PS marrëveshje me NDI, Balla: Do mbështesë Akademinë Politike në krijimin e udhëheqësve të rinj. Transparencë financimit të partive

10 Dhjetor 2017, 11:19Politika TEMA

Taulant Balla ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit më të lartë të Institutit Demokratik Amerikan, ku nënshkruan edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Partisë Socialiste dhe Institutit Demokratik Amerikan (NDI).

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste u shpreh se konkretizimi i këtij memorandumi bashkëpunimi është tepër i vyer për zhvillimin e transparencës së financimit të partive politike në vend.

Në mbyllje të vizitës së tij në SHBA, Balla shprehet se “Një fakt tjetër i rëndësishëm është se NDI është i gatshëm të mbështesë dhe të asistojë Komisionin e Reformës Zgjedhore.” 

Prononcimi i plotë

Krahas vizitës dhe takimeve shumë të mira që zhvilluam në Kongresin Amerikan me drejtuesit më të lartë të kongresit, ku u theksua miqësia ndërmjet dy vendeve tona, por edhe partneriteti strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, një pjesë e rëndësishme e kësaj vizite ishte edhe konkretizimi tashmë i një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet PSSH dhe Institutit Demokratik Amerikan, në disa çështje të rëndësishme.

Së pari, Instituti Demokratik Amerikan do të mbështesë Akademinë Politike të Partisë Socialiste në krijimin dhe mbështetjen e udhëheqësve të rinj politikë.

Po ashtu, për ne është shumë e rëndësishme asistenca e vyer që ky institut, siç njihet ndryshe NDI, do të japë për transparencën e financimit të partive politike.

Kujtoj që aktualisht një prej çështjeve më të rëndësishme e që po diskutohet edhe në politikën shqiptare është pikërisht transparenca, mënyra si financohen partitë politike në Shqipëri. Kemi një parti politike në Shqipëri mbi të cilën rëndojnë akuza mbi mënyrën e financimit të një veprimtarie lobingu edhe këtu në SHBA.

Do doja të theksoja që NDI është i gatshëm të mbështesë dhe të asistojë Komisionin e Reformës Zgjedhore përsa i përket reformës së domosdoshme që duhet të konkretizojmë sa më shpejt, edhe përsa i përket çështjes së zgjedhjeve.

Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një komision, i cili duhet të konkretizojë punën e tij sa më shpejt. Jam shumë i gëzuar që ne mundëm që edhe me Institutin Demokratik Amerikan( NDI) të konkretizojmë këtë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Partisë Socialiste dhe NDI.(TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje