Bota, më mirë nuk mund të ndodhte!

13 Janar 2018, 09:36Ekonomia TEMA

Sipas Goldman Sachs, për herë të parë që nga viti 2010, ekonomia botërore i ka tejkaluar parashikimet dhe pritet që kjo rritje të vazhdojë. Parashikimi global i Goldman Sachs për rritjen globale për vitin 2018 është 4.0%, nga 3.7% në 2017. Forca në rritjen globale po shtrihet në të gjitha ekonomitë, si në ato më të përparuara edhe tek ato në zhvillim.

Në anën e ofertës, ka shenja tentative të një rimëkëmbje në rritjen e produktivitetit nga trendi i saj pas krizës. Megjithatë, kapaciteti i pashfrytëzuar po pakësohet me shpejtësi dhe madje në një numër të caktuar kompanish të avancuara ka marrë fund, përfshirë SHBA-në. Prandaj pyetja që lind këtu nuk është nëse prodhimi do të tejkalojë potencialin, por me sa.

Në të kundërt, Europa Jugore ka nevojë për një rritje të fortë edhe për shumë vite të tjera, që të arrijë në një nivel të plotë punësimi.

Pritet rritje graduale në inflacionin bazë global, megjithëse në nivele që janë ende nën objektivat e Bankës Qendrore në shumicën e vendeve. Nëse inflacioni nuk do të shënojë rritje, forca në aktivitetet e disa bankave do të marrë “superxhiro”, gjë që do t’i detyrojë ato që të ngadalësojnë rritjen për të parandaluar një recesion të mundshëm. Prandaj kërkesa e Rezervës Federale është shumë më e ashpër sesa çmimi i tregut. Në të kundërt, kërkesa e BQE-së dhe Bankës së Japonisë mbetet kryesisht modeste në treg.

Tani për tani, shtrëngimi më i fortë i Rezervës Federale nuk pritet të ndikojë në mënyrë domethënëse në tregun e brendshëm. Dhe ndërsa ndikimi në ekonomitë në zhvillim mund të jetë më i fortë, Goldman Sachs mendon se rregullimet e fundit strukturore i kanë bërë ekonomitë e vendeve në zhvillim më elastike në krahasim me ciklet e fundit të shtrëngimit të Rezervës Federale. Rreziqet më të mëdha në terma afatshkurtër janë kryesisht në aspektin politik, duke filluar nga e ardhmja e bllokut të tregtisë së lirë, NAFTA, zgjedhjet italiane e deri te konflikti ushtarak në gadishullin korean. Rritja globale ka tejkaluar pritshmëritë. PBB-ja reale u rrit me 3.7% vitin e kaluar, duke tejkaluar dukshëm parashikimin e fundvitit 2016 për një rritje prej 3.3%.

Në përgjithësi, mesazhi i rritjes ndihet edhe në vendet e botës në zhvillim, edhe pse me dallime më të mëdha në vende të ndryshme. Në Indi dhe Rusi ekonomia është duke u rimëkëmbur, si dhe pritet që kjo rimëkëmbje të vazhdojë në Brazil. Në të kundërt, Kina ka shënuar ngadalësim modest. Ndërsa disa nga ndikimet më e fundit mund të jenë për shkak të faktorëve të veçantë (duke përfshirë këtu edhe përfundimin e Kongresit të Partisë). Gjithashtu pritet edhe një ngadalësim i reformave, që synojnë uljen e ndikimeve negative të së kaluarës, duke përfshirë këtu masat për të mbajtur në nivelet e duhura rrezikun financiar dhe për të përmirësuar mjedisin. Prandaj, pritet që rritja kineze të ngadalësohet gradualisht nga 6.8% në 2017 në 6.1% në 2019.

Ulje e papunësisë

Përveç rritjes së dukshme të produktivitetit, ulje të theksuar ka shënuar edhe shkalla agregate e papunësisë, pothuajse në të gjitha ekonomitë e vendeve të përparuara, duke shkuar në nivelet e saj të para krizës. Ndërsa vlerësimi i hendekut të prodhimit, tregon se ekonomitë më të përparuara tani po i afrohen punësimit të plotë. Është konstatuar se SHBA-ja dhe Britania e Madhe e kanë tejkaluar pak më tej kapacitetin e plotë dhe se hendeku në prodhimin e Japonisë po mbyllet mjaft shpejt.

Zona euro vazhdon të tregojë situata paqëndrueshmërie, kryesisht me kapacitetin rezervë të përqendruar në jug (veçanërisht në Spanjë dhe Itali), pasi Gjermania po lëviz drejt punësimit të plotë. Po kështu, një numër i vendeve më të vogla kanë filluar të mbinxehen ashtu siç ka marrë edhe i gjithë cikli global në tërësi. Suedia, Kanadaja dhe Zelanda e Re po veprojnë përtej kapacitetit të plotë. Boshllëqet e prodhimit në Australi, Zvicër dhe Norvegji janë ende negative, por shpresohet që ato të mbyllen shumë shpejt.

Eurozona: Rritje e vazhdueshme

Ekonomia e Eurozonës është në rrugë të mbarë dhe ka shënuar ritmin më të shpejtë të rritjes gjatë vitit të kaluar, njëkohësisht edhe më i larti gjatë dekadës së fundit, me një pritshmëri prej 2.2%, sipas Komisionit Europian.

Edhe ekonomia e BE-së në tërësi pritet që të ketë shënuar një rritje të fuqishme gjatë 2017-s, në krahasim me parashikimin e pranverës prej 1.9%. Sipas Parashikimit të tij të Vjeshtës, Komisioni Europian pret që rritja të vazhdojë si në zonën e euros, ashtu edhe në BE me 2.1% në 2018 dhe në 1.9% në 2019 (Parashikimi i Pranverës për 2018 ishte 1.8% në Eurozonë dhe 1.9% në BE).

Rritja ka tejkaluar pritshmëritë, por parashikohet të ngadalësohet disi

Ekonomia europiane ka treguar shenja të dukshme avancimi gjatë 2017-s, më të larta sesa pritej, kryesisht e nxitur nga konsumi privat elastik, një rritje më e fortë në mbarë botën dhe papunësia në rënie. Investimet gjithashtu po rriten mes kushteve të favorshme të financimit, duke qenë se edhe pasiguria sa vjen e po venitet. Ekonomitë e të gjitha Shteteve Anëtare po zgjerohen dhe tregjet e tyre të punës po shënojnë shenja përmirësimi, por pagat janë ato të cilat po shënojnë një rritje tejet të ngadaltë.

Një kontekst politik i ndryshueshëm

Megjithëse rimëkëmbja ciklike është duke u zhvilluar dhe po ecën në rrugë të mbarë, ajo mbetet e paplotë, për shembull me një rënie ende të konsiderueshme në tregun e punës dhe një rritje jo të duhur të pagave. Rritja e PBB-së dhe inflacioni varen ende nga mbështetja politike. Banka Qendrore Europiane ka mbajtur politikën e saj monetare në nivele shumë të mira, ndërkohë që disa banka të tjera qendrore në mbarë botën kanë filluar të rrisin normat e interesit. Një numër i Shteteve Anëtare të Eurozonës pritet të miratojnë politikat fiskale ekspansioniste në vitin 2018, por qëndrimi i përgjithshëm fiskal i Eurozonës pritet të jetë përgjithësisht neutral.

Papunësia ka shënuar rënie, por hendeku është ende i thellë

Krijimi i vendeve të reja të punës ka qenë i qëndrueshëm dhe kushtet e tregut të punës janë vendosur në mënyrë të tillë që të përfitojnë nga rritja e kërkesës brenda vendit, rritja e moderuar e pagave dhe reformat strukturore të zbatuara në disa prej shteteve anëtare. Papunësia në Eurozonë pritet të jetë mesatarisht 9.1% në 2017-n, niveli më i ulët që nga viti 2009, pasi numri i përgjithshëm i të punësuarve pritet të shënojë shifra tejet të larta gjatë këtij viti. Papunësia do të ulet më tej në 8.5% në 2018 dhe 7.9% në vitin 2019. Në BE, norma e papunësisë parashikohet të jetë 7.8% në 2017-n, 7.3% në 2018 dhe 7.0% në 2019. Krijimi i vendeve të reja të punës pritet të jetë i moderuar, pasi incentiva e përkohshme fiskale është e zbehtë në disa vende dhe mungesat e aftësive janë të dukshme në disa të tjera.

Pritshmëritë e rritjes së inflacionit janë ulur si pasojë e rritjes së ngadaltë të pagave

Norma kryesore e inflacionit të çmimeve të konsumit ka shënuar luhatje gjatë nëntë muajve të vitit 2017, kryesisht nën ndikimin e efekteve bazë të energjisë. Inflacioni bazë, i cili përjashton energjinë dhe çmimet e ushqimeve të papërpunuara, nga ana tjetër, po rritet por mbetet i ulët, duke pasqyruar ndikimin e një periudhe të zgjatur të një inflacioni të ulët, rritjes së dobët të pagave, si dhe rënies së tregut të mbetur të punës. Në përgjithësi, inflacioni pritet të jetë mesatarisht 1.5% në Eurozonë në 2017-n dhe pritet të ulet në 1.4% në 2018, përpara se të rritet deri në 1.6% në 2019.

Rreziqet janë gjerësisht të balancuara

Rreziqet që zhvillimet ekonomike mund të dalin më mirë ose më keq se parashikimi janë gjerësisht të balancuara. Rreziqet kryesore negative janë të jashtme, që lidhen kryesisht me tensionet gjeopolitike të larta (p.sh. në gadishullin korean), mundësisht shtrëngime të kushteve financiare globale (p.sh. për shkak të rritjes së rrezikut), rregullimit ekonomik në Kinë ose zgjerimit të politikave proteksioniste. Në Bashkimin Europian, rreziqet negative kanë të bëjnë me rezultatet e negociatave të Brexit, një vlerësim më të fortë të euros dhe norma më të larta të interesit në terma afatgjatë. Në të kundërt, zvogëlimi i pasigurive dhe përmirësimi i situatës në Europë mund të çojë në shifra më të larta sesa ato të parashikuara, ashtu siç do të ndikonte edhe një rritje më e fortë në pjesën tjetër të botës.(Monitor)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje