"Sot nisin bisedimet për paqe në Siri"

25 Janar 2018, 17:43Bota TEMA

Negociatorët do të takohen sot në Vjenë në raundin e nëntë të bisedimeve të sponsoruara nga Kombet e Bashkuara me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për luftën afro shtatë vjeçare. I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, ka thënë se negociatat dy ditore në të cilat përfshihet qeveria e “plotë” dhe delegacionet opozitare janë “në një moment tejet kritik”.

De Mistura do të mbajë takime të ndara me këto delegacione për bisedime, që pritet të fokusohen në çështjet kushtetuese, pasi raundi i kaluar i takimeve i mbajtur në Gjenevë ka përfunduar pa ndonjë zhvillim.

Mistura ka fajësuar më së shumti qeverinë e presidentit Bashar al-Assad, për të cilën ai ka thënë se i ka kërkuar grupeve opozitare të pranojnë mundësinë e rolit të Assadit gjatë tranzicionit politik në këtë shtet.

Dy ditët e ardhshme do të jenë “një test i vërtetë për të gjitha anët”, ka thënë Nasr al-Hariri nga Koalicioni Kombëtar Sirian, grupi kryesor opozitar i mbështetur nga Perëndimi.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, e ka përshkruar takimin në Vienë si, “shpresën e fundit” për arritjen e një zgjidhje politike në Siri.

Në konfliktin e këtij vendi janë vrarë mijëra persona prej kur kanë filluar pakënaqësitë më 2011.

Takimet në Vjenë po mbahen në kohën kur Rusia është duke planifikuar të jetë nikoqire e “kongresit për dialog kombëtar” sirian, në Soçi më 29-30 janar.

Rusia së bashku me Iranin, i kanë dhënë mbështetje vendimtare qeverisë së Assadit gjatë luftës, derisa Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur grupe të ndryshme rebele.

Militantët e grupit militant, Shteti Islamik kanë hyrë në luftë, pasi patën fituar kontroll në disa territore siriane më 2014, mirëpo tashmë kanë humbur pothuajse të gjitha, pas sulmeve të forcave qeveritare dhe luftëtarëve kurdë të përkrahur nga SHBA-ja.(REL)

1 komente në ““Sot nisin bisedimet për paqe në Siri””

  1. Bushi says:

    Ishalla vjene nje dite e bardhe edhe per popullin e SIRSE.Nje popull i shumevuajtur nga lufta shtatevjeçare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje