ANALIZA: Dorëheqjet në Vetëvendosje, trysni mbi Albin Kurtin

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Vala e dorëheqjeve në Lëvizjen Vetëvendosje, besohet se nuk është spontane, por pasojë e pakënaqësive të akumuluara në këtë subjekt politik.

Me 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje aktualisht është subjekti më i madh opozitar.

Viteve të fundit, Vetëvendosje ishte subjekti më i zëshëm në Kuvend dhe në disa raste edhe më me ndikim, pavarësisht që atëherë përfaqësohej me 17 deputetë.

Por, sa do të reflektojnë tani dorëheqjet e shumta të njerëzve në pozitat kyçe në këtë subjekt politik në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes, kjo çështje mbetet të shihet në ditët në vijim.

Tashmë është e qartë se të dorëhequrit i dhanë një mesazh Albin Kurtit, i cili mbetet kandidati i vetëm për t’u kthyer në krye të Vetëvendosjes, se ai nuk është i dëshiruari, për ta marrë drejtimin e timonit të partisë.

Megjithatë, Kurti po tregohet i vendosur që më 21 janar të kthehet në pozitën e kryetarit të subjektit që dikur e kishte krijuar me disa mbështetës të tij.

Analisti politik, Albert Krasniqi thotë se po shihet një orkestrim i vendimeve për dorëheqje, që si qëllim mund të kenë pengimin e Albin Kurtit që të zgjidhet kryetar i partisë.

“E gjithë kjo duket që është diçka e orkestruar dhe nuk është se po vjen natyrshëm prej vet anëtarëve, por është e planifikuar dhe ka për qëllim që në njërën anë t’i bëjë presion Albin Kurtit që të mos të jetë kandidat për kryetar të partisë, dhe në anën tjetër në rast të mos arritjes së një konsensusi mes këtyre dy grupeve, që të bëhet një dëm më i madh ndaj Vetëvendosjes, në mënyrë që ato vota të kapitalizohen potencialisht në një subjekt të ri politik i cili do të mund të krijohej nga ata që kanë dhënë dorëheqjen nga Vetëvendosje”, thekson Krasniqi.

Ndër personalitetet e fundit që ka dhënë dorëheqje nga strukturate kësaj Lëvizje është edhe deputeti, Frashër Krasniqi i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg për rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës. Ai ishte një nga aktivistët që është parë në të gjitha “aksionet” siç i quan Vetëvendosje, veprimet e saj në terren.

Nga burgu u Dubravës, Krasniqi ka shkruar se ka vendosur të jap dorëheqje për të mbrojtur interesin e Lëvizjes, që sipas tij, “sot po cenohet për interesa personale të disa individëve”.

Ai ka kritikuar pikërisht Albin Kurtin, të cilit i ka vënë epitetin e një babai të Vetëvendosjes duke besuar se ai po e vë interesin personal mbi interesin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Thirrjet për socialdemokraci e bashkim kombëtar, që na shpërthenin nga gjokset në çdo tubim, demonstratë e postim në Facebook, po zëvendësohen nga thirrjet histerike “Duam Babën”, ka shkruar Frashër Krasniqi në letrën e tij nga burgu.

Përplasjet në Vetëvendosje, analisti Albert Krasniqi i sheh si sinjale që tregojnë se nëse nuk do të ketë përafrim të pozicioneve mes individëve dhe grupeve brenda saj, në të ardhmen mund të shihen dy grupime të Vetëvendosjes në Kuvend.

“Besoj që ata do të vazhdojnë në kuadër të Vetëvendosjes. E në rast se do të ketë një shkëputje dhe nuk do të ketë harmonizim të qëndrimeve ndërmjet këtyre dy grupeve parlamentare që mund të krijohen në Kuvendin e Kosovës, atëherë vërtetë mund të ketë pasoja”.

“Në radhë të parë, pasoja për qeverisjen e vendit, ngase kur ka një opozitë të dobët, të përçarë që nuk mund ta mbikëqyrë punën e Qeverisë, atëherë do të rezultojë me një keqqeverisje dhe shpërfillje të rolit të Kuvendit nga ana e ekzekutivit, dhe në radhë të dytë do ta dobësojë Vetëvendosjen e cila ishte në kulmin e saj, duke arritur të dyfishojë numrin e deputetëve nga zgjedhjet paraprake”, thotë Krasniqi.

Nga postet e larta drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje ish-kryetari Visar Ymeri, ish-sekretari organizativ Dardan Molliqaj, nënkryetari Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, pastaj Aida Dërguti dhe figura tjera në poste të larta të partisë.

Dilemat aktuale janë nëse ata që dhanë dorëheqje dhe mbështetësit e tyre do të rikthehen në parti apo do të vendosin të themelojnë një fraksion politik të veçantë, jashtë strukturave aktuale. Të dyja opsionet, po konsiderohen të vështira për ecjen më tutje të këtij subjekti politik, i cili viteve të fundit kryesisht ka qenë zëri më i fuqishëm opozitar në Kosovë.

Vetëvendosje, ndodhet në procesin e brendshëm zgjedhor. I vetmi kandidat për kryetar të partisë është Albin Kurti. Kuvendi zgjedhor pritet të mbahet më 21 janar. Aty do të shihet nëse Vetëvendosje do ta ruaj unitetin apo do ta ketë fatin e disa partive tjera politike në Kosovë, të cilat u ndanë pikërisht nëpër kuvendet zgjedhore.(REL)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “ANALIZA: Dorëheqjet në Vetëvendosje, trysni mbi Albin Kurtin”

  1. Osman Gashi says:

    ATA (NUK) KANË IDE !?Ata që sot po japin dorëheqje nuk kanë ide që mund t’i paraqesin para anëtarëve të LVV-së. Sepse idetë e tyre janë në kundërshtim të thellë me programin dhe parimet e vetëvendosjes. Ata nuk mund të thuan se ne jemi për zbutjen e kritereve karshi zajednicës, karshi demarkacionit, karshi bisedimeve me Serbinë, karshi flamurit dhe himnit, karshi bashkimit kombëtar dhe të gjihtë atyre parimeve tjera që e dallojnë LVV-në nga partitë tjera dhe për shkak të cilave dita ditës marrin më shumë e më shumë vota. Madje ka kohë, që dikush atyre ju pëshpërit në vesh, se jo vetëm zbutja e qëndrimeve por edhe largimi i Albin Kurtit nga kandidatura për kryeministër, është e domosdoshme që LVV të vijë në pushtet. Natyrisht, sepse pa largimin e Albinit nuk mund të pritet zbutja domethënëse e këtyre kritereve. Prandaj kërkohet moskandidimi i Albinit për kryetar të LVV (lexo: për kryeministër) me arsyetime banale … mungesë diskutimi, linçime, metoda … Si ka mundur të refuzoj diskutimet Albin Kurti kur Visar Imeri ishte kryetar dhe Dardan Molliqaj sekretar organizativ, pikërisht ata që përgatisin mbledhjet dhe caktojnë rendin e ditës!? Metodat?! Shpesh kam dëgjuar nga njerëzit e zakonshëm, jo-partiak, se janë kundër zajednicës dhe demarkacionit, por janë edhe kundër mënyrave se si LVV po gjuan gaz lotsjellës brenda kuvendit. Prandaj ata që po japin dorëheqje sot po thirren edhe në metoda, sepse është fjalë që lehtë “ngjitet” në publik. Cilat na paskan qenë ato metoda demokratike që do e ndalnin aprovimin e zajednicës dhe demarkacionit? A i propozuan ndonjëherë? Apo e kanë fjalën për metodat ne të ardhmen, pasi u bënë edhe vet deputet dhe nuk janë të gatshëm të gjuajnë gaz lotsjellës në rast nevoje. Dhe mungesa e përgjigjes në pyetjen kryesore: pse Albin Kurti nuk duhet të kandidoj për kryetar të LVV, i nxjerr zhveshur të gjithë ata që flasin për metoda, linçime …? Por edhe shumë pyetje tjera mund t’ju shtrohen nga aktivistët e LVV dhe jo vetëm.
    Pra, flasin për shmangie nga diskutimet, kurse kur kërkohet të diskutohet ata japin dorëheqje nga të gjitha funksionet në LVV, madje as nuk vijnë nëpër forume ku do duhej të diskutohet! Kur flasin për metoda, nuk propozojnë metoda të reja! Kur flasin për linçime, të tjerëve ua ndalojnë të prononcohen në rrjete sociale, kurse ata vet prononcohen nëpër televizione dhe rrjete sociale!
    Dhe si kulmi i hipokrizisë; japin dorëheqje nga funksionet në LVV por nuk japin dorëheqje nga funksioni i deputetit! A thua, deputet u bënë si emra të përveçëm, apo i trashëguan nga të baballarët? Nuk japin dorëheqje, sepse aty kanë gjetur strehën e sigurt për një të ardhur dhe për një trampolinë nga ku mund të ngritin çmimin e vetës së tyre. Nëse nuk do mund të bëhen të gjithë ambasadorë në Vatikan, sepse vendin ua ka zënë një ish kolege e tyre, do gjendet ndonjë vend për ndonjë zëvendësministër, këshilltar, anëtarë bordi, drejtor agjensioni për ata vet apo të afërmit e tyre, fitimi i ndonjë tenderi apo ndonjë benefiti tjetër që mund të ofroj pushteti.
    Të gjithë të dorëhequrit duan ta dinë se pëshpëritësit e tyre dhe klima që ata po mundohen të krijojnë në opinion, nuk janë edhe miq të tyre, të Kosovës edhe më pak. Në momentin që realizojnë qëllimin e tyre do ti hedhin si limonin e shtrydhur. Siç e dinë të gjithë, kjo qeveri nuk ka jetë të gjatë. Ju do jeni mes dy zjarreve. Ose do përkrahni këtë qeveri në mënyrë pasive apo aktive, ose do kontribuoni në rrëzimin e saj. Nëse kontribuoni në rrëzimin e saj sikur grup i ndarë parlamentar e dini se pas zgjedhjeve të reja nuk do rizgjidheni për deputet, së paku jo si deputet të LVV, kurse, nëse e përkrahni do ju dal boja përfundimisht dhe karrierat e juaj politike do marrin fund. Në të dy rastet do jeni të humbur.
    Ende keni mundësi të pendoheni. Të gabosh është njerëzore; të pranosh gabimin dhe ta korrigjosh, është madhështore.
    Ali Mehmeti, 07.01.2018, Gjenevë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *