Vjedhësit  e festës

10 Dhjetor 2017, 16:03Blog TEMA

Nga Ilir Yzeiri

Sa herë që vijnë festat e nëntorit apo ato të dhjetorit nuk ndiej atë emocion që do të duhej të ndiente çdokush në një rast të tillë. Jam munduar të kuptoj se përse festat nuk më kanë pëlqyer dhe asnjëherë nuk kam gjetur përgjigjen e mjaftueshme për të shpjeguar atë gjendje si prej boshi apo gri që më shkaktojnë ditët e festave.

Në kulturën e festave njeriu është përpjekur të ndërtojë mitologjinë e rikujtimit dhe glorifikimit. Nuk është këtu as vendi dhe as mundësia që të shtjellosh tesktin apo narrativën e festave nga njëra anë dhe njeriun, nga ana tjetër. Një gjë është e sigurtë se, kur shoqëritë njerëzore u mbuluan me religjion, atëhere festat apo jeta e mëpastajme e njeriut, do të shenjohej nga rikujtimi i jetës dhe i bëmave të profetit dhe shenjtorëve. Kur njerëzit shmangën profetërit dhe u bënë vetë zotër dhe drejtues të jetës së bashkësisë apo komunitetit, ata i shenjuan me data të posaçme edhe bëmat e atyre që kishin lënë gjurmë në jetën e bashkësisë. Krahas ditëlindjes së shenjtorëve dhe profetit, festohej apo kujtohej edhe ditëlindja e një kombësie të organizuar në shtet. Ndërsa mitologjia komuniste e përmbysi tekstin e përkujtimit të festave dhe ndërtoi një narrativë tjetër festimesh. Kujtoni këtu revolucionin rus apo Ushtrinë e Kuqe dhe sillni për një çast ndërmend edhe patosin me të cilin festoheshin te ne ngjarjet që shenjuan nga fillimi jetën e shqiptarëve kur komunistët fituan Luftën dhe erdhën në pushtet. Jo vetëm se gjithçka u riemërtua, çdo kodër apo çdo rrugë u shenjua nga fitimtarët e rinj, por edhe koha u ndal dhe tani jeta, sa i takon kuptimit të saj, shenjohej vetëm nga përsëritja e kujtimeve që vinin nga epopeja e komunistëve në luftë dhe në punë.

Ndryshimi mes festave religjioze dhe atyre laike është i thellë dhe tragjik, sepse, në rastin e parë, mesazhi, kuptimi apo përmbajtja e veprës së shenjtorit, nuk mund të vidhen dhe për ta vjedhur atë nuk ënëdërron askush. Mesazhi i jetës apo veprës së shenjtorëve është një barrë që të vdekshmit nuk duan ta kenë në shpinë. Ata luten që t’i ngjajnë atij, të bëjnë ato të mira që ka bërë ai, por, në heshtje, e dinë që janë mëkatarë të pandreqshëm. Në rastin e heronjve të vdekshëm për një kauzë të lartë, apo të një lëvizjeje mbarëpopullore që sjell përmbysje epokale, puna ndryshon. Heronjtë që vriten, ikin, por vepra e tyre vidhet dhe shpërdorohet nga ata që e shpallin veten vazhdues të idealeve të tyre. Lufta Nacionalçlirimtare ështe vërtet një nga ngjarjet e mëdha të historisë së shqiptarëve, por idealet e saj, frymëzimi dhe heroizmi i tyre u vodh dhe u shpërdoruar nga ata që e shpallën veten ndjekës dhe vazhdues të ëndrrës dhe të idealit të tyre. Askush nuk do të ishte vrarë në atë luftë në qoftë se do ta dinte që, në emër të gjakut të tyre, në vend do të ndërtohej një nga diktaturat më të egra në Europë që do të ndërtohej një shtet dhe një mirëqënie e kufizuar vetëm për një pjesë të popullit dhe që do të shtypej, vritej e internohej pjesën tjetër. E njëjta gjë ndodhi edhe më 8 dhjetor. Sot festën e rinisë që u ngrit në protesta për të kërkuar rrëzimin e sistemit komunist dhe për ta bërë Shqipëriën si gjithë Europa, e festojnë më së shumti hajdutët e idealeve të studentëve. Partia Demokratike nuk ka lidhje me 8 dhjetorin. Partia Demokratike u formua si një formacion politik nga përfaqësues të borgjezisë komuniste të cilët uzurpuan atë lëvizje dhe u paraqitën zyrtarisht si një formacion politik në garën për pushtet që u hap pasi nomenklatura e lartë komuniste, nën presionin e lëvizjes studentore që mbështetej nga pjesa më e madhe shqiptarëve, lejoi pluralizmin politik. Është paradoksale të mendosh sot se ai që rrëmbeu kreun e kësaj lëvizjeje u fut në politikë nga kafja e 15-katëshit.

Të gjithë ata që iu bashkuan atij formacioni politik ishin po ashtu njerëz të lidhur me klane dhe me tarafe që këtë rast magjik e shfrytëzuan për të gëzuar të mirat që do të vinin nga rrëmbimi i pushtetit. Ata që flasin për heroizma apo për sakrifica në dhjetorin e vitit 1990 nuk kanë lidhje me ata idealistë nga radhët e studentëve, të cilët, sapo u krijua Partia Demokratike si një formacion politik i borgjezisë komuniste, ose u përjashtuan nga pjesëmarrja ose u vranë, siç ishte rasti i Arben Brocit. Shembulli tipik i kësaj vjedhjeje ishte Azem Hajdari. Sapo u krijua Partia demokratike ai e pa veten jashtë saj dhe gjithë karriera e tij politike deri ditën që u vra u shenjua nga përplasja me Partinë Demokratike dhe me Sali Berishën. Partia Demokratike nuk është trashëguesja e vlerave të Lëvizjes së Dhjetorit. Lëvizja e Dhjetorit si frymëzim dhe si ideal pushon me krijimin e Partisë Demokratike. PD-ja ishte dhe mbeti një parti politike pa orientim të qartë. Ajo më shumë i ngjet një formacioni politik okult dhe të ndërtuar mbi interesa klienteliste dhe krahinore që tani në fund është vënë tërësisht në shërbim të Sali Berishës dhe familjes së tij. PD-ja e ndërtoi modelin e saj politik duke kopjuar Partinë e Punës dhe duke zëvendësuar strukturat e saj me emra të tjerë. Sipas modelit të Partisë së Punës, udhëheqësi i Partisë nuk ndërrohet, partia është ai vetë dhe ai vetë është partia. PD-ja është Berisha dhe Berisha është PD-ja.

Strukturat e saj duhet t’u ngjajnë strukturave të Partisë së Punës dhe në këtë pikë ngjashmëria është perfekte. Anëtarët e Komitetit Qëndror dhe Anëtarët e Këshillit Kombëtar janë njësoj. Deputetët duhet të jënë numra siç ishin në Kuvendin Popullor dhe qeveria vullnet i njëshit. I vetmi frymëzim politik dhe i vetmi ideal është lufta. Po ta shohësh retorikën e PD-së e gjitha është e ndërtuar mbi metaforat e luftës kundër komunistëve. Një ish-komunist që lufton kundër komunistëve. Ndërsa si frymëzim ekonomik apo si model zhvillimi, Partia Demokratike, sapo mori pushtetin, jo vetëm që nuk ishte e qartë, por i frymëzoi të gjithë se tani kuptimi i jetës është vetëm paraja dhe fitimi me çdo kusht. Të gjithë u derdhën mbi trupin e kalbur të ekonomisë socialiste dhe e masakruan me lloj-lloj privatizimesh. PD-ja i frymëzoi të gjithë me pasionin antishtet dhe antiligj. Në emër të pasurimit të shpejtë dhe pa kriter, çdo krim ishte i lejueshëm. Mund të trafikoje femrat, të bëjë kontrabandë, të shisje e të mbillje drogë, të ndërtoje kudo mjaft që të fitoje. Dhe kulmi i kësaj çmendurie ishin firmat pirmadiale. Ky ishte frymëzimi dhe kuptimi i jetës në kapitalizëm sipas Partisë Demokratike. Ndërsa demokracia si sistem që ndërrohet me votë u varros që në vitin 1996 dhe sot e gjithë ditën shqiptarët nuk po shpëtojnë nga ky virus. Viti 1997 ishte apokalipsi që frymëzoi Partia Demokratike kur erdhi në pushtet.

Nëse në festat fetare zakonisht njerëzit mbidhen e përshpirtin e luten për të vdekurit dhe për të përkujtuar veprën e mëshiruesit, në festat laike njerëzit, në pjesën më të madhe, janë të detyruar të shohin vjedhësit e këtyre përvjetorëve dhe në vend që të luten për idealet që nuk janë më, për frymëzimin që është shterur, për krimet që janë kryer në emër të atyre idealeve, mblidhen dhe dëgjojnë hajdutët e festave që ju tregojnë dhe ju recitojnë të njëjtin tekst, atë tekst që ata e shkruan ditën kur nënshkruan dokumentin e vjedhjes së fitores dhe të festës. Duke qenë autorët e kësaj vjedhjeje, ata flasin pa iu dridhur qerpiu duke kujtuar një kohë dhe një ideal që e kishin të tjerët, por që ne të gjithë duhet të besojmë se tani e kanë këta që rrinë në tribunën e kujtimit. Po, e kanë, por e kanë si një plaçkë të vjedhur.

2 komente në “Vjedhësit  e festës”

  1. ILIRET says:

    Ilir ! Shprehja me e sakte qe ue nuk e kam degjuar ndonjehere, por shume e gjetur, kur e mendon dhe kur i mer nje per nje themeluesit e PD-se, eshte kjo qe keni thene ju:
    – Partia Demokratike u formua si formacion politik nga perfaqesues te borgjezise komuniste …

  2. @autori says:

    Nje analize perfekte per politiken e vjedhjes ne Shqiperi.
    Vetem mos te harrojme, se kjo vlen edhe per krahun tjeter..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje