STATISTIKAT/ Shqiptarët harrojnë lekun, përdorimi i euros kap nivelin më të lartë

Një vrojtim i Bankës Qendrore Europiane tregon se agjentët financiarë në rajonin e Ballkanit vazhdojnë të parapëlqejnë përdorimin e euros në vend të monedhës së tyre kombëtare kryesisht për arsye të cilat lidhen veçanërisht me besimin.

Në një studim të publikuar së fundmi “Roli Ndërkombëtar i Euros”, BQE referon se preferenca për euron është veçanërisht e lartë në Shqipëri dhe Maqedoni.

Preferenca për euron në këto vende po udhëhiqet nga pritshmëritë jo optimiste për ardhmen dhe me kujtimet e hidhura të sa kaluarës.

“Krizat janë përcaktues të rëndësishëm të vendimeve të individëve për të kursyer apo për të paguar në para në euro” thuhet në vrojtimin e BQE.

Banka ka vërejtur se pas krizës së borxheve në Eurozonë të vitit 2009 ka nisur të bjerë besimi ndaj euros i koordinuar edhe me politikat kombëtare të vendeve.

Por Shqipëria dhe Maqedonia vijuan të kenë nivelin më të lartë të përdorimit të euros në transaksionet e tyre cash në raport me vendet e tjera.

Sipas të dhënave të BQE, euro zuri 28% të cash në Shqipëri në vitin 2016, nivel më të lartë pati vetëm Maqedonia me 33%. Vendi që ka përdorur më së shumti euron në rajon ka qenë Serbia.

Në vitin 2007, serbët mbanin 44% të cash-it në euro, teksa në vitin 2016 kjo sasi është përgjysmuar me vetëm 22%. Rënia e përdorimit të euros ka qenë e ngurtë në Shqipëri pasi gjatë 10 viteve përdorimi i saj ka rënë me vetëm 4%.

BQE referon se pas krizës financiare globale dhe krizës së borxhit të Eurozonës, besimi në euro ka rënë dhe frekuenca e mbajtjes së parave në euro është ulur.

Dërgesat mujore neto të kartëmonedhave euro për në destinacionet jashtë zonës së euros sugjerojnë se kërkesa e huaj për kartëmonedha euro ka rënë në 2016.

Por Banka Qendrore Europiane pohon se përdorimi i euros në vendet jashtë Eurozonës ka rënë edhe për shkak se ajo ka vendosur të ndërpresë prodhimin dhe lëshimin e kartëmonedhës 500 euro.

BQE ka gjetur se kartëmonedhat cash të euros në vendet jashtë Eurozonës janë shumë më të mëdha se, treguesit zyrtar nga transfertat e bankave dhe flukset ndërkufitare.

Nëpërmjet një metode indirekte vlerësimi, e cila përfshin sasi të flukseve të kartëmonedhave duke kombinuar informacionin mbi qarkullimin e brendshëm, qarkullimin e monedhave dhe supozimet mbi faktorët potencialë që krijojnë këto flukse, sugjeron që qarkullimi aktual i kartëmonedhave jashtë zonës së euros mund të jenë shumë më i lartë.

Sipas kësaj metode, banorët jashtë zonës së euros zotërojnë 341 miliardë euro, shifër kjo gati dy herë më e lartë se ajo që tregojnë të dhënat zyrtare të dërgesave.(monitor)

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *