Debatet brenda partisë: A po shkohet drejt përçarjes së pariparueshme të Vetëvendosjes?

11 Dhjetor 2017, 09:59Rajoni TEMA

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë është përfshirë ditët e fundit në debate të brendshme, pas rrjedhjes së disa komunikimeve në Viber, ku një prej deputeteve të kësaj partie fyente ish-liderin Albin Kurti.

Në lidhje me këto zhvillime brenda gjirit të partisë, ka pasur qëndrime të ndryshme.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, thotë se debatet nuk e dëmtojnë Vetëvendosjen. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Lajçi madje ka pohuar se debatet e bëjnë atë më të fortë. Ai ka thënë se nuk sheh diçka serioze që përmes këtij debati të ketë përçarje të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë, ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Arton Muhaxheri, thotë se problemi me Vetëvendosjen është i pariparueshëm.

I cituar nga gazeta Blic, Muhaxheri thotë se në VV ka tre grupe njerëzish: ata që janë me Albin Kurtin, ata me Shpend Ahmetin dhe Dardan Molliqaj si dhe grupi tjetër që nuk ka guxim të pozicionohet.

Muhaxheri thotë se fundi nuk do të jetë i lumtur për këtë parti.

Ndërkohë, analisti Azem Vllasi e shpjegon ndryshe situatën e krijuar brenda partisë. Në një prononcim për Klan Kosovën, ai thotë se gjeneza e problemit është momenti kur Albin Kurti vendosi të mos ishte më kryetar i Vetëvendosjes, por mbeti lideri i kësaj partie.

“Vetëvendosja është duke u përballur me një situatë të tillë, sepse aty ka edhe energji destruktive, ka edhe njerëz të prirë për dhunë, por edhe njerëz të mençur, por megjithatë kanë ambicie të dominojnë. Prandaj, lindin ambicie që ata të jenë liderë të pakontestueshëm”, thotë ai. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje