Zoti Lu foli edhe për opozitën e Lulit

19 Nëntor 2017, 15:01Politika TEMA

Nga Artur Ajazi

Ashtu si para dhe tani përgjatë nisjes së procesit të Vettingu-t, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, është lajmi kryesor në mjedisin politik, duke u vërtitur gjithmonë rreth të njëjtave tema, “dekriminalizimi , drejtësia e molepsur, dhe peshqit e mëdhenj” që kanë 27 vjet që vegjetojnë në pellgje të ndyra. Disa ditë më parë zoti Lu, u kujtoi gjimnazistëve të qytetit të vogël të Rëshenit se “në demokraci, çdo qeverisje që nuk është në sinkron me interesta e qytetarëve duhet të përmbyset”, duke përmendur madje edhe emra bandash , nga më të rrezikshme të vendit.

Fjalët e ambasadorit Lu, gjithmonë kanë patur efektin e duhur mediatik, ndërsa politikanët (nxiton e para opozita) mes tyre nuk harrojnë të tjerrin hipotezat e para si “Lu foli për qeverinë, Lu foli për ministrat” etj, etj. Kjo tashmë është bërë bajate, aq sa kjo opozitë duket më shumë se e pabesueshme. Por një tjetër anë e medaljes së fjalimeve të Lu-së mbetet edhe nënteksti dhe nënkuptimi që ai ka edhe për veshin e “shurdhër” të opozitës. Kjo pasi kryediplomati amerikanë në Tiranë, flet me gjuhën e përfaqësuesit të DASh dhe jo me orekset e ndonjë politikani që sa herë i preken interesat, dhe sa herë i duhet të zbatojë rregullat e lojës në demokraci i sulet edhe SHBA edhe BE. Madje në rradhët e opozitës ka nga ata që mendojnë dhe besojnë se “zemërimi i zotit Lu, ka të bëjë vetëm me qeverinë e re që megjithëse e ka marrë vetë timonin, nuk po jep asnjë shenjë reflektimi se ka ndërmend të përballet me krimin dhe bandat”.

Kjo duket më shumë se absurde për çdo hamendësi dhe se çdo mëndje dritëshkurtër që vjen kryesisht nga oborri dhe “oborrtarët” e SHQUP-it, kur kujton se është pikërisht kryeministri Rama, ai që në dy muajt e fundit i ka shpallur luftë të hapur bandave kriminale, dhe çdo deputeti apo qeveritari që ka patur, dhe që i zbulohen nga hetimet lidhjet me rrjetet kriminale. Ishte pikërisht Rama ai që ish-ministrin e përjashtoi nga çdo funksion politik, nga çdo mbështetje politike, duke i lënë dorën e lirë Tikut dhe “çunave të tij” të hetojnë dhe ta kryqëzojnë atë, dhe cilindo tjetër që i vërtetohen lidhjet me bandat dhe trafikantët. Ngjarja e rëndë e Elbasanit, dhe goditja që policia i dha pastaj jo vetëm drejtuesve të dyshuar se ishin të lidhur me elementët kriminalë, por edhe elementëve kriminalë, ishte sinjali më i qartë për këdo që përpiqet të fshihet edhe pas fjalëve të zotit Lu.

Rama i dha një mesazh të qartë edhe kreut të PD, për të spastruar rradhët e partisë tij nga çdo element me lidhje të dyshimta, apo edhe çdo drejtues lokal (si rasti Mallakastrës) që rezulton i dënuar nga organet e drejtësisë. Pra rezulton se fjalët e zotit Lu, nuk kanë qenë dhe nuk janë vetëm për qeverinë, vetëm për gjykatat dhe prokuroritë, por edhe për opozitën dhe kreun e PD zotin Basha. Vetëm një opozitë e reformuar , ka të drejtën të kërkojë reformimin e pozitës. Thirrja e tij që “pas Vettingu-t për gjyqtarët duhet nisur edhe ai për policinë” duket se ka mbështetur modelin e Edi Ramës për të mos bërë vetëm spektakël,duke prekur thelbin e dekriminalizimit edhe brenda uniformave blu.

Fjalimet dhe thirrjet e zotit Lu, shihen si një mbështetje për ministrin e Brëndëshëm zotin Xhafaj , dhe si spunto e tij për të marë pushtet përtej kufijve të caktuara nga Rama. Sipas nëntekstit të fjalimeve të zotit Donald Lu, tashmë është e qartë se “DASH ka nisur fazën e dytë të betejës me krimin në Shqipëri, dhe se ambasadori foli qartë me emra, për kriminelët e politikës, si për ata që ishin në parlament, dhe për ata që kanë patur lidhje të hershme me bandat dhe elementët e trafikut”. Pas një procesi të gjatë, politika shqiptare sot është në rrugën e gjatë dhe të vështirë të dekriminalizimit , dhe se sinjalet e para të një rruge pa kthim i dha pikërisht Rama dhe partia e tij, duke u hequr mandatin dhe mbështetjen politike, çdo emri që rezultonte i njollosur nga drejtësia.

Procesi i spastrimit të politikës nga elementë të dënuar, në selitë e opozitës ka mbetur në kufijtë e moralit dhe propogandës. Politika amerikane e përfaqësuar nga ambasadori Lu në Tiranë, e ka theksuar vazhdimisht se “krimi dhe bandat në Shqipëri prej vitesh kanë patur lidhje me pushtetarë të fuqishëm”, duke nënkuptuar se “së shpejti do të tregohen të gjitha lidhjet konkrete midis njerëzve të krimit dhe njerëzve të politikës së lartë tek të dy krahëve të politikës shqiptare”. E ndërsa Rama dhe PS vazhdimisht në këto vite kanë treguar se “nuk mbështesin asnjë individ që rezulton i lidhur dhe kompromentuar me rrjetet kriminale dhe ato të trafikut” duke i hapur rrugën organeve të drejtësisë, duket se nga kampi kundërshtar nuk ka gjasa të ndodhë kjo.

Pra nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë që zoti Basha, pavarsisht këmbënguljes së zotit Lu, të nxjerrë jashtë rradhëve të partisë tij, çdo person dhe pushtetar lokal që rezulton me probleme me drejtësinë. Madje lidershipi opozitar, arrin deri aty sa të sakrifikojë partinë për të shpëtuar çdo pushtetar lokal. Këto veprime që bien ndesh me moralin e politikës dhe asaj çfarë opozita e Lulit deklaron për “dekriminalizimin”, natyrisht synojnë të sakrifikojnë moralisht, politikisht dhe fizikisht edhe PD. Ajo që presin shqiptarët të shtyrë më tepër nga dëshira se kurioziteti, është vendosja e moralitetit edhe në elitën e lidershipit të opozitës sepse Lu foli edhe për opozitën.

2 komente në “Zoti Lu foli edhe për opozitën e Lulit”

  1. lu foli po kujt i foli. luli dhe lu e kuptojne njeri tjetrin por dhe nuk e durojne njeri tjetrin. sepse luli ka friken se i hapen letrat.

  2. spartaku says:

    Ambasadori LU e ka fjalen per peshq te medhenj,te cilet jane ata, qe, jo vetem zoti Lu i di shume mire se jane te regjistruar ne listat e FBI-s dhe te CIA-s amerikane,por edhe i gjithe populli shqipetar,qe eshte Sali Berisha,Lulzim Basha me bandat famekeqe te tyre,qe deri sot ata kene bere reprazalje.Ata jane peshqit e medhenj, dhe ata do arrestohen me ceremoni spektakolare,ne sy te popullit.SHBA-ja do nje demokraci funksionale ne shqiperi,te cilen Berisha dhe Basha,e kane,shperdoruar e kane injoruar,e kane sabotuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje