Bayern, Hoeness ironizon Neymarin: Nuk më duket aq i zoti

18 Dhjetor 2017, 16:04Sport TEMA

Raportet mes Neymar dhe Bayern Munchen janë shumë të veçanta dhe motivet për këtë janë të ndryshme.

Në vitin 2010, me ndihmën e Trapattonit, bavarezët ishin shumë pranë nënshkrimit me brazilianin, por hoqën dorë kur Santosi kërkoi atëherë 24 milionë euro, shumë për një 17-vjeçar. Ndaj gjermanët e lanë të ikte diku tjetër. Edhe pse duket se ka shije pendimi dhe keqardhjeje.

Në vitin 2013, nën udhëzimet e Guardiolës, Bayerni tentoi sërish ta rrëmbente yllin brazilian.

“Vumë re menjëherë se tratativa ishte e komplikuar – kujton nga e kaluara Hoeness. – Jo vetëm për koston e kartonit të tij, por edhe për shkak të komisioneve që kërkoheshin nga shumë njerëz. Thjesht nuk i bëjmë gjërat në këtë mënyrë”.

Ndaj dhe Bayern e ktheu vëmendjen nga Gotze, i cili megjithatë nuk rezultoi të jepte atë që pritej. Sërish shenja pendese dhe keqardhjeje…

Verën e kaluar, Neymar u kthye sërish në motivin e një debati të madh në Mynih. Fakti që shkoi te PSG-ja për 222 milionë shkaktoi te shumëkush, përfshi Lewandowskin, atë dyshimin se klubi duhet të nisë të shpenzojë më shumë për lojtarë të veçantë, duke u përshtatur me merkaton “moderne”. Kështu, blerja më e kushtueshme e bavarezëve rezulton të jetë Tolisso, i paguar pak më shumë sesa 40 mln euro.

Megjithatë, këto kritika në Bavari nuk janë pranuar me kaq lehtësi. E gjatë festës së Krishtlindjes të një prej klubeve të tifozëve të kampionëve të Gjermanisë, Hoeness përfitoi nga rasti për t’i lëshuar një tjetër “shigjetë” Neymarit.

“Mua nuk më duket aq i zoti sa e shesin të tjerët”, thotë ai, duke shtuar një por… (mund të jetë).

Gjithsesi, te Bayern Munchen duket se po kërkojnë të ndryshojnë mënyrën e të vepruarit, e këtë e tregojnë si faktet, ashtu edhe fjalët.

Brenda kësaj jave, me shumë mundësi do të njoftohet blerja e Sandro Wagner nga Hoffenheim, ndërsa Hoeness shton se, “kemi ndërmend të shpenzojmë, për të blerë edhe ndonjë lojtar prej 70 mln eurosh”.

Një deklaratë që kundërshton pikërisht qëndrimin e mëparshëm të tij, verën e kaluar, kur thoshte: Nuk do të shpenzojmë 100 mln euro për një Marco Verratti, apo nuk kemi ndërmend t’i japim 20 mln euro në sezon një lojtari i Alexis Sanchez.

Megjithatë, për tifozët duket se kjo kthesë është diçka e pëlqyeshme. E ku i dihet, ndoshta kjo ide ka lindur pasi panë Paris SG që t’i mposhtte 27 shtatorin e këtij viti 3-0 në kryeqytetin francez. Në atë takim, ishte pikërisht Neymar ai që shkëlqeu më shumë, duke dhënë asist për Dani Alves në golin e parë, e duke realizuar vet golin e tretë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje