëherë më pas mbreti dekretoi që grave do t’u jepej e drejta për të drejtuar makinën vitin e ardhshëm, duke i dhënë fund një ndalimi të gjatë prej shumë dekadash.

Pak javë më vonë, në një konferencë në Riad, MBS u bëri thirrje investitorëve, duke treguar planet e tij, për ndërtimin e një zone ekonomike prej 500 miliardë dollarësh, të quajtur Neom, stafi i së cilës do të përbëhej kryesisht nga robotë.

Lista e reformave të tjera ekonomike dhe kulturore është e gjatë, duke filluar nga hapja e kinemave, deri tek ofrimi i një pjese të Aramcos, gjigandit të naftës në pronësi të shtetit, në një Ofertë Fillestare Publike.

Dhe ta quash një situatë të tillë pa precedentë, do të ishte vërtet një nënvlerësim.
Për dekada me radhë, mbretërit sauditë janë përpjekur të krijojnë konsensus brenda familjes mbretërore. Ndryshimi ishte i domosdoshëm dhe pushteti u nda, veçanërisht midis shtatë vëllezërve sauditë të njohur me emrin Sudairi Seven dhe pasardhësve me shumë ndikim të mbretit Abdulaziz, themeluesit të shtetit.

Bilanci delikat ishte më i qartë brenda tre degëve të forcave të sigurisë. Princi Sultan mbajti postin e ministrit të Mbrojtjes për më shumë se 48 vjet. Princi Nayef, dhe më vonë i biri, Muhammedi, kontrolluan Ministrinë e Brendshme për më shumë se katër dekada. Dhe që nga viti 1963, Princi Abdullah (i cili më vonë u bë mbret) ishte komandant i Gardës Kombëtare, një institucion ushtarak i rëndësishëm dhe përgjegjës për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Të tria këto poste, tani janë nën kontrollin e MBS. Princi i kurorës u bë ministër i Mbrojtjes vetëm disa orë pasi babai i tij u ngjit në fron në vitin 2015. Në qershor, kjo dyshe e pushtetshme hoqi nga posti i tij ministrin e Brendshëm dhe e zëvendësuan atë me një politikan të ri, por shumë besnik. Muhammed bin Nayef, ish-princ i kurorës, jo vetëm që u la mënjanë nga ky rreth pushteti, por edhe u dënua me arrest shtëpiak.

Të shtunën e kaluar, me shkarkimin e princit Mutaib, djali i dytë i mbretit Abdullah, nga roli i tij si Komandant i Gardës Kombëtare, dyshja e pushtetshme përfundoi atë që kishte nisur prej kohësh. Kur mbreti Abdullah ndërroi jetë në vitin 2015, djali i tij, princi Mutaibi mendohej se do të ishte mbreti i ardhshëm, por ashtu si dhe pjesa tjetër e familjes, edhe ai u përjashtua. Prandaj, në njëfarë kuptimi, arrestimet e së shtunës u panë të panevojshme.

Ndonëse z. Bin Talal është shumë mendjehapur, ai është gjithashtu një i huaj, një princ me pak ndikim në politikën saudite. Përveç princ Mutaib, zyrtarët e listës së zezë janë shumë të dobët. Megjithatë, arrestimet e tyre u dërgojnë një mesazh të qartë kritikëve të tjerë të ardhshëm. MBS, më shumë se çdo udhëheqës tjetër për dekada me radhë, e ka shndërruar veten në imazhin e vetëm të politikës saudite.(monitor)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje