Cilin do të djegë Berisha?

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Bedri Islami

Seanca e djeshme e parlamentit i ngjante një skene ku përleshej ankthi për të nesërmen me një akt kushtetues, tepër normal dhe që do të ishte një gjë krejt e zakonshme. Zgjedhja e një kryeprokurori të përgjithshëm, i përkohshëm, do të duhej të ishte gjëja më rutinë në një shtet normal, në të cilin askush nga ligjvënësit nuk duhej të kishte punë me drejtësinë.

Ndodhi e kundërta. Ulërimat e pazakonta për njerëz, përplasjet, gjëmat, goditjet me këpucë dhe elementët lotsjellës, të gjitha së bashku të bënin të mendohej se pas zgjedhjes së prokurores së re të përgjithshme, në Shqipëri do të bëhej qameti. Jashtë sallës deputetët opozitarë nxisnin turmat e pakta të zaptonin parlamentin dhe të bllokonin gjithçka që ishte brenda.

Askush më mirë se ata nuk e dinë pse ishte kjo frikë e jashtëzakonshme. Një grua që po ngjiste shkallët për të qenë përkohësisht shefja e prokurorisë së këtij vendi do të qëllohej, sikur para vetes të kishin një shtrigë. Në të vërtetë, me një përgjigje të vetme dhe me një kthim krahësh ajo dëshmoi më shumë dinjitet se të gjithë ata që çirreshin e mallkonin.

Çfarë do të ndodhte më pas?

Berisha bëri thirrje për djegien e mandateve të deputetëve, si një domosdoshmëri. Shkaku nuk ishte pse u zgjodh një kryeprokurore, por sepse, atij vetë, të fuqishmit, të mistershmit dhe të përkëdhelurit të politikës, nuk i ishte dhënë fjala për të sharë, degjeneruar, mallkuar e linçuar përmes fjalëve shefin e qeverisë.

Në fakt, Berisha nuk e ka thjeshtë me Ramën. Kushdo që të ishte në atë post, qoftë edhe babai i tij, ai do e kishte mallkuar e linçuar përmes fjalëve. Nëse do të kishte forcën e dikurshme do të kishte shkuar edhe më tej: provën ndaj Ramës ai e ka dhënë prej shumë viteve, ky do të ishte vazhdimi.

Por cilin do të djegë Berisha?

Vërtet ka njeri që mendon se ai mund të djegë mandatin e tij dhe se, pas tij, edhe të tjerë, gjynahqarë, do të ndjekin shembullin e tij? Në atë vathë, dhe sot fjala vathë u shkon atyre, ka shumë që kanë shpëtuar vetëm se kanë një mandat deputeti. Ka prej atyre që kanë shpëtuar me procedurë dhe një procedurë e re mund të hedhë poshtë të vjetrën. Ai vetë e di se në shumë raste atë e ka mbrojtur pikërisht mandati i deputetit, ashtu si ka marrë në mbrojtje pozicioni i tij si shef qeverie edhe vetë familjen e tij.

Nuk prishet dasma për një kokërr qepë, thonë në veriun e Shqipërisë. “Dasma” e Vetingut ka filluar dhe këtë nuk e prish dot hatërmbetja e zotit Berisha se nuk ia paskan dhënë fjalën. Të cilën e mori më pas dhe e dëgjuan se çfarë tha. Të zakonshmet , por të ngritura në një shkallë sipërore të nervozizmit, ndjenjës së frikës dhe panikut.

Pra, ai nuk djeg dot as mandatin e tij.

Çfarë do të djegë?

As më pak e as më shumë, vendin e tij.

Kjo ka qenë një ëndërr e hershme e politikës së ndjekur nga ai në 27 vitet e jetës plurale, që ka nisur që nga grushti i shtetit në Shkollën e Bashkuar e ka vazhduar deri në ditën e djeshme përmes bllokimit të një akti kushtetues, që është, po ashtu, varianti i zbutur i një grushti shteti.

Që të djegë Shqipërinë Berisha bën thirrje që natën kur e mori vesh se kishte rënë nga pushteti përfundimisht. Kishte rënë, për të mos u ngritur. Nuk do të jetë më kurrë njeriu i fajësive të mëdha pushtetore, por vazhdon të jetë ndjellësi i madh i fatkeqësive.

Ata 2 mijë a 3 mijë vetë që ishin dje në sheshet pranë Kuvendit është dëshmia se ku e ka katandisur forcën e saj një parti që mblidhte dikur qindra mijëra vetë në shesh.

Sado të thërrasë Berisha e njerëzit pranë tij për të djegur Shqipërinë, të jeni të bindur, asgjë nuk do të zgjasë.

Periudha e çmendurisë ka ikur. Ka mbetur një i çmendur që kërkon të çmendë këdo që ka rreth e rreth vetes.

Si një ujk i vjetër i politikës ai i sheh më mirë se të gjithë retë që po mblidhen me njerëzit e tij.

Mund të jeni fatkobe për të, por jo për njerëzit.

Askush nuk mund të djegë më këtë vend. Zjarret e dikurshme janë një kujtesë për politikën e sotme, që, duke dashur të bëjë shtet, të mos ngurrojë të ndëshkojë ata që janë antishtet.

Dhe të tillë, dje, u panë me shumicë në parlament.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

2 komente në “Cilin do të djegë Berisha?”

  1. Ilir says:

    Mos harro Bombat the terrorin qe mbillte kur humbte zgjedhjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *