Stërvitja e “zymtë” e Partizanit, pak orë pas humbjes shokuese ndaj Luftëtarit

18 Dhjetor 2017, 15:34Sport TEMA

Në sport ashtu si në jetë, humbja nga fitorja janë përherë në rivalitet me njëra-tjetrën madje shpesh herë një fije e holle arrin t’i ndajë në rrugët e tyre. Sa hap e mbyll sytë mund ta shikosh veten në anën e gabuar, një zgjim i hidhur që shpreson me gjithë fuqinë e shpirtit që gjithçka të ketë qenë një ëndërr e keqe, thjesht kaq. Dushi i ftohtë në fushën e Gjirokastrës dhe më pas ai i ngrohtë  në dhomat e zhveshjes u pasuan një nga udhëtim rraskapitës drejt kryeqytetit.

Pak orë gjumë, nëse kanë arritur të mbyllin sytë lojtarët e Partizanit pas asaj disfate që në gjuhën sportive mund të konsiderohet si pika që ndan dy era të ndryshme, dhe më pas të gjithë në fushën stërvitore ende të hutuar dhe dukshëm të trazuar në mendime sepse askush nuk e ka ende idenë e dëmeve që ka shkaktuar dallga e nisur nga Gjirokastra. Askush nuk e ka luksin të pushojë pak orë pas transfertës katastrofike. Në apel si çdo ditë normale mungonin vetëm pak emra, më i rëndësishmi prej tyre, Sulejman Starova ndoshta që nuk do të shfaqet për një kohë të gjatë në krye të grupit.

“Bobi” ndoshta kërkon kohën e duhur për të fshirë sadopak zhgënjimin, por skuadra duhet të shikojë përpara sepse kjo është rruga e vetme për të shpaguar sadopak tifozët dhe drejtuesit e klubit që i kanë besuar. Një mëngjes anormal por me shumë dëshirë për t’u rikthyer. Një nga një të gjithë lojtarët e kuq zbritën në kompeksin stërvitor rreth 20 minuta përpara nisjes së seancës si për të bërë një “Mea Culpa” të madhe.

Kapiteni Idriz Batha fillimisht dhe më pas të gjithë me radhë, Ibrahimi, Bardhi, Fili, Atanda, Progni e madje edhe Telushi e të gjithë të tjerët nën urdhrat e zv/trajnerit Klevis Dalipi, njeriu i tranzicioneve të Partizanit. Malota dhe Vila gjithashtu edhe pse jo të gatshëm për shkak të problemeve fizike, preferuan të qëndronin pranë ekipit në këtë moment delikat, ndërsa ish kapiteni Alban Hoxha, ashtu si të gjithë drejtuesit e lartë të klubit nuk u shfaqën në ato pak minuta që mediat u lejuan të filmojnë seancën stërvitore.

Ulja e ndjeshme e temperaturave duket se kërkon t’i kujtojë kësaj skuadre që dimri i vërtetë sapo ka filluar, ndërsa është e vështirë të gjesh në fytyrat e tyre është shumë e lehtë që të zbulosh shprehjen e qartë që shkakton ndjenja e zhgënjimit. Çdokush që jeton me këtë sport kërkon lavdinë e përjetshme, por djemtë e kuq të kësaj disfate e dinë shumë mirë që vetëm kontakti i menjëhershëm me topin mund t’i ndihmojë për të gjetur kurën e shërimit nga kjo plagë e thellë.

Dalipi i shoqëruar nga përgatitësi atletik, Corrado Saccone respektuan orarin duke pritur deri në orën 11 për të qartësuar idetë, ndërsa biseda me grupin zgjati shumë pak, ndoshta sepse për të kaluar të tilla momente nuk ka nevojë për shumë fjalë. Momente reflektimi dhe pune sepse koha nuk premton, sfida me Vllazninë është tek dera./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje