Protesta e së Hënës, si mbrojtje e pandëshkueshmërisë në politikë!

17 Dhjetor 2017, 08:53Politika TEMA

Nga Altin Ketro

E Hëna e parafundit e këtij fundviti po tentohet të trajtohet nga opozita e shthurur shqiptare si një ditë përplasjeje mazhorancë – opozitë. Sa më shumë afron tiktaku i mbledhjes së Kuvendit, aq më tepër rritet doza e kërcënimeve destabilizuese, të brendshme e të jashtme, që po hedh në eter opozita Basha – Kryemadhi. Mazhoranca aktuale, dikur në opozitë, ka bërë beteja të forta politike qoftë edhe për këtë rast të ngjashëm, por kurrë nuk e ka përdorur emrin e Prokurorit të Përgjithshëm si term destabilizimi për vendin.

Dihet botërisht se qysh nga rënia e regjimit komunist, opozita aktuale ka emëruar të gjithë kryeprokurorët (përveç njërit) si ia ka dashur qejfi asaj. Të gjithë ata kanë qenë përfaqësues të PD-së si propozim. Për ironi të fatit, edhe kur pushtetin e ka pasur e majta, sërish kryeprokurori ka qenë nga PD-ja. Ajo propozonte dhe PS-ja në pushtet ia miratonte!!! Ashtu sikurse ka 25 vjet që po PD-ja drejton pa ndërprerje Kontrollin e Lartë të Shtetit, ndonëse e majta ka konsumuar një 8 vjeçar të plotë në pushtet dhe aktualisht është në vitin e pestë të 8 vjeçarit të dytë.

Dihet po botërisht se ndonëse i ka emëruar apo propozuar vetë, ishte po PD-ja, më saktë Berisha, që i ka shkarkuar përdhunshëm, ende pa u mbaruar mandati. Edhe një kryeprokuror që e kishte zgjedhur e majta nga “radhët” e saj, për çudi e shkarkuan po të njëjtët personazhe që sot po bëjnë rezistencë për kryeprokurorin pa mandat. Bëhet fjalë për zotin Rakipi, për shkarkimin e të cilit u morën vesh Berisha dhe Meta. Sot, ky i fundit i ndjek zhvillimet nga maja e piramidës shtetërore, por ka vënë bashkëshorten të bëjë politikën e madhe të destabilizimit së bashku me beniaminin e Berishës. Sabotatorë më të devotshëm të çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, nuk mund të gjesh kund.

Kjo dashuri e madhe që u ka shpërthyer për ta mbajtur ende në detyrë kryeprokurorin pa mandat, i nxjerr zbuluar se sa i nevojshëm paska qenë ai për ata, si gjatë viteve kur sunduan, ashtu edhe gjatë kohës së opozitarizmit, ku në asnjë moment nuk i preku qoftë edhe një fije floku për zullumet e faktuara të keqqeverisjes së tyre. Akuza që po i drejtojnë mazhorancës se demek ata po e heqin kryeprokurorin pa mandat, pasi duan që me të riun të pezullojnë dosjet, është më shumë se qesharake.

Nëse ka një arsye ulëritëse se përse kryeprokurori pa mandat duhet zëvendësuar urgjentisht është sepse për 4 vjet rresht trumbetonte me të madhe e ashtu serbes përpara kamerave se në vjeshtë do kishte arrestime të peshqve të mëdhenj të politikës. Jo vetëm vjeshta kalonte, por kryeprokurori pa mandat dimëronte e veronte çdo vit pa iu skuqur a nxirë faqja për deklaratat që bënte.

Dhe u kujtua veç në vjeshtën e fundit, aty kur e kuptoi se mandati po i përfundonte e s’kishte më shanse për të marrë një të ri, të niste një si biçim lufte me eksponentë të mazhorancës aktuale për të treguar se ekzistonte. Shumëkush që e ndjek politikën me gjakftohtësi nuk e ka të vështirë ta kuptojë se zelli për t’iu përveshur mazhorancës dhe anashkalimi i çështjeve po aq të ndjeshme që prekin opozitën (çështjet e ÇEZ-it, Rapiscan-it apo financimeve për lobim), të krijojnë bindjen e arsyeshme se kryeprokurori pa mandat, bashkë me segmente të caktuar në organin e akuzës, po bëhen pjesë e luftës politike.

Mbrojtja që po i bën opozita aktuale mund të justifikohet deri në kuptimin që ai i ka shërbyer me zell atyre për të mos i proceduar penalisht dhe për këtë ata i janë mirënjohës. Por, kjo nuk do të thotë që opinioni i shëndoshë publik të jetë i detyruar për ketë favor që u ka bërë opozitarëve të dalë e të protestojë që ai të vijojë të qëndrojë në detyrë.

Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u nevojitet më një kryeprokuror që fle 5 vjet mbi dosje dhe zgjohet të veprojë kur i mbaron mandati. Kjo është një sëmundje alla-Basha. Ky vend e ky popull ka nevojë për një kryeprokuror që nuk njeh formacion politik, por vetëm ligjin. Bile, edhe kryeprokurori pa mandat do ta kishte një shans të dytë për t’u rizgjedhur nëse për 5 vjet nuk do ishte sjellë si konformist me politikën dhe antikonformist me ligjin e publikun. Në rast se ky kryeprokuror pa mandat do kishte mbrojtur vetëm interesin publik në zbatim të ligjit dhe nuk do kishte parë se cila parti është në pushtet a në opozitë, ai me shumë gjasë do shijonte mandatin e ri 7 vjeçar. Do të ishte pikërisht presioni i popullit që do ta detyronte përdhunshëm klasën politike që ta rizgjidhte sepse do shihte tek ai përfaqësuesin e vet në organin e akuzës.

Ky, në fakt, duhet të jetë mësimi më i mirë për kryeprokurorin e ri, nëse ai do të dojë që të mos e mbyllë me turp mandatin e tij. Po arriti që të bëjë aleat popullin në detyrën e vet, s’ka pushtet politik që mund t’ia tronditë detyrën që do të mbajë. Në të kundërt, do të përfundojë si ai aktuali, për të cilin do dalin disa syresh ditën e Hënë që të protestojnë përpara Kuvendit, pa e ditur se po përdoren turpshëm politikisht nga një çift keqbërësish që me destabilizim kanë parasysh ruajtjen e gjendjes ekzistuese të paprekshmërisë së tyre dhe kurrsesi interesin publik. Kryeprokurori pa mandat e në ikje e sipër është prova e gjallë e kësaj.

P.S. I vetmi merak që do më mbetet është fakti se si do ta kishte trajtuar Basha çështjen e kryeprokurorit pa mandat dhe zgjedhjen e një të riu, nëse sot do të ishte në pushtet. A do të ishte treguar kaq luajal, i duruar e bashkëpunues si mazhoranca aktuale, apo do kishte ndjekur linjën e dikurshme të Berishës të faktit të kryer? Vallë, a do të kishte të njëjtin mentalitet që po shpalos sot si opozitar për rastin në fjalë, sikur të ishte në pushtet?Vështirë të besohet se po!

1 komente në “Protesta e së Hënës, si mbrojtje e pandëshkueshmërisë në politikë!”

  1. GRanit says:

    Dakord. Por ka nje problem te vogel. Te henen ata nuk do protestojne, por do bllokojne. Do bllokojne punimet. Uroj qe pozita ta dije kete dhe te kete marre masat. Po u terhoqen do provojne qe nuk kane kellqe te qeverisin dhe tremben akoma nga sali berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje