LIBRA e Blushit, një dështim i paralajmëruar

21 Janar 2018, 13:42Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Largimi i Ben Blushit nga skena aktive politike, nuk ishte një lajm i mirë, sigurisht. Siç nuk mund të jetë një lajm i mirë, largimi i kujtdoqoftë nga skena publike, kur ka një zë, një profil, një personalitet dhe vokacion origjinal në shoqëri.

Më shumë se gjithçka tjetër, besoj se ky hap është një moment reflektimi për raportin mes individit dhe një grupi rreth tij që kërkon të imponojnë idetë dhe projektin e tyre, me stadin aktual të pjekurisë demokratike të vendit. Ndaj dorëheqja e Kryetarit të partisë LIBRA, duhet parë në një kontekst shumë më të gjerë sesa emri i përveçëm, Ben Blushi.

LIBRA nuk ishte as një histori suksesi, e aq më pak një histori dështimi. Ishte thjeshtë një tentativë më shumë në këto 27 vjet për ta sfiduar sistemin, nëpërmjet materializimit të egos, ambicjes dhe disa ideve pse jo, në një projekt të ri që besohej nga iniciatorët, se mund të turbullonte ujërat deri në atë pike, sa të jetësohej si një faktor i ri në skenën shqiptare.

Përfundimi është se mundi dhe sakrifica e Blushit, nuk besoj se kanë shkuar dëm, për një arësye të thjeshtë: Tashmë LIBRA është një shembull, një kazus, një model a një rrugë nga ku nuk mund të shkohet për ta ndryshuar “status quo”-në tonë politike në Shqipëri.

Ka njëmijë e një arësye për këtë, përveç asaj që vetë Blushi e tha, se problem për mos suksesin dhe triumfin e ideve të tij e të LIBRA, ishte popullit shqiptar i cili “nuk e do opozitën”. Nëse kjo do ishte e vërtetë, atëherë sa për të dhënë një shembull “naiv”: Përse atëherë në këto 27 vjet, i njëjti popull rrëzoi edhe diktaturën dhe bëri 4-5 herë rrotacionin politik me votë, mes të majtës dhe të djathtës?

Unë besoj se moment më i vërtetë i Blushit, është ajo pjesë e deklaratës ku ai thotë se LIBRA e ndihmoi që ta njihte më mirë veten. Ndaj, kjo histori sado e shkurtër në terma kohorë, jam i bindur se ka qenë një nga eksperiencat më të vyera në planin e tij personal, që me siguri i kishte munguar inventarit të pasur, të një jete të vrullshme plot ulje ngritje.

Historia jonë pluraliste e këtyre më pak se tri dekadave, për shkak ndoshta edhe të sistemit tonë elektoral, traditës, kulturës politike, mënyrës së funksionimit si shoqëri, grupimit të emocioneve dhe ndjesive tona kolektive politike rreth dy partive “historike” PS dhe PD, ka dhënë vetëm një shembull të tretë suksesi të partive të reja. E ajo është LSI e Ilir Metës që prej 13-14 vjetësh, i ka mbijetuar katër palë zgjedhjeve të përgjithëshme politike, duke patur përfaqësim të pandërprerë e me trend rritës në Parlament.

Nëse do ta marim këtë parti si “model” se si mund të arrihet sukses nga një parti e re që kërkon të sfidojë nëpërmjet vetes, dy partitë e mëdha dhe ti imponohet nëpërmjet votës së shoqërisë, sistemit vetë, atëherë kuptohet që LIBRA ishte shumë larg këtij shembulli. Qoftë nga krahasimi mes cilësive të lidershipit në praktikë të Metës me Blushin, qoftë rrethanave historike e kohore, por edhe elementëve të tjerë që nëse për LIBRAN sot disa prej tyre renditen si merita, mund të kenë qenë edhe të metat e saj kryesore që e çuan në dështim.

Nga ana tjetër vetë Blushi hyn tek kategoria e njerëzve kreativë dhe jo ndërtues. Që do të thotë, se kategoria e njerëzve si ai mund të shkëlqejnë duke u bërë ndoshta liderë shumë të mirë të një partie të madhe si PS, nëse ai vetë do të kishte durimin për të pritur momentin e tij. Ashtu siç shkëlqeu përshembull dikur, kur drejtoi një gazetë të madhe dhe të konsoliduar në treg, si “Koha Jonë”. Ilir Meta mund të mos e bëntë këtë gjë si Blushi, nëse do kishte patur ai mundësinë, për ta drejtuar PS. Sikundër edhe Lulzim Basha do të dështonte me siguri si edhe Blushi, po të tentonte të krijonte një parti të re, e kështu me radhë.

Këto dhe shumë të tjera, janë arësyet se përse që në titull, e konsiderova LIBRA një dështim të paralajmëruar. Për mua ishte një film me metrazh të shkurtër fundin e së cilës e kisha parë këtu e 20 vjet më parë. Atëherë kur pas suksesit të jashtëzakonshëm tek “Koha Jonë”, Blushi themeloi vetë nga e para gazetën “Indipendent”, për ta mbyllur si edhe “LIBRA”-n, disa muaj më vonë. Kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe, për aq kohë sa të gjithë besojmë se pas të tatëpjetës, vjen e përpjeta dhe se çdo e keqe, e ka një të mirë. Pas dështimit të parë, ne fituam Blushin politikan. Ndoshta kësaj radhe, do të fitojmë përfundimisht, Blushin shkrimtar./Alpenews.al

2 komente në “LIBRA e Blushit, një dështim i paralajmëruar”

  1. @autori says:

    Nuk mund te rrinte dhe Alfred Peza, pa e shkrepur koburen e tij me barut ….. te lagur..

  2. "BOHOTINA" says:

    Ti Preza ia fut rrangulla berdangulla kot me kot. Askujt nuk duhet ti vije keq qe largohet nje politikan. A nuk eshte kjo klase politike qe e ka kthyer vendin tone ne kavie. Po ai ishte deri minister. Pse nuk e nxorri zerin asohere. Pse nuk tha stop. Nuk ecet me keshtu me vrasje, gjakmarrje, perdhunime, me shitje trojesh, me grabitje, me vjedhje votash. Apo u kujtua kur nuk e perfilli njeri ne poste. Jo Preza nuk jam fare dakort me trajtimin tend. Ai eshte pjese e kesaj klase kriminale. Shihe vendin e problemet e njerezve te kuptosh. Mos filozofo kot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje