Një mik i mirë që iku shpejt

28 Dhjetor 2017, 17:56Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Nuk më bëhet të shkruaj sot, por ja që duhet të shkruaj. Miku im i mirë, miku i mirë i disa mijëra shqiptarëve si unë, doktor Agim Sallaku, u shua sot në Stamboll pas një lufte të gjatë, kurajoze dhe të paepur me sëmundjen e rëndë që e mundonte prej vitesh. Iku në heshtje, plot dinjitet dhe pa bujë nga kjo botë, të cilës i dha përkushtimin që vetëm mjekët onkologë dinë ta japin.

Duke bërë shaka me njëri-tjetrin, e pyesja se kushedi sa histori të trishta dhe tragjike kishte parë e dëgjuar në mbi 35 vjetët e profesionit. Dhe Gimi tundte kokën, si për ta kaluar lehtë e me një të buzëqeshje të pafajshme, atë që në fakt ishte beteja e tij e përditshme me vdekjen.

Agim Sallaku la pas një karrierë që do ta kishte zili secili prej nesh. Ashtu si do të kishim zili edhe shpirtin e tij të madh, dëshirën për të bërë mirë dhe për t’ju gjendur gjithkujt në orët më të vështira.

Mijëra të tjerë si unë patën fatin ndër vite, që ta njohin këtë mjek që e meritoi vërtetë statusin dhe emrin që kishte. Familja e tij e mrekullueshme, bashkëshortja dhe dy vajzat, kanë pse krenohen me njeriun që u përpoq gjithë jetë t’u qëndrojë pranë.

Doktor Gimi na la pas ne miqve të tij, një grumbull të stërmadh kujtimesh e copëzash jete, të cilat nuk na lenë të qetë këto orë, kur hidhërimi mposht arsyen dhe kur boshllëku të heq nga goja fjalët e ngushëllimin. Por Agim Sallaku mund të ikë i qetë nga kjo botë, sepse ka lënë pas emrin e mirë të mjekut të përkushtuar, ai la pas përpjekjen shumëvjeçare dhe të palodhur në shërbim të jetës.

Mijëra jetë të shpëtuara apo të ndihmuara për t’i ikur vdekjes, janë një trashëgimi unike, që jo kushdo ja le pas familjes dhe shokëve e miqve, kur ndahet nga jeta. U prehsh i qetë Doktor!

2 komente në “Një mik i mirë që iku shpejt”

  1. I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI ITIJ.NJEREZ HUMAN QE U SHERBEJNE ME HUMANIZEM POPULLIT TE THJESHTE NUK VDESIN.ATA KUJTOHEN NE CDO EVENIMENT TE TE GJITHE NJEREZVE QE U KE SHEBYER.NGUSHELLIME FAMILJES SI BASHKEPATRIOT QE JETOJ LARG SHQIPERISE

  2. fredi says:

    nje mjek i papertuar,nje profesionist i vertete dhe NJE NJERI me zemer te madhe…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje