Rinovim dhe klauzolë mbi 200 milionë Euro, Interi blindon Icardin

27 Nëntor 2017, 13:14Sport TEMA

Mauro Icardi është padiskutim protagonisti kryesor i sezonit fantastik që ka zhvilluar Interi deri tani. Me 15 gola të realizuar në 14 ndeshje, kapiteni është lideri i një skuadre që po ecën me ritëm të frikshëm dhe po u tregon të gjithëve se këtë sezon do të thotë fjalën e saj në garën për titullin e Serisë A.

Për momentin Icardi është sulmuesi me statistikat më të mira në Europë përsa i përket goditjeve në portë dhe golave të realizuar.

Përpara portës “Maurito” është një “killer” i vërtetë aq sa për të po lëvizin klubet më të mëdha të Europës me Chelsea-in e Realin e Madridit që janë gati të paguajnë klauzolën prej 110 milionë eurosh që ekziston në kontratën e tij me Interin, për t’ia shkëputur argjentinasin zikaltërve. Megjithatë dashuria e Icardit për Interin është aq e madhe saqë ai nuk dëshiron të largohet pa fituar diçka me zikaltërit madje në mendjen e 24-vjeçarit amerikano-jugor ekziston ideja për ta përfunduar karrierën te Interi dhe për t’u shndërruar në një njeri simbol te skuadra zikaltër ashtu si Javier Zanetti.

Për të shmangur interesimin e Realit dhe Chelsea-it, sipas asaj që raporton gazeta italiane “Corriere Della Sera”, drejtuesit e Interit shumë shpejt do të nisin bisedimet me kapitenin për të rinovuar kontratën aktuale e cila skadon në vitin 2021.

Nga marrëveshja e re që pritet të firmosë me Interin, në shenjë vlerësimi për atë që po shfaq në fushë, ku po merr për dore skuadrën me golat e tij, argjentinasi do të përfitojë një pagë vjetore më të lartë se 4,5 milionë eurot që merr aktualisht, ndërsa në kontratë do të përfshihet një klauzolë e re largimi që do t’i kalojë 200 milionë eurot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje