Verdikti gjyqësor për "kasapin e Ballkanit"

22 Nëntor 2017, 09:23Rajoni TEMA

Ka 6 vjet që ish-gjenerali dhe kreu i ushtrisë serbo-boshnjake, Ratko Mladiç përgjigjet para Tribunalit të Hagës. Sot jepet vendimi. Një proces që zgjati 523 ditë, dhe ku u pyetën mbi 600 dëshmitarë.

Lista e akuzave kundër Ratko Mladiç është e gjatë dhe përfshin krimet më të rënda: Për shkak të gjenocidit, shkeljeve të rënda të konventës së Gjenevës për Të Drejtat e Njeriut, krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, Mladiç është akuzuar nga Tribunali i Hagës. Nga prilli i vitit 1992 deri në korrik 1995 ai akuzohet se ka sulmuar me ushtrinë e tij të serbëve boshnjakë fshatra të tërë në Bosnje-Hercegovinë, ka bastisur e shkatërruar. Mijëra të vdekur, dëbime sistematike dhe përdhunime të popullsisë jo-serbe gjatë viteve luftës i faturohen Ratko Mladiçit. Ai bëhet përgjegjës edhe për pushtimin tre vjeçar e bombardimin e Sarajevës dhe për përgatitjen e kryerjen e gjenocidit në Srebrenica në korrik 1995.

Prologu i gjenocidit

“Qëlloni drejt e në mish! Drejt e në mish” Ata nuk kanë asgjë, ata kanë vetëm disa armë të thjeshta, e kjo është e gjitha”. Këtë e ka urdhëruar Ratko Mladiç me radiomarrëse në ofensivën e zonës së atëhershme në mbrojtjen e OKB-së, në Srebrenicë. 30.000 boshnjakë u dëbuan para syve të helmetkaltërve nga shtëpitë e tyre, 8.000 të rinj e burra u ekzekutuan dhe u hodhën në varre masive. Masakra më e madhe në Europë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore u krye.

Vetë Mladiç, një nacionalist i tërbuar e shihte veten si hakmarrësin e serbëve për sundimin qindra vjeçar të turqve në Ballkan. Në mediat ndërkombëtare ai cilësohej “kasapi i Ballkanit”.

Karriera në Kroaci

Karrierën e tij Mladiç e filloi si komunist i bindur. I lindur në vitin 1943 në Bosnjen lindore, ai ishte dy vjeç, kur babai i tij, partizan i Titos, u vra nga milicët fashistë të ustashëve. Më vonë ai ndoqi akademinë jugosllave në Beograd dhe i mbylli studimet si një nga më të mirët. Në fillim të luftës në Jugosllavi në qershor 1991, Mladiç u emërua kolonel i ushtrisë jugosllave në korparmatën 9 në Kninin kroat. Detyra e tij ishte të organizonte milicët serbë në luftë kundër pavarësisë kroate. Nën komandon e tij u bombarduan qytetet Sibenik dhe Zadar.

Karriera në Bosnje-Hercegovinë

Në maj 1992 ai ishte në të njëjtën detyrë në Bosnje-Hercegovinë, ndërkohë i emëruar gjeneral. Mladiç ishte komandanti i trupave të serbëve boshnjakë dhe luftoi për të krijuar një lidhje mes rajoneve të serbëve në Lindje dhe në perëndim të Bosnjes. Ishte Mladiç ai që personalisht urdhëroi pushtimin dhe bombardimin e Sarajevës. Sipas tij, këtë ai e përsërit rregullisht publikisht, duhej të sulmoheshin vetëm objektiva ushtarakë. Por një sinjal i kapur në radiomarrëse dëshmon të kundërtën. “Duhet të mbani nën goditje ndërtesën e presidiumit dhe parlamentit”- shpërthim- “Aty nuk ka shumë serbë. Ne do t’i shkatërrojmë ata (boshnjakët).”

Kundërshtar i planeve ndërkombëtare

Për shumë vëzhgues ndërkombëtarë, Mladiç kokëfortë u kthye në sinonimin e injorimit të perëndimit. Një deklaratë që i mvishet atij ishte: “Kufijtë shënohen me gjak dhe shtetet me varreza”. Megjithëse zyrtarisht ai ishte vartës i kreut politik të serbëve boshnjakë, Radovan Karadxhiçit, Ratko Mladiç kishte brenda lidershipit të serbëve boshnjakë një ndikim të madh. Ai nuk ka qenë asnjëherë vetëm një ushtar i thjeshtë. Ishte ndikimi i Mladiçit që bëri që parlamenti serbo-boshnjak të refuzojë planin e paqes të vitit 1993 të ndërmjetësuesit ndërkombëtar, David Owen dhe Cyrus Vance.

Më 25 korrik 1995, pak para nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, Mladiç së bashku me Karadxhiçin u akuzuan nga Gjykata Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë në Hagë për krime në Bosnje-Hercegovinë. Një vit më pas, presidentja e re e Republikës Srpska, Biljana Plavsiç e largoi Mladiçin nga detyra e kreut të ushtrisë. Më pas Mladiçi kaloi në ilegalitet, dukshëm me mbështetjen e politikanëve serbë dhe ushtrisë. Por në fshehtësi të madhe Mladiçi nuk jetoi. Disa herë ai u pa nëpër restorante apo stadiume futbolli, i sigurtë për ndihmën e mbështetësve të tij.

Në maj 2011 Mladiçi u arrestua në Serbi, presioni ndërkombëtar ndja Serbisë ishte shumë i madh. Prej më shumë se gjashtë vitesh ai po qëndron në Hagë. Të mërkurën (22.11) për 74 vjeçarin do të jepet vendimi në instancën e parë. Një proces që ka zgjatur 523 ditë dhe ku u dëgjuan 600 dëshmitarë. Mladiçi gjithmonë ka theksuar pafajësinë e tij, akuzat ndaj tij ai i cilësoi si “të neveritshme” ndërsa Tribunalin e Hagës si “satanik”.

Mbështetësve të tij, Mladiçi u thoshte se e ka me vete një pilulë helmi,dhe se i gjallë nuk do të kapet. Por këtë pilulë ai nuk e përdori asnjëherë, ndërkohë në burgun e Hagës ai ka kaluar tre goditje cerebrale. Vajza e tij vrau veten, pak para fundit të luftës në vitin 1994, sepse nuk i duronte dot më akuzat që i bëheshin babait në Kroaci e Bosnje-Hercegovinë. Një vetëvrasje e bërë me pistoletën që babai mori në përfundim të studimeve në akadaminë ushtarake si nxënësi më i mirë.(DW)

2 komente në “Verdikti gjyqësor për “kasapin e Ballkanit””

  1. Janullatos arxidoglyftis says:

    Ne emer te orthodhoksisë……. !

  2. kashi says:

    tani sa u denua me burgim te perjetshem ne oren 12;00

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje