Drama e bredhit jeshil

2 Janar 2018, 10:49Blog TEMA

Nga Artan Fuga

Prerja

Ishte një bredh gjigand që me format e tij të përkryera dallohej që nga disa kilometra larg. Ngrihej mbi një kodër të lartë ndofta edhe disa metra mbi bredhat e tjerë që e rrethonin dhe popullonin atë faqe të pjerrët mbuluar në dimër nga bora dhe në stinët e tjera mbushur plot me gjelbërim.

Kishte pamje të lirë ai bredh në të gjitha pikat e horizontit. Që larg, ishte i pari që i shihte agimet diellore, i fundit që shijonte ende rrezet e diellit në Perëndim.

Maja e Bredhit gjigand ishte gjithmonë më e ndriçuar se ajo e të tjerëve. E thithte e para dritën natyrore dhe e lëshonte e fundit atë. Kur maja e tij nxihej, qyteti aty poshtë në luginë, me rrugicat e tij, me katedralen, shtëpitë një dhe dy katëshe, me bulevardin e famshëm, kishte kohë që ishte fundosur në errësirë.

Mbi kokë i kalon vetëm avionë supersonikë, dhe më lart akoma Dielli, Hëna dhe yjet. Asgjë tjetër. E shihte shiun dhe furtunën që afroheshin i pari, që nga lart, dhe mblidhte degët e veta duke u bërë si shtyllë betoni e mbledhur. Në ditët e praruara e hapte gjelbërimin e tij halor, çtendosej krejt, shtrinte degët e veta dhe prekte bredhat e tjerë sikur u vinte dorën e ngrohtë mbi shpatulla për t’i ngushëlluar apo iu dhënë kurajo. Tetë nivele degësh të çonin nga rrënjët e tij të thella deri te maja e tij. Çfarë nuk mbante ai brenda asaj bote halore të gjelbërt. Fole ketrash, qukapikun që e çukiste për ta mbrojtur nga krimbat dhe mizat e dëmshme që e bezdisnin, zogj gjithfarësh. Të gjithë gjenin strehë aty, por sikur për të paguar qiranë, edhe i bënin të gjitha shërbimet që kishte nevojë.

Nuk fliste, por gjuha e tij ishte një shushurimë e vazhduar si edhe pasthirma të lehta kur nën peshën e dëborës lëshonte ndonjë krau-krau duke u tundur nga era e ftohtë dhe e fuqishme.

Nuk kishte njohur kurrë dhimbje deri në atë mëngjes dhjetori, ndërkohë që pylli qindravjeçar ende flinte. Ndjeu disa të prera si thikë në fund të trungut të tij. Thellë, atje ku ai pothuajse bashkohej me dëborën. Dhe zëra njerëzish që diçka shprehnin me njeri tjetrin.

« Bjeri më fort, këputja skiç!. Ashtu. Godite nga të dy anët!»

Përsëri dhimbje therrëse.

Çarë kanë ?

Përse më qëllojnë ? – mendoi.

Nuk kishte provuar kurrë më parë një të tillë dhimbje. Një copëz hekuri e mprehtë dhe e ftohtë i hynte në trup me furi dhe nxirrte që andej ashkla. Ndërkaq ai rrezistonte. Nuk mund ta jepte veten përpara qindra e mijra fidaneve të rinj që gjithmonë shihnin drejt tij për të marrë kurajo dhe duruar rrufetë e dimrit, edhe thatësirën e verës, peshën e dëborës, gjithçka. Bënte sikur nuk e kishte mendjen aty poshtë, sikur nuk ndjente dhimbje, tundte kokën duke mbajtur trupin drejt, a thua sikur donte t’u tregonte miqve të tij bredha se ai mbetej po ai, ishte i paepur. Shpresonte në fakt se njerëzit me sopata që qëllonin mbi të do të lodheshin. Ata ishin bërë ujë në djersë. I tha vetes se përderisa ndjej gjithë lëngjet e bardha që më qarkullojnë në deje, goditjet ende nuk më kanë bërë dot gjë. Njerëzit do të lodhen.

« Po, përse më godasin ? – përpiqej të kuptonte. »

Ndërkohë sollën një vegël që përfundonte me një rreth metalik me dhëmbëza. Zhurma që u përhap në pyll ishte therrëse. Në trungun e tij nuk ndjeu më dhimbje por si një këputje të menjëhereshme.

Grrrrrrrrrrrrrr.

I erdhi më shumë turp që ra, sesa pati dhimbje. Trungu u shkëput nga pjesa e tij që mbeti në tokë, kërceu Bredhi mbi tokë, qendroi pak sekonda drejt, tundi kokën përsëri për t’u dhënë kurajo më të rinjve që e vështronin pa bërë zë, u mbajt duke mbështetur degët te fqinjët e tij, shokët më të afërt, por as ata nuk e mbajtën. U rrotullua rreth vetes, dhe u përplas me kurriz mbi dëborë duke ngritur shtëllunga të bardha. Koka i ra në një pellg me ujë që sapo kishte ngrirë. Copa akulli e goditën si thika në kokë. Krahët u shtrinë në tokë dhe nuk lëvizën më. Bredhat e tjerë heshtën, u lëkundën disa sekonda sikur qanin me kuje dhe pastaj heshtën nga frika.

Kurorëzimi

Ashtu i rënë për tokë, nuk ndjente më shumë dhimbje sesa habi. Nuk shihte më asnjë pikë të horizontit. Bredhat e tjera i shihte nga poshtë , nga poshtë – lart, kështu dukeshin sikur të mos ishin më të njejtët. As kokën nuk e ulnin për ta parë të rrëzuar Bredhin gjigand.

Ndjente turp.

Nejse, i tha vetes, përsëri i ndjej lëngjet e bardha që më qarkullojnë në trup. Kështu i shtrirë ndjej më pak lodhje. Lartësi nuk kam më, por përsëri jam më i gjati ndër të gjithë bredhat këtu. Edhe era më zika më pak kështu shtrirë. Më mbrojnë këta të rinjtë, shihi si janë bërë gardh përpara meje.

Ndjej butësinë e dëborës që ma mban trupin të njomë dhe të freskët.Nuk kuptoj vetëm se përse të gjithë ata që kishin zënë strehë te unë ikën me panik, ikën ketrat, zogjtë, edhe qukapiku i madh fluturoi larg. Punë e tyre.

Tradhtarët !!!

Ndjeu se njerëzit që e kishin rrëzuar përtokë po e trajtonin me shumë kujdes, si një Princ të vërtetë. Ndjeu se krenaria e tij si Bredh gjigand kishte nisur t’i rivinte më e fuqishme se kurrë. Qukapiku iku, edhe ketrat, edhe zogjtë e lanë vetëm, por ndihej njësoj si më parë, plot energji në trupin e tij. Aq më shumë që për të nuk po kujdeseshin kafshët ose gjallesat e pyllit, por vetë qeniet më të larta, ato që dalloheshin nga pemët sepse ecnin, ishin pemë që ecnin. Me të po merreshin njerëzit. Po i fshinin gjethet halore. I shkundën borën. E morën në krahë. Ashtu të shtrirë sikurse kishte rënë, horizontalisht.

Kishte arësye për të qenë krenar. Koka i lëkundej e varur mbi supet e tre qenieve dykëmbore, kurse trupin e kishte lëshuar mbi rreth dhjetë të tjerë që e mbanin dhe po e çvendosnin me shumë kujdes.

Dëgjonte fjalë të ëmbëla, të buta, aq melhem, saqë edhe vendi ku e kishte goditur sopata pak më parë, i dhimbte më pak. Sikur bora e kishte anestizuar të gjithin, ngrirë, mpirë.

Duart e forta dhe të mëdha të njerëzve e kishin mbështjellë të tërin. Dëgjonte fjalë inkurajuese për fatin e tij : “Kujdes, mos e lësho, mbaje drejt, shih që të mos i këputet asnjë degë, nuk duhet t’i bien halat, mos e ul, mos e ul!”

Ndjeu se e vendosën mbi një kamion të hapur. Ishte vetëm atje. Mbi trup i hodhën një rrobë të ngrohtë.

Nuk po kuptonte asgjë. Përse e kishin prerë ndërkohë që e donin dhe nderonin aq shumë? Përse ishin sjellë aq egër me të ndërkohë që tani i ruanin me kujdes edhe çdo hale të gjelbër?

Sa të çuditshëm janë njerëzit ! – dhe tundte kokën e gjelbërt nga tronditjet e kamionit që ecte ngadalë si në ndonjë kortezh vdekjeje që shpesh shig=hte nga lart atje në rrugët gjarpërueshe në luginë kur njerëzit varrosnin njeri tjetrin.

Edhe të këpusin me të rëna sopatash edhe pastaj kujdesen për ty. Sikur të të duan të vdekur, sepse të gjallë të kanë zili. Por, çfarë të bësh, kështu kanë ardhur kohët, me këta njerëz jetojmë!

Kishte kërshëri se ku po e çonin. Bëri përpjekje të shihte duke ngritur pak kokën nga lartësia e spondit të kamionit, por nuk mundi. Trungu kërciti dhe koka i ra përsëri në dhogën e fortë të karrocerisë.

Ah, sikur të më çojnë të më mbjellin përsëri diku gjetkë mendoi. Ishte krejt një shpresë e kotë u kujtua sepse ata nuk e kishin nxjerrë me gjithë rrënjë, por e kishin prerë te trungu.

U pezmatua, dëshpërimi po e mbulonte, tani që ishte vetëm nuk kishte pse të jepte më shfaqje pathyeshmërie, kurajoje. Asnjë bredh tjetër nuk po e shihte më. Nga poshtë shihte ndërtesa me suvara të rrjepura, drita neoni që dukej sikur i përkuleshin si infermiere të thanta mbi shtratin e vet lëvizës, të fundit pa çatinë e rrumbullakët të një katedraleje.

Çfarë të jetë ky diell ? – mendoi si përgjumësh.

I kishte filluar mpirja e trupit. Gjymtyrët po i ktheheshin në dru. Të ngrira.

Eh, tha, kaq ishte jeta ime, mbarova.

Sytë i shkuan edhe te një ndërtesë si shkop. Ngriju, ngriju, iu drejtua heshturazi me ironi, edhe ty do të të vijë dita, do të të presin edhe ty një ditë dimri…

Mendimet prej Bredhi halor i vinin e iknin si mijra thika të ngulura në trup.

E ndaluan para një ndërtese të madhe. E transportuan në hollin e saj të gjerë po me atë kujdes që e kishin shtrirë në karrocerinë e kamionit si një viktimë genocidi në Afrikë.

Tani ndofta do të më presin copa-copa mendoi.

Kishte dëgjuar nga bredhat më të vjetër që pas prerjes kishte një jetë tjetër, por askush prej bredhave nuk e provonte dot se kjo pasjetë ekzistonte vërtetë. Thuhej se për bredhat më të mirë e më të shëndoshë rezervohej një ferr i vërtetë, nuk dihet se përse, por i merrnin, i prisnin me ca sopata të mëdha dhe pastaj i digjnin në një si vatër të madhe në zjarr.

U djegsh në zjarr ! – ishte mallkimi më i rëndë që bredhat i bënin njëri tjetrit.

Nisi të qante me lotë të bardha.

Ndërkaq ndjeu se e morën dhe e vendosën drejt mbi një mbajtëse metalike të rrethuar me letra ngjyrë ari.

Krenaria përsëri iu ringjall. Po e vinin si në një fron mbretëror. Paskësh qenë thjesht një Bredh tani po kurorëzohej si Princ.

Po, po, paska qenë e vërtetë, e paskëshin zgjedhur njerëzit si Princin e tyre. Edhe kurora me poça dritash me gjithfarë ngjyrash po i vendosnin mbi trup. E rrethuan gjithandej me drita, zbukurime vezulluese, pambuk të bardhë që i ngjante borës, por i ngrohtë. Nga darka rreth bredhit Gjigand u mblodhën fëmijë që lodronin, prindër që sillnin dhurata dhe i fshihnin poshtë halave të Bredhit gjigand. Kurrë nuk kishte pasur aq shumë lavdërime, këngë, dhurata, përulje më parë.

Ah, tha, ja edhe ajo që meritoja prej vitesh. Nuk paskan dashur të më lënë në mes të ngricës në mal. U qenkam dashur si Princ këtu në mes të ndërtesës plot pushtet tër qytetit.

Më kanë nderuar. Vërtet gjymtyrët i ndjej se po më thahen, por kam ngrohtësi, diell nuk shoh, por ndriçoj me mijra diej të vegjël rreth meje, nuk më përulen bredhat e tjerë, por vetë më të fuqishmit e qytetit.

Bredhi gjigand nuk e ndjente se kishte vdekur, e kishin prerë, kishte marrë fund, jo, atë po e nderonin, e zbukuronin, ai sundonte të gjitha marrëdhëniet rreth tij. E veneronin, e hyjnizonin, ishte vlera më e madhe e qytetit, e preknin me dorë butësisht.

Më mirë i vdekur por i nderuar, sesa i gjallë dhe i braktisur në mes të pyllit – nisi të krenohej përsëri si gjithmonë Bredhi jeshil.

Hedhja

Ndërkohë që mendonte se kishte gjetur lumturinë te pushteti, veshi i zuri një fjali që e shqetësoi fort : Fiki dritat dhe hiqjani zbukurimet!

Priti që këtë urdhër ta dëgjonte nga kryetari asaj ndërtese, por në fakt dolën nga goja e pastrueses. Hahahaha, ja bëri Bredhi jeshil me vete, sikur të ishte në dorën tënde që të më zhvishnin nga të gjitha këto ndere!!! Për mua vendos dikush tjetër.

Por, nuk zgjati shumë kur disa njerëz nisën të heqin dritat nga gjethet halore. Edhe pambukun, edhe gjerdanët vezullues.

Kësaj radhe pa pikë kujdesi.

Ç’na shpoi dreqi !- dëgjoi të thoshin për të.

Paska lëshuar edhe gjithë këto hala mbi parket palé!

Ja shkulnin zbukurimet nga gjoksi.

E ngritën hopa nga piedestali dhe e e shtrinë me kujdes mbi parket.

Përsëri nisi të krenohet, ndërkaq ndjeu se dikush tha : Kujdes parketin!

Nuk kishin më kujdes për të. Konsiderohej thjesht si një copë dru i dëmshëm.

Ku shkuan të gjithë ata njerëz, burra dhe gra që vallëzonin dje rreth tij? Si u zhdukën kështu? Si e lanë në dorë të pastrueseve dhe kaldaistëve ?

E tërhoqën zvarrë nëpër parket, pastaj nëpër mermerin e ftohtë derisa e zbritën rrëshqanthi mbi shkallët e gurta.

Ishte i vdekur tashmë, i zhveshur nga të gjitha nderet, i përbuzur dhe i keqtrajtuar.

Kështu e mbaroka jetën një Bredh – tha me vete.

Në shenjë hakmarrjeje u kap pas dorezës të derës kryesore dhe e këputi me forcë. Aq mundi të bënte për të treguar kundërshtimin e tij.

Dëgjoi : “Ej, dreq, e thyem dorezën.”

Pas kësaj e trajtuan më keq. Me sopata ja ndanë gjymtyrët nga trungu.

Goditje mizore, pa pikë mëshire dhe kujdesi.

E ngritën copa – copa peshë dhe e hodhën në kazana të mëdhenj që i kthenin përmbys mbi një bark të mbyllur kamioni.

Dëgjoi dikë që tha: Çojeni në plehra!”

Ndjente akoma, por kishte ca përjetime si ndijime të ndara, ndjente si një trung i prerë, si halë e shkëputur, si degë e shqitur. Dhe nuk i mblidhte dot të gjitha ndjesitë në një.

Kjo është vdekja, tha i lodhur dhe në qetësi.

3 komente në “Drama e bredhit jeshil”

  1. prap ky injorannti andollit
    e pabesushme qe ne kte hale gazete
    te drejtuar nga ky surrat pordha more boze ,
    tentohet budallepsja e popullit shqiptare !
    nga e ka prejardhjen kjo fare e djallit ,
    qe ne vend te gjakut ,ka helm ne damare ptuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuu
    gjarprinjt e njerezimit ,qe ju kultivoj Bota antishqiptare
    me shkaterru e hedhur ne kazane te plehrave te njerezimit
    kombin shqiptare .

  2. Profesor says:

    Shkrim “perle” ne mes “batakut mediatik” shqiptar….!

  3. seriozi says:

    Nje fabul per te tromaksur femijet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje