Skenari i njëjtë: CEZ largohet nga Bullgaria e Turqia, siç iku nga Shqipëria

10 Dhjetor 2017, 15:36Ekonomia TEMA

Kompania çeke e energjisë CEZ po planifikon të largohet nga Bullgaria dhe Turqia, për shkak të konflikteve me autoritetet vendore.

Sipas “Bloomberg”, CEZ është në bisedime për të shitur asetet e saj në Bullgari, të cilat përfshijnë rrjetin e shpërndarjes së energjisë dhe disa termocentrale me qymyr.

Skenari i largimit të CEZ-it nga Bullgaria është thuajse i ngjashëm me atë të Shqipërisë. Në vitin 2013, mijëra bullgarë dolën në protesta kundër kompanisë çeke, për shkak të faturave të larta të energjisë.

Protestat çuan në rrëzimin e qeverisë, ndërkohë që Enti bullgar i Energjisë detyroi CEZ-in të ulë çmimet, e më vonë pezulloi licencën e saj përkohësisht. Por, vitin e kaluar, CEZ e paditi qeverinë bullgare në Arbitrazh dhe çështja është ende në shqyrtim.

Pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, CEZ është larguar në konflikt me qeveritë vendase. Në vitin 2011, kompania paditi qeverinë e Bosnjes duke kërkuar 60 milionë euro për projektin e termocentralit të Gackos, por gjykata i dha të drejtë qeverisë.

Dy vite më vonë, CEZ e paditi qeverinë shqiptare të 2013-s duke kërkuar rreth 200 milionë euro dëmshpërblim. Por, pas zgjedhjeve, qeveria e re “PS-LSI” e zgjidhi konfliktin përmes një marrëveshjeje mirëkuptimi. Qeveria pranoi të paguajë 95 milionë euro për CEZ-in, ndërsa kjo e fundit tërhoqi padinë në Arbitrazh.

Marrëveshja shkaktoi përlasje të forta politike në Shqipëri. Qeveria thotë se, përmes marrëveshjes, shpëtoi Shqipërinë nga një faturë e sigurtë 200 milionë euroshe të lënë nga qeveria e Berishës, por opozita e cilësoi atë si një aferë korruptive.

Ndërkohë që, dy vite më parë, KLSH-ja kallëzoi penalisht ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, për marrëveshjen, e cila sipas institucionit suprem të auditimit i ka shkaktuar vendit një dëm prej 450 milionë eurosh. Por kallëzimi u rrëzua nga Prokuroria.(TCH)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje