ANALIZA/ Kosovës i ka mbetur aq pak tokë, Demarkacioni nyje gordiane

11 Dhjetor 2017, 13:40Rajoni TEMA

Nga Ibish Neziri

Dilemë! Çfarë të bëhët, të pritet apo të zgjidhet kjo nyje gordine e quajtur demarkacion?

Ka kohë që opinioni në Kosovë gjendet në një fushë, e cila pa ndërprerë bombardohet me kërcënime për pasoja të rënda për Kosovën, kërcënohet me izolim, me … , ku të gjenden tani gjithë ato fjalë për të ilustruar pasojat e mosratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

E gjithë kjo bëhët në mënyrë të orkestruar në të cilën marrin pjesë si violinë e parë, pas disa diplomatëve të huaj, të cilët në vende normale e me udhëheqës normal, me siguri se do të ishin shpallur persona non grata që moti, edhe disa analistë e gazetarë që gjë në jetën e tyre të hajrit nuk kanë bërë, pos poltronizmit deri në zvarritje ndaj të huajve.

Se Kosova humb territor me këtë caktim të vijës kufitare nuk ka dilemë, ashtu si nuk ka dilemë se edhe me caktimin e vijës kufitare me Maqedoninë ka humbur, gjë që mund të thuhet se Debelldeja është Shën Naumi i Kosovës dhe pjesët e lëna në territorin e Malit të Zi, Vermoshi i Kosovës.

Nëse nuk është kështu, si mund të jetë ndryshe?

Po diti kush, pos atyre që e kanë nënshkruar, le ta thotë, ashtu siç e tha në mënyrë eksplicite Shëtim Bulliqi bashkë me anëtarët e Komisionit të ri Qeveritar, se Kosova humb territor.

Thirrjet e nënshkruesve të marrëveshjes me Malin e Zi dhe negociuesëve edhe mund të kuptohen, ngase edhe gabimi më i vogël i tyre, i vërtetuar, ata do t’i nxirrte në aut duke i çuar në dorëheqje të detyrueshme, por të ashtuquajturit gazetarë dhe analistë, të cilët më shumë me tryezate tyre gjasojnë me këshillin e ndrikullave se sa në analistë nuk di se si mund të kuptohen dhe të shpjegohen ndryshe pos si shërbëtorë që për një shetitje pa vizë apo një fjalë të mirë për ta nga ndërkombëtarët, apo edhe për një kockë janë në gjendje të japin copëra e copëra tokash, pa a bërë mend se janë toka të atdheut të ujitura brez pas bresi me gjak.

Secili nga këta të vetë e ashtuquajtur analistë është më histerik se tjetri. Ata me thirrjet e tyre të stilit „nesër është vonë!“ dhe shantazhet që ua bëjnë atyre deputetëve që janë kundër demarkacionit në këtë format, po bëjnë përpjekje që popullin ta nxisin kundër tyre.

Kur i dëgjon njeriu dokrrat e tyre për kërcënimin nga izolimi dhe mbetjen vetëm të Kosovës, nuk mund të mos e sjell ndër mendë një bisedë të Adem Demaçit me njërin prej diplomatëve amerikanë në kohën e Konferencës së Rambujesë, i cili duke u përpjekur ta bind Adem Demaçin për ta pranuar marrëveshjen e Rambujesë, e kërcënon se Kosova do të mbetet vetëm.

Adem Demaçi i bindur thell¨në fitore i thotë se Kosova e shqiptarët nuk do të mbeten vetëm ngase Zoti është me ta, gjë që e kishte bërë diplomatin amerikan (mendoj Holbrook-un) t’i thotë: „Nëse zoti është me juve, edhe ne do të jem!“ Zoti gjithnjë do të jetë me ata që tokat e veta i ruajn e i çmojnë dhe nuk i falin e nuk i shesin për hiq! Por, ta zëmë se demarkacioni ratifikohet, po cili do të jetë rezultati, a po fiton Kosova me këtë ratifikim apo nuk po fiton dhe nëse po, çfarë po fiton?

Çështja e liberalizimit të vizave është çështja më e keqpërdorur në këto vitet e fundit, sidomos nga një pjesë e spektrit plitik shqiptarë dhe „analist“. Pos pyetjes së lartëshënuar, shtrohet çështja se me liberalizimin e vizave çfarë fitohet?

Unë mbase edhe mund të jem injorant e nuk e kuptoj aq mirë, por nuk fitohet asgjë më shumë se e drejta e sorollatjes tremujore nëpër vendet e Shëngenit, shpenzimit edhe të atyre pak kursimeve që mund t’i ketë ndonjëri dhe kthimit prapa kokulur, pa të drejtë pune apo studimi.

Sikur pak toka i janë marrë Kosovës, deri tani me luftëra, tani, ata që janë të thirrur për t’i mbrojtur, duan t’i japin vetë, për teka e tregim besnikërie ndaj të huajve, dhe për ruajtje të pozitave, të cilat me të vërtetë të uzurpuara pa asnjë meritë, por përmes pazaresh të ndryshme.

Kryeministri pas një stërngarkimi të qeverisë me ministra, zëvendësministra e këshilltarë të panumërt, më në fund, duke e dërguar demarkacionin, këtë nyje gordiane, në parlament, bëri diçka të mirë. Tani është në dorën e deputetëve. Se a do të zgjidhet apo pritet kjo nyje varet nga ta.

Uroj që bjeshkët e Kosovës në kufi me Malin e Zi, ashtu si Debelldeja u bë Shën Naum i Kosovës, të mos bëhën Vermosh për një karrikë a një sorollatje pa vizë apo benicion nga të huajt çfarëdoqoftë ai! Kosovës i ka mbetur aq pak tokë!

1 komente në “ANALIZA/ Kosovës i ka mbetur aq pak tokë, Demarkacioni nyje gordiane”

  1. Haka Tekizoti says:

    Haka tek i zoti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje