SHIFRAT/ Lulëzon tregu i trojeve, ja çmimet nga zonat e industrializuara deri në bregdet

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Ndryshe nga segmentet e tjera të pasurive të paluajtshme, trojet duket se kanë ngecur në vend. Edhe pse agjentët e pasurive të paluajtshme tregojnë se ka pasur një kërkesë në rritje për të blerë troje, finalizimi ka munguar. Arsyet pse të huajt nuk po shfaqin më interes dhe problematikat e këtij segmenti të tregut…

Nga Ledina Loga

Në ndryshim nga ecuria në segmentet e tjera të tregut të pasurive të paluajtshme, si ai i banesave dhe i qirave, segmenti i trojeve duket se vijon të mbetet i vakët. Edhe pse, sipas aktorëve të tregut, ka pasur interesim të individëve për të blerë troje, finalizimi i transaksionit, në pjesën më të madhe të rasteve, ka munguar.

Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, kërkesa më e madhe për troje ka qenë për ndërtim banese, ndërkohë ka munguar kërkesa për troje në bregdet. Por, edhe nëse ka pasur, ato janë shumë të rralla dhe nuk kalojnë në ndërmjetësimin e tyre.

“Kërkesa, ndryshe nga 2015-2016, në vitin 2017 ka qenë më e lartë. Nisur nga komplekset rezidenciale që janë bërë, njerëzit janë nisur që të bëjnë diçka më ekonomike vetë, por ka munguar finalizimi, sepse në zonat që janë momentalisht në shitje, mungon informacioni për çfarë mund të ndërtohet. Problematikat mbeten të njëjtat, ku blerësit potencialë stepen nga mungesa e informacionit.

Çmimet kanë vijuar të mbeten stabël

Nga të dhënat e grumbulluara nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, nivelin më të lartë të çmimeve për troje vijon ta ketë brezi i parë i autostradës Tiranë-Durrës-Tiranë. Në zonën afër Tiranës, çmimet për metër katror të njësisë truall fillojnë nga 180 deri në 200 euro.
Sipas të dhënave të agjencive, në segmentin e autostradës, pas Vorës deri në Maminas, çmimet për metër katror luhaten 70-80 euro për metër katrorë. Më pas rriten sërish duke iu afruar qytetit të Durrësit, ku çmimet fillojnë nga 100-120 euro për metër katror.
Në brezin e dytë, në varësi të aksesit nga rruga, çmimet për metër katror fillojnë nga 25 deri në 50 euro për metër katror.

Trojet në bregdet, në varësi nga distanca nga bregu i detit dhe nga qyteti, variojnë nga 80 – 150 euro për metër katror. Ka dhe sipërfaqe trualli në distancë, por kanë pamje nga bregu i detit, ku çmimet variojnë nga 30-40 euro metër katror.
Për sa u përket tokave në bujqësi, interesi ka qenë shumë i vogël, dhe ky segment i tregut është i përqendruar në përgjithësi në zonën Kavajë-Lushnjë-Fier, ku çmimi për metër katror luhatet në 3 deri në 4 euro. Trojet e lira brenda qytetit janë më të rralla dhe çmimet, shumë herë më të larta.

“Brenda zonave urbane ka gjithmonë kërkesa. Të vendosësh një çmim për truallin është e vështirë. Çmimi i truallit në zonat urbane përcaktohet në tre mënyra kryesore, me mënyrën e investimit, krahasim të drejtpërdrejtë dhe vlerësim”, – tha inxhiniere Xheni Jahja nga Tirana Real Estate. Njerëzit duan likuidim të menjëhershëm, shtoi ajo.

Kërkesa, troje për banim dhe për magazinim

Sipas agjencive, në segmentin e trojeve, ka pasur interes veçanërisht për trojet për banim. Zona rreth qendrës tregtare TEG, zona e Farkës dhe Lundra kanë pasur kërkesë, duke qenë se është formësuar si zonë për banim, tha Dritan Caka nga agjencia e pasurive të paluajtshme DevInf.
Edhe inxhinier Xheni Jahja, nga Tirana Real Estate, argumentoi se si një alternativë më ekonomike, njerëzit kanë investuar në troje për të ndërtuar për banim. Vilat në periferi u bënë trend, por çmimi disi i lartë shpeshherë nuk përballohet. Prandaj individët marrin përsipër të jenë disi më larg lehtësive, dyqaneve apo shërbimeve të ndryshme, dhe ndërtojnë diçka edhe më modeste në sipërfaqe.

Megjithatë, përpos interesit për troje për banim, ajo shtoi se ka pasur interes edhe në zonat industriale, veçanërisht për sipërfaqe për magazinim.
Ing. Jahja thotë se ka kërkesë për sipërfaqe të ndërtuar magazine, sipas standardeve, por edhe për kapanone për të zhvilluar aktivitetin kompanitë e fasonerisë.

Në mungesë të këtyre ambienteve, bizneset kanë blerë troje për të ngritur kapanone, ku sipas zonjës Jahja, kjo ka qenë zgjidhje e drejtuar, për shkak të nevojës dhe jo zgjedhja më ekonomike.
Një mundësi e mirë investimi, thotë ajo, do të ishte ndërtimi i magazinave me standarde dhe dhënia e tyre me qira, që do të ishte një e ardhur e sigurt.
“Shikoj si investim shumë të mirë, të blesh për të ndërtuar magazinë dhe t’i japësh me qira”, – tha Jahja.

Bregdeti, kërkesa sporadike

Për trojet në bregdet janë kryesisht të interesuar individët apo kompanitë që duan të zhvillojnë resorte dhe zoti Caka thotë se kanë qenë kryesisht kompani shqiptare. Kompanitë e huaja kanë shfaqur shumë pak interes.

Çmimet e trojeve në bregdet, në varësi të afërsisë me bregun e detit, janë luhatur nga 80 deri në 150 euro për metër katror.
Edhe ing. Xheni Jahja ka argumentuar se në bregdet, sipërfaqet janë të vogla. Sipërfaqet e mëdha janë më të lehta për t’u marketuar, me qëllim tërheqjen e investitorëve për të zhvilluar resorte. Kjo gjë, sipas saj, e bën ofertën tepër të kufizuar.

Të huajt humbin interesin

Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, të huajt kanë humbur interesin për të investuar në troje në Shqipëri. Sipas zonjës Jahja, pas krizës ekonomike globale nuk ka pasur ndonjë interes nga të huajt për trojet në bregdet. Kryesisht kanë qenë kompanitë shqiptare të interesuara. Ndërsa Dritan Caka e lidh mungesën e interesit nga të huajt me problematikën e pronës në Shqipëri.

Zoti Caka tha për “Monitor” se një mundësi e mirë për të rregulluar situatën në bregdet, ku fragmentarizimi i tokës pengon investimet në resorte, është ndjekja e modelit të Turqisë. Ai tha se, për të rregulluar këtë, duhet të vendoset si ndërmjetësues shteti. Në rastet e investimeve strategjike, shteti duhet të ndërhyjë duke bërë shpronësimet me çmime tregu.
Ndërsa zonja Jahja tregon se më parë, interesi nga të huajt ka qenë më i lartë.

“Marrëveshje e vështirë”

Edhe pse ka pasur kërkesa, veçanërisht për banim, ka munguar finalizimi.

Kjo pasi në zonat që janë momentalisht në shitje, mungon informacioni se çfarë mund të ndërtohet. Dhe individi është më pak i fuqishëm për të marrë vendime. Shitësi nuk e jep informacionin e plotë dhe nuk e di mirë se çfarë mund ta bëjë pronën që ka.

P.sh., nuk e di nëse mund të kthejë një tokë arë në tokë truall dhe cilat janë kostot për ta bërë këtë, – dha si shembull zonja Jahja nga Tirana Real Estate.

Agjenti ynë e ka të pamundur të ndjekë se çfarë mund të ndodhë në këtë sipërfaqe.

Duhet të vijë informacioni nga ofertuesi. Në botë, kjo është e përcaktuar.

Pra toka ka kodin dhe e ka të caktuar çfarë mund të bëhet mbi këtë tokë.

Problematika vijon e njëjtë, nuk rekomandohet blerja për rishitje

Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, pikërisht gjithë problematikat e këtij segmenti kanë ndikuar në ecurinë e tregut, që në ndryshim nga ecuria e shitblerjeve të apartamenteve, por edhe qirave, ka qenë i dobët.

Çështjet ligjore, fragmentarizimi, bashkëpronësia, roli që kanë në vendimmarrje edhe individët që kanë përqindje të vogla të pronës kanë bërë që shpeshherë të mos finalizohet transaksioni, edhe nëse ka pasur kërkesë.

Sipas agjentëve, problematika e trojeve nis që me mungesën e informacionit që ka pronari mbi tokën që zotëron.

Ndër të tjera, problematikë kanë qenë edhe kufijtë e papërcaktuar mirë apo ku sipërfaqja në letra me sipërfaqen në reale është e ndryshme.

Agjentët shtojnë se, në përgjithësi, edhe nëse ka ndonjë lëvizje të tregut, nuk kalon nëpërmjet agjencive të pasurive të paluajtshme, por ka një tendencë të rregullimit mes vetë individëve.

Për sa i përket blerjes për rishitje, të paktën në këtë moment, nuk këshillohet.

Çmime e trojeve sipas zonave

-Brezi i parë i autostradës Tiranë-Durrës-Tiranë. Në zonën afër Tiranës, çmimet për metër katror të njësisë truall fillojnë nga 180 deri në 200 euro.

-Në segmentin e autostradës, pas Vorës deri në Maminas, çmimet për metër katror luhaten 70-80 euro për metër katrorë.

Duke iu afruar qytetit të Durrësit, ku çmimet fillojnë nga 100-120 euro për metër katror.
-Në brezin e dytë të Tiranë-Durrës, në varësi të aksesit nga rruga, çmimet për metër katror fillojnë nga 25 deri në 50 euro për metër katror.

-Trojet në bregdet, në varësi nga distanca nga bregu i detit dhe nga qyteti, variojnë nga 80 – 150 euro për metër katror.

-Ka dhe sipërfaqe trualli në distancë, por kanë pamje nga bregu i detit, ku çmimet variojnë nga 30-40 euro metër katror.

-Për sa u përket tokave në bujqësi, në zonën Kavajë-Lushnjë-Fier, çmimi për metër katror luhatet në 3 deri në 4 euro.

-Në zonën e Farkës një metër katror kushton nga 80-150 euro, në varësi të vendndodhjes.(monitor)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “SHIFRAT/ Lulëzon tregu i trojeve, ja çmimet nga zonat e industrializuara deri në bregdet”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *