FIFA kërcënon Spanjën me përjashtim nga “Rusi 2018”

15 Dhjetor 2017, 15:55Sport TEMA

Spanja rrezikon të përjashtohet nga Botërori i Rusisë. Lajmi i bujshëm publikohet nga e përditshmja spanjolle “El Pais”.

Sipas saj, në zyrat e Federatës Spanjolle të Futbollit ka ardhur një letër e FIFA-s, e cila bën një paralajmërim të fortë duke theksuar se përfaqësuesja iberike mund të përjashtohet nga Kupa e Botës për shkak të ndërhyrjes së organeve qeveritare në çështjet e Federatës.

Ishte propozimi i i Këshillit të Lartë Sportiv për përsëritje të zgjedhjeve, që u bënë në muajin maj, shkaku i këtij kërcënimi të FIFA-s.

Ky Këshill, kohët e fundit dërgoi një kërkesë në zyrat e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, ku kërkohej përsëritja e procesit të zgjedhjeve, kërkesë kjo që jo vetëm u pranua nga ky institucion, por ky i fundit doli me një rezolutë në favor të këtij procesi.

FIFA e konsideron këtë qëndrim të Këshillit të Lartë Sportiv, si një ndërhyrje qeveritare që vë në rrezik autonominë e Federatës dhe që shkel statutin e saj.

Sipas “El Pais”, Këshilli i Lartë Sportiv kërkonte daljen tërësisht jashtë loje të Villar, duke qenë se ai vazhdon të jetë ende president i këtij institucioni, edhe pse i pezulluar, duke vënë në rrezik edhe vazhdimësinë e Larreas, që pretendonte të qëndronte në këtë detyrë deri në vitin 2020.

Këshilli i Lartë Sportiv ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë paralajmërim të tillë, megjithatë vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e tij për përsëritjen e të gjithë procesit zgjedhor, duke parë edhe parregullsitë e zbuluara gjatë operacionit “Soule”.

Situata në Spanjë ka tërhequr vëmendjen e Italisë, e cila do të marrë vendin e iberikëve në Rusi, nëse ata përjashtohen. Një histori që përsëritet, duke qenë se edhe Peruja para pak kohësh u ndodh në të njëjtën situatë.

Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i qeverisë së futbollit spanjoll, që ka përgënjeshtruar lajmin për kërcënimin e FIFA-s. Presidenti i “RFEF”-së, Larrea pranoi se u takua me Infantinon gjatë shortit të Kupës së Botës, duke e vënë në dijeni për atë çfarë po ndodhte në futbollin spanjoll.

Në të njëjtën kohë, Larrea i ofroi edhe një takim të mundshëm me ministrin e Arsimit, Inigo Mendez de Vigo, dhe Sekretarin e Shtetit, Lete, një takim që sipas tij do të jetë vetëm informativ dhe jo ndëshkues.

“Askush nuk do ta përjashtojë Spanjën nga Botërori, – theksoi Larrea. – Është e pamundur. Ky është kulmi që flitet për të tilla gjëra. Nuk kuptoj çfarë pretendojnë, të largojnë Spanjën për të sjellë Italinë në Botëror? Federata po funksionon normalisht, Spanja e fitoi kualifikimin në fushë, e në këtë pikë FIFA dhe ne jemi në një mendje”.

1 komente në “FIFA kërcënon Spanjën me përjashtim nga “Rusi 2018””

  1. mistreci says:

    Pepinot e shkrete, mbeten duke lexuar lajmet, ne pritje te ndonje perjashtimi qe te futen edhe ata ne Boteror. Beni sevap, gjeni ndonje ekip qe duhet larguar, se po te kishte qene ne dore te shqiptareve ky muhabet, e kishin rregulluar Edi Rama me Erjon Braçen; Por puna eshte se jashte kufirit nuk e pjerdh kush, as te gjatin dhe as te shkurterin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje