Ndërsa ne flasim për zëvendësministra në Kosovë…

14 Dhjetor 2017, 16:32Rajoni TEMA

…Serbia hap edhe dy kapituj të tjerë për anëtarësim në Bashkimin Europian, bën plane për hapjen e një kanali, i cili do të lidhte Danubin me Mesdheun, ndërton hekurudhë ultramoderne për në Budapest dhe, mes tjerash, shqyrton ofertën e konzorciumit Zurich Airport për aeroportin e Beogradit.
Nga Enver Robelli

Sa zëvendësministra i ka Kosova tani për tani? Me gjasë këtë nuk e di as vetë shefi i qeverisë, por sinqeriteti i tij është aq i frikshëm, saqë thotë se është i vetëdijshëm se ka shumë zëvendësministra, andaj do të përkujdeset që ata «ta nxjerrin rrogën».

Ky formulim «gjenial» tregon se vetë kreu i qeverisë nuk e ka të qartë se çfarë detyra kanë zëvendësministrat dhe shpresa e tij e vetme me gjasë është që ata të nxjerrin rrogën.

Bëni diçka, vraponi, ecni vërdallë, vizitoni ndonjë vend, shkruani ndonjë raport, mbani ndonjë takim të shpifur – ky, pak a shumë, duket se është mesazhi. Me apo pa zevendësministra – ky kryeministër e ka gjetur fjalën e tij të preferuar. Ajo është fjala «nuk».

«Dialogu nuk ka logjikë nëse s’përfundon me njohje reciproke», «Haradinaj nuk ka përgjigje për heqjen e Kartonit të Gjelbër», «Vërejtja e fundit e Haradinajt për ministrat që nuk vijnë në Kuvend» (tituj të sotëm në portalin e «Kohës Ditore»). «Me duhet të ju them se për ligjin për qeverinë nuk e kam mbështetjen, andaj duhet që atë të sjellim në Kuvend për qeverinë e ardhshme» (një nga margaritarët e dëgjuar sot në Kuvend).

Ndërsa «nuk-qeveria» vazhdon të punojë pandërprerë, por pa rezultate të dukshme, ndërsa vazhdon dalldia kolektive mbi disa grindje në një parti opozitare, ndërsa ish-kryeministri i thotë kryeministrit se nuk ka pasur më shumë se 47 zëvendësministra (thua se edhe këta janë pak), vendet e tjera ecin përpara. Një gjë nuk duhet të harrohet: edhe ministrat dhe zëvendësministrat e qeverisë së kaluar marrin 70 për qind të rrogës 12 muaj pasi të dorëzojnë postin.

Pak matematikë: nëse qeveria e kaluar kishte 47 zëvendësministra dhe kjo e tanishmja i ka 70, atëherë nga buxheti paguhen 117 zëvendësministra. Për këtë fenomen neveritës boshnjakët tregojnë një barsoletë: nëse dilni në çarshinë e vjetër të Sarajevës dhe me zë të lartë brohorisni: «Mirëmëngjesi, zoti ministër», atëherë të gjithë do të kthehen nga ju, sepse secili është ministër.

Paramendojeni çfarë tollovie bëhet në Sheshin Nëna Terezë nëse dikush në orën 9 të mëngjesit thotë me zë të lartë: «Mirëmëngjesi, zoti zëvendësministër». Çfarë tollovie do të bëhej në kafehanen «Soma» nëse pas orës 11:00 do të dëgjohej një zë: «Mirëmëngjesi, zoti ministër»?

Ndërkohë disa lajme nga fqinjësia. Serbia këto ditë i ka hapur edhe dy kapituj për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në gjymsën e parë të vitit 2018 pritet që Beogradi të hapë edhe tre kapituj të tjerë. Kështu ka gjasa që numri i kapitujve të hapur të mbërrijë në 15.

Në anën tjetër: për shkak të paaftësisë së klasës politike Kosova mbetet vend i izoluar, i ndëshkuar me regjim të vizave, një rast i pashembullt në Europën e vitit 2017. Ndërkohë për të marrë me koncesion aeroportin e Beogradit ka shprehur interesim edhe Zurich Airport, një konzorcium zvicerano-francez. Interesim kanë shprehur edhe kompani të tjera.

Kryeministrja serbe llogarit që koncesionari do të paguajë deri në 450 milionë euro në buxhetin e Serbisë. Sa kanë paguar koncesionarët turq për aeroportin e Prishtinës? Fakti që për aeroportin e Beogradit interesohet një kompani serioze zvicerane, ndërsa aeroporti i Prishtinës i jepet një kompanie turke, e cila pothuaj të gjitha bizneset brenda aeroportit ua jep firmave turke dhe kështu u ngrit barriera ndërmarrjeve vendore, flet shumë. Nuk duhet humbur këtu shumë fjalë për cilësinë e dobët të ndërtimit të terminalit të ri të aeroportit të Prishtinës, për ndriçimin katastrofal, për nivelin e ulët të pastërtisë dhe të sigurisë.

Ndërkohë që politika në Kosovë ka zbritur në nivelin e përrallave, meseleve dhe anekdotave, Greqia, Maqedonia dhe Serbia po planifikojnë hapjen e një kanali, i cili do të lidhte Danubin me Mesdheun. Për të realizuar këtë megaprojekt duhen së paku 17 miliardë euro.

Rruga e re ujore do ta lidhte Danubin përmes lumit të Moravës me lumin e Vardarit, i cili derdhet në Detin Egje në perëndim të Selanikut.

Duke pasur parasysh koston e lartë dhe terrenin e vështirë nuk është e sigurt nëse do të hapet ky kanal, por fakti që për këtë po flitet, ndërsa në viset tona (Prishtinë e Tiranë) llomotitet për zëvendësministra dhe për kanabis, tregon se sa shumë e kanë humbur rrugën republikat shqiptare. Ndërkohë për 1,8 miliardë euro po sanohet linja hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit.

Në të ardhmen e afërt 350 kilometrat mes dy kryeqyteteve do të kalohen për dy orë e gjysmë (tani trenit i duhen tetë orë për të ecur nga Beogradi në Budapest). Ndërkohë që ne flasim për zëvendësministra…

2 komente në “Ndërsa ne flasim për zëvendësministra në Kosovë…”

  1. Klimax says:

    Nuk behet stani me lepuj more Enver! Mentaliteti i “viseve tona” ngelet ne nivelet e nje sanxhaku te epokes osmane. Atehere, per ato vise ku procesi i evolucionit “harroi te shkeli”, me cfare llogjike do krahasohen me gjitonet??!!

  2. Baliu says:

    Ne skemi nevoje te brengosemi kur i kemi miqet e forte. A te kujtohet ai triku “gjenial”: Ne vetem i fusim miqet tane ne “kurthe” dhe ata shkrihen duke punuar per neve, sepse “frigohen” se po ju bie kredibiliteti para neve. Ose mjafton te emrohet ndonje femije, apo ndonje rruge, apo ndonje permendore me emrin ndonje personaliteti te miqeve, dhe ata prap shkrihen per neve. Te kujtohet ajo poezia e Qajupit: Burrat nen hije, lozin kuvendojne, pika qe s’u bie, se nga “miqet” rrojne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje