Kanë kosto “të kripur”, ja pse trajnerët e huaj rezistojnë më shumë

7 Dhjetor 2017, 15:38Sport TEMA

Trajnerit të Kukësit Mladen Milinkovic i duhet të fitojë pikë të plota në 3 ndeshjet e radhës për të qëndruar në krye të skuadrës. Është ky ultimatumi, apo objektivi i radhës në kampin verilindor, ku çdo javë nuk mungon refreni mbi stolin e trajnerit që lëkundet.

Presioni, në fakt, nuk është një gjë e re për kampionët në fuqi, por durimit të Gjicit duket se po i vjen fundi. Vështirë të imagjinosh që Ernest Gjoka apo Klodian Duro të kishin mbetur në drejtim me të njëjtën ecuri rezultatesh.

Përtej gjykimit të presidentit për punën e trajnerit, një rol të rëndësishëm në këtë rast duket se luan dhe kontrata. Largimi i njëanshëm i Milinkovicit do të kishte dhe një kosto financiare për Kukësin dhe ky është një faktor jo pak i rëndësishëm.

Nuk ndodh e njëjta gjë me trajnerët shqiptarë. Janë të shumtë teknikët që përsëritin se kolëgët e tyre të huaj këtu mbivlerësohen, por kopsitja juridike e marrëveshjes në rastet e trajnerëve shqiptarë shpeshherë çalon, e ndoshta akoma më shpesh ka të bëjë edhe mentaliteti. Pjesëtarë të ambientit ku punojnë prej një jete, trajnerët shqiptarë e kanë më të lehtë për të dhënë dorëheqjen.

Për Cungun nuk kishte nevojë për një ultimatum, mjaftoi pakënaqësia e tifozerisë në Shkodër për rezultatet, që trajneri të kërkonte largimin nëpërmjet një sms-je.

Për Artan Banon pavarësisht, një faze përgatitore plot mangësi dhe një kontributi të rëndësishëm në vite për Lushnjën, largimi ishte i paevitueshëm, ndërsa Magani ishte ai që pak javë më pare, duke u ndier në borxh me tifozët dhe presidencën, deklaronte publikisht një dorëheqje, që më pas nuk u pranua.

Raste në antitezë të plotë me atë që ndodh me të huajt.

Tifozët e Partizanit e kishin të vështirë t’i besonin Iulianon pas cdo humbjeje kur deklaronte se skuadra luajti mirë dhe fatin e tij duhet ta vendosë klubi.

Trajnerët e huaj jo domosdoshmërisht janë më rezultativë, por më të shtrenjtë, patjetër që po, kur vijnë dhe kur ikin./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje