Ndoshta, do mbahet mënd për diçka!

Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. Duka

U mbyll edhe këtë herë “zbori” PD në bulevard. Ishin aq apo kaq, rëndësi ka që kaloi paqësisht dhe kjo duhet vlerësuar se për gjë tjetër, zor se do të mbahet mënd. Sikurse me çadrën, PD u ngriti njerëzve mëndjen se çoç do bënte vaki por vazhdimisht po i ndodh si përralla e fshatit, bariut e ujkut.

Telendisja më kot e qytetarit në bulevard po cënon besimin e njerëzve tek protesta dhe po bën me hije vetë lidershipin e PD që sot është më nervoz kur mendon protestën e rradhës. Se, sa herë është kuturisur në shesh, nuk fiton por humbet pikë dhe kompleksimi nga thjesht ideja e protestës, është dëmi më i madh që po i bën vetes ky lidership.

E drejta, çështje numrash apo fryme!

Bulevardi ka “gojë” dhe ai po e ekspozon PD si parti që po humb si apelin inspirues ndaj qytetarit ashtu dhe “zërin” ndaj partnerëve ndërkombëtar teksa shohin tek ajo një faktor të paparashikueshëm, “rebel” dhe në krizë apeli në publik! Dhe kjo në kontekstin kur qeveria nuk është kapur ende “mat” në abuzime të ngjashme me ato të PD në pushtet dhe vetë lidershipi PD mbetet i lakuar për të shkuarën e tij.

Normalisht, protesta alla “OJQ”, do t’i hapë punë e rrisë më tej presionin ndaj Bashës për lidership. Ishin rehat deri dje se çoku nanuriseshin se ishin popullor dhe kandisnin ca poshtë ta besonin këtë gjë. Pas humbjes në zgjedhje dhe vuajtjes për të dalë nga çadra, PD me zor kishte krijuar një “realitet” virtual ku të paktën hamëndësonte se ishte forcë e parë gjë që kjo protestë e ekspozoi si trillim patetik.

Protesta i ngeli në dorë PD. Por jo për numra. Për të drejtën në perëndim edhe një protestues i vetëm i del me dinjitet shtetit përballë. Është çështje fryme, kauze dhe morali dhe PD nuk ka ç’ofron. Dhe qeveria rri e ngazëllon. Një anomali demokratike kjo kur vëndi mbetet pa alternativë dhe qeveria nuk ndjen presion real për të bërë punën apo hapur krahun me votë.

Klonim apo reformim!

Koha e reformimit të PD ka ardhur e kaluar! Çlirimi nga trashëgimia e lidershipit të tranzicionit që po e tkurr në elektorat është jetik për PD e demokracinë dhe ata që patën kurajo t’i kundërviheshin monizmit, nuk mund t’i përvidhen detyrimit historik për të ri-marrë fatin e saj në dorë.

Identiteti i PD duhet të jetë “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” dhe një parti e qytetarëve të lirë është lehtësim për të gjithë sepse rotacioni politik do të çlirohet nga ankthi e tensionet që e kanë karakterizuar në tranzicion dhe humbja në zgjedhje nuk do të jetë më fatalitet në kushtet e drejtësisë së pavarur dhe “metrit” të BE.

Kjo protestë mund të komentohet si “thikë” me dy presa ndaj hapjes së negociatave me BE. Sot në rend të ditës është “gara” Shqipëri-BE që më pas garanton edhe vetë garën mes nesh. Me aksionin e saj, PD po ngatërron qëllimisht rradhën e garës por me gjasa më kot, sepse gjeopolitika e perëndimit është në favor të Shqipërisë dhe integrimi në BE është në “marsh automatik”. Ndërkohë, pikiata e lidershipit nuk ka pse të jetë pikiatë e partisë. PD është më shumë se disa emra. Është gjysma tjetër që nuk e meriton të katandiset çerek nga disa që jo thjesht nuk i mban vëndi në opozitë por dhe sikur po humbin toruan prej reformës në drejtësi.

Në parim, pas hapjes së negociatave me BE, koha deri në zgjedhjet e ardhshme punon për opozitën. Qeveria, afërmëndsh, edhe do gabojë dhe morali i saj do të luhatet ndaj dhe PD duhet të jetë gati për rotacion për më tepër që duke qënë me një këmbë në “fushën” e BE, Brukseli është një garanci më shumë.

Por edhe nën “hijen” e Brukselit, sa kohë e kapur nga e kaluara, PD nuk ka shans për pushtet edhe nëse shpreson se Rama do e bëjë baltë si ajo dikur. Shanset për pushtet nuk duhet të varen nga performanca e PS dhe kjo kërkon meritë e moral, reformim dhe jo klonim lidershipi si deri më sot. E bëri këtë rotacion PS dikur. Ta mbyllë edhe PD këtë garë brënda vetes pa të shpresojë tek gara me të tretë. Ndoshta kjo protestë do bëhet sebep!

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Ndoshta, do mbahet mënd për diçka!”

  1. Renato says:

    Nuk kishim dyshim qe ishte nje fitore ne shqipetaret nuk te kuptojme ti je lider i pa arriteshem ti fitove dhe zgjedhjet por nuk do te jesh ne qeveri te pelqen opozita.mediokriteti yt nuk paska fund.mblodhe fshataret nga rrethet per ti prishur gjumin banoreve te tiranes.debil.

  2. Epo kjo pune says:

    se si do e justifikoje Luli deshtimin e rradhes si fitore, vetem ai e beson kete gje ndaj ben mire te hape krahun dhe se PD meriton me shume dhe mbi te gjitha, po shenjteroi Salen, nuk ka gje me ne vije sepse ai eshte pakete, ka qeverisur e drejtuar me dekada kete parti ndaj me te drejte pa te drejte ka bagazh te madh. PS e hoqi Nanon, Meten, Pandin, nuk ka te perjetshme, tani e ka rradhen Edi se nuk plaket ne ate detyre, do vije ndoshta Veliaj me pas, rrjedh cezma, ndersa PD eshte bere si pellg, nxiron e tera. Po kete nuk e do bej Patozi me shoke qe akoma bejne be per koken e sales, duhet nje brez komplet i ri, ndoshta amerika e ka menduar dhe kete pune se deri tani vetem klonim, fytyre e re por po ajo mendesi dhe bagazh. avash avash PD po behet si PPSH, me udheheqes te perjetshem, se dihet kush e drejton ate parti. Te kemi si dielli thone brezi i ri, imagjinoni cfare “rinovimi” po gatuhet per kete parti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *