Ç’përfaqësojnë dy zhvillimet e bujshme në dosjen CEZ: Fashikujt që pritet të vijnë nga Praga dhe sa ndikon vdekja e Dritan Priftit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Ylli Pata

Zhvillimi më i bujshëm dhe më me peshë specifike që ka ndodhur gjatë kësaj jave në kupolën e pushtetit është një vendim dhe një takim i Kryeprokurores Arta MArku.

Kreu i organit të akuzës  ka ndryshuar prokurorin që ka hetuar dosjen CEZ, duke ia ngarkuar një tjetri. Prokurori i Tiranës i hoqi çështjen Prokurores Alma Brati dhe ja ngarkoi Ardian Brahos.

Ky përbën një zhvillim të rëndësishëm, pasi Kryeprokurorja Arta Marku ka bërë të ditur se vullneti i saj është që hetimi për këtë aferë të shkojë përpara dhe të thellohen.

Kjo dosje ka tre pjesë të saj: aferën e privatizimit të CEZ, padinë e së cilës e ka bërë komisioni parlamentar hetimor nën drejtimin e Taulant Ballës; abuzimet me borxhet e CEZ -Shpërndarje që i ka mbledhur DIA e Kastriot Ismailajt; si dhe pjesën e denoncimit të juristit Romeo Kara, i cili flet për lidhjen abuzive ndërmjet CEZ-it dhe DIA-s.

Në kohën kur kryeprokuror ishte Adriatik Llalla, Dosja CEZ e e dorëzuar nga Kuvendi, përkatësisht vetëm deputetët e PS-së, u mbyll për t’u arkivuar plotësisht. Por, me hyrjen në fuqi të reformës në drejtësi, dosja CEZ nuk mund të mbyllej me vendim prokurori, pasi duhej të shprehej gjykata. Dhe gjykata e Tiranës mori vendim që jo vetëm dosja nuk duhet mbyllur, por duhet të thellohen hetimet.

Kryeprokurorja Marku, në fakt nuk ka bërë asnjë veprim procedurial, por thjesht, ndryshe nga parardhësi i saj, ajo nuk ka krijuar mundësi për t’u penguar hetimet.

Prokurori i Tiranës Dritan Rreshka, i cili e njeh mirë stafin e ambjentin në këtë ekip, ka emëruar Ardian Brahon tek dosja CEZ, një prokuror që ka kryer disa hetime për abuzime e korrupsion, kryesisht ndaj disa  kompanive për fshehje dhe mospagim taksash.

Por Kryeprokurorja e ka ndihmuar hetimin me një takim të rëndësishëm me ambasadorin çek në Tiranë, vend nga ku është kompania që bleu Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë në 2009-n.

Ambasadori i Çekisë në Tiranë, Jaroslav Ludvai, i cili duket ka marrë instruksione të forta nga Praga, i ka ofruar mbështetjen Kryeprokurores Arta Marku përsa u përket hetimeve për ÇEZ-in.

Siç mësohet, prokurorë nga Çekia do të përgatisin një dosje të plotë me transaksionet që kanë ardhur nga Shqipëria, por edhe kanë mbërritur në Tiranë, për të blerë kompaninë shqiptare të energjisë nga çekët e CEZ dhe anasjelltas.

Ky në fakt përbën një zhvillim gjigand për të çuar përpara hetimet. Madje siç mësohet çekët kanë përgatitur gjithçka rreth transaksioneve të cilat do të shpjegojnë lëvizjen e parave.

Po me pak fjalë, cilat janë dyshimet për aferën CEZ? Për çfarë bëhet fjalë?

Dyshimi i parë apo të themi akuza e parë e komisionit ishte ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai akuzohet se ka favorizuar kompaninë CEZ për të blerë OSHE-në, duke përdorur një ndërmjetës shqiptarin nga Kosova, Nuel Kalaj, i cili ka tërhequr 5 milionë euro cash brenda ditës nga një bankë në Tiranë.

Mazhoranca aktuale akuzon ish-kryeministrin se këto para janë përdorur për zgjedhjet e vitit 2009. Dyshimi tjetër është se borxhet e CEZ nëpërmjet DIA-s së Kastriot Ismailaj janë marrë, duke abuzuar dhe përvetësuar paratë publike.

Gjatë seancave të komisionit parlamentar për CEZ u kërkua edhe dëshmia e Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, por ky i fundit vetëm sa u paraqit në komision dhe nuk dëshmoi, pasi e cilësoi gjithçka një “farsë”. Shkëlzen Berisha akuzohet se ka ndërmjetësuar me Nuel Kalajn për transaksionet mes CEZ dhe qeverisë shqiptare.

Për këtë histori nuk shpëton pa u përmendur as Ilir Meta, aktualisht President i Republikës. Meta është akuzuar se ka ndërhyrë që kompania e Kastriot Ismailaj të merret me tërheqjen e borxheve të CEZ dhe që ai të jetë anëtar i bordit të CEZ-Shpërndarje si përfaqësues i Ministrisë së Energjetikës.

Dy personat kyç të kësaj historie, të cilët kanë vendosur firmat në shkresa për gjithçka, janë ish-ministri i Financave Ridvan Bode dhe ish-ministri i Energjitikës Dritan Prifti.

I pari nuk ka pranuar të flasë asnjëherë për këtë çështje. I dyti, Dritan Prifti ka nxjerrë në publik mjaft akuza, por ai nuk u morr asnjëherë në pyetje nga Prokuroria që të dhënat të futen në dosje.

Tani është tepër vonë, pasi Prifti vdiq nga një sëmundje e “shpejtë” që i mori jetën brenda 4 muajve. Madje pas vdekjes së tij, në rrjetet sociale u hodh akuza se kanë përdour lëndë radioaktive nga ato që përdor shërbimi sekret rus.

Një nga këta akuzatorë ishte edhe ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia. i cili ndodhet në ekzil në Turqi.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *